50 fjalimet që ndryshuan botën: profetë, politikanë, rebelë e tiranë, prijës e burra shteti- nga Jezusi i Nazaretit tek Hitleri

A janë vallë në gjendje fjalët ta ndryshojnë botën? Botohet në shqip libri i famshëm “Fjalimet që ndryshuan botën”, me parathënie nga Simon Sebag Montefiore nga Botimet IDK.

Nëse lexon këtë antologji të famshme me 50 ndër fjalimet më të njohura në historinë botërore, nga kohë e vende të ndryshme, bindesh që po.

Bëhet fjalë për fjalime që, sado të ndryshme, kanë shënjuar (për mirë a për keq) rrjedhën historike të kohës së vet, si dhe historinë e mëpasme shpirtërore, morale e politike të njerëzimit, duke formësuar botën në të cilën jetojmë ne sot. Autorë të tyre janë disa prej figurave më të njohura në historinë e 2000 vjetëve të fundit: profetë, politikanë, rebelë e tiranë, prijës e burra shteti, që nga Jezusi i Nazaretit te Profeti Muhamed, nga mbreti Çarli I te Oliver Kromuelli; nga Xhorxh Uashingtoni e Abraham Linkolni, te presidenti Uillson, Lenini, Ruzvelti, Çurçilli, Hitleri e Stalini; nga Gandi te perandori Hirohito; nga fjalimi i famshëm i Khrushovit në Kongresin e XX-të P.K. të BRSS, te fjalimet e Kenedit.

Për të përfunduar me fjalimet e Martin Luther Kingut, Nelson Mandelës, Papa Gjon Palit II, Gorbaçovit, Elie Wieselit, Vaclav Havelit, te Xhorxh W. Bush, Barak Obama e shumë të tjerë. Secili prej fjalimeve shoqërohet me një hyrje shpjeguese të kontekstit historik kur u mbajt, si dhe biografinë e secilit prej personazheve. ‘Zoti Gorbaçov, shembeni këtë mur!’ nga RONALD REAGAN, ishte fjalim i mbajtur në Berlinin Perëndimor në mbështetje të parimeve demokratike, më 12 qershor 1987. Siç dihet, karriera e parë e Reganit qe ajo e aktorit kinematografik dhe televiziv, ndaj dhe fjalimet e tij politike qenë gjithmonë pa asnjë të metë.

Ai do ta udhëzonte hartuesen e fjalimeve të tij, Peggy Nooan, duke i bërë të qartë se ç’dëshironte të thoshte dhe ajo ia hartonte fjalimet në përshtatje me stilin e tij të thjeshtë. Kritikët e tij do të citonin shpesh të kaluarën e tij prej aktori, duke e parë presidencën e tij si një triumf të paraqitjes ndaj përmbajtjes.

Por ka një pikë në të cilën bashkohen si kritikët ashtu dhe admiruesit e tij: Regani qe një lider që u delegonte mjaft pushtet vartësve të vet, dhe po ashtu qe njeri që karakterizohej nga bindje të palëkundura e jetëgjata, mbi të cilat u mbështet politika e Shtëpisë së Bardhë. Askund nuk ishte më e qartë kjo sesa në qëndrimin që ai mbajti ndaj Bashkimit Sovjetik, të cilin, duke braktisur gjuhën e detantës, ai e quajti “perandoria e së keqes”. Liberalët e përqeshën gjuhën e tij prej libri komik, por ajo pasqyronte besimin e tij në imoralitetin që qëndronte në themel të sistemit politik sovjetik. Në qershor të vitit 1987, Regani u shfaq përpara Portës së Brandenburgut në Berlin, qytetin emblematik të Luftës së Ftohtë, sikurse kishin bërë përpara tij presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të mbajtur një fjalim. Ai vuri në dukje kontrastin midis begatisë, pasurisë kulturore dhe lirisë që kishin kultivuar banorët e Berlinit Perëndimor qysh nga viti 1945, me “prapambetjen” e botës totalitare përtej Murit të Berlinit – një botë që, sikundër e përshkroi ai, “i bën një dhunim të tillë shpirtit”.

Por Regani kishte gjithashtu dhe një program, i cili përmblidhej në kërkesën e tij: “Sekretari i Përgjithshëm Gorbaçov… nëse ju kërkoni liberalizim… shembeni këtë mur!”. Nga njëra anë, kjo ishte pjesë e dukshme e retorikës politike. Por kohët po ndryshonin me shpejtësi, sepse tani në krye të Bashkimin Sovjetik, ishte një reformator, Mikhail Gorbaçovi, një njeri me të cilin Regani nënshkroi po atë vit traktatin e pakësimit të raketave.

Regani e parashikoi se “ky mur do të bjerë. Sepse ai nuk mund t’i bëjë ballë besimit; ai nuk mund t’i bëjë ballë të vërtetës.” Dy vjet më pas, Muri i Berlinit vërtet u rrëzua. Historianët mund të debatojnë se deri në ç’masë kontribuoi presidenca e Reganit për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë. Vitet e fundit të jetës së Reganit qenë të mjegulluar nga sëmundja e Alzajmerit. Edhe pse ditët e fjalimeve tanimë kishin marrë fund, Komunikuesi i Madh e la përsëri një lamtumirë elokuente, por këtë herë vetëm të shtypur: “Unë tani po nis udhëtimin, që do të më shpjerë në perëndimin e jetës sime”.(PASQYRE)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *