Modigliani, vepra, jeta dhe ikja tragjike e piktorit të paragjykuar

Sot bota e artit kujton përvjetorin e ikjes së një prej piktorëve më në zë e më të debatuar: Amedeo Modigliani. Jeta dhe vepra  e tij diskutohen,  ndërsa veprat e tij kushtojnë shumë edhe pse ka pasur mendime se ai nuk ishte më shumë se një “karikaturist”

“Sa herë kaloj, më shfaqet imazhi i Modiglianit, me atë pallton e tij prej veluri të zi dhe shallin e kuq rreth qafës, si një varfanjak fisnik, pasi ishte piktura që e bënte atë fisnik, piktura dhe dashuria, dashuria për artin dhe femrën. Ishte erotizmi dhe jo më kot, kur flitet për historinë e erotizmit në art, nuk mund të mos përmendësh nudot e mrekulluara të Modiglianit, fytyrat, linjat, gjinjtë dhe trupin e përkorë, atë që e bënte të pulsonte shpirtin dhe penelin e tij”. Luan Rama i shkruante këto radhë duke pasur parasysh një hotel diku në sheshin “Denfert Rochereau”. Në atë hotel, Modigliani kish kaluar një kohë të gjatë. Prej aty, në pak minuta mbërrin në “Montparnasse”, ndërsa lagja e piktorëve, pranë bazilikës së Sacré-Cœur është më larg.

Ai lindi në vitin 1884 në qytetin e Livornos në Itali. I ati, një hebre i njohur për dhënie huash monetare, kishte falimentuar. Përmbaruesit hynë në shtëpinë e tij, në kohën që së ëmës i kishin nisur dhimbjet e lindjes. Ata sekuestruan edhe krevatin ku ajo ishte shtrirë për të lindur.

Pasi u sëmur disa herë, në një rast edhe me tuberkuloz, mamaja e mori të birin për të udhëtuar. Ai e quante veten që në atë kohë një piktor, por edhe një joshës i madh femrash. Deri në fillim të të njëzetave, studioi dhe pikturoi në Itali, por si shumë artistë të tjerë të periudhës, i vetmi vend ku duhej të shkoje, ishte Parisi.

Mbërriti atje në vitin 1906. Paratë që i niste e ëma nuk i mjaftonte, ndërkohë ai kishte filluar të shijonte edhe kanabisin. Ende sot, studiuesit ndahen sa i takon ndikimit të drogës në punën e tij dhe varësisë ndaj saj.

Një mbrëmje, nën efektin e drogës, ai pikturoi një grua me qafë si të një mjelme e pas saj, femrat me qafë të gjatë u bënë simbol i punimeve të tij. Në moshën 26-vjeccare, ai u përfshi në një marrëdhënie me një poete ruse. Quhej Anna Akhmatova. Pas ndarjes me të The Guardian shkruante se shpesh dilte dhe kërcente i zhveshur në rrugë, në një rast u gjet në një kosh plehrash.

Pavarësisht këtij stili jetese, Modigliani arriti të krijonte veprat e tij dhe talenti i tij u pranua edhe nga emra të tillë si Renoir, edhe pse Modigliani nuk u bë kurrë në atë kohë një emër kaq i njohur.

Pasioni i tij mbetën femrat. Një nga të dashurat, poetja angleze Beatrice Hastings thoshte se ai ishte i shëmtuar, i egër dhe lakmitar. “Në shkurt të vitit 1917, gjatë një feste karnavali, ai takoi Jeanne Heturbene në “Academie Colarossi”. Ajo përgatitej për konkursin që të hynte në Akademinë e Arteve të Bukura. Shokët e saj e quanin “Noix de Coco”. Modi atëherë ishte 33-vjeçar dhe ra menjëherë në dashuri. Në korrik të atij viti ata vendosën të jetojnë së bashku në 8, Rue de la Grande Chaumière. Modi pikturoi atje 13 tablo me portretin e saj, si dhe shumë vizatime. Në 3 dhjetor të atij viti, koleksionisti i tij, Zboroëski, poet dhe tregtar arti, organizoi një ekspozitë personale të Modiglianit në galerinë “Berh Ëeil”. Tashmë tablotë e Modit kishin filluar të shiteshin”, shkruan Luan Rama

Ajo, mbeti dashuria e tij më domethënëse e tij. Gjatë kësaj periudhe, ai bëri pikturat më të mira të tij. Madje në vitin 1917 ai bëri edhe kryeveprat e tij nudo. Në atë kohë u cilësuan si një skandal. Kur u ekspozua “Reclining Nude”, me të tjera punime nudo, policia e mbylli ekspozitën. “Këto gra nudo. Ato kanë qime pubike”, tha një polic. Në nëntor të vitit 1918, Jeanne lindi një vajzë, të cilën e quajtën Jeanne.

Jeta kaotike e çiftit bëri që vajza të jetonte me një kujdestare. Tragjikisht, ai nuk pati mundësi të njihte vajzën. Në janar të vitit 1920 nisi të kollitej me gjak dhe u diagnostikua me meningjit.

Sëmundja e shoi më 24 janar. Ishte vetëm 35 vjeç. Jeanne nuk e përballoi dëshpërimin. Mëngjesin tjetër u hodh nga dritarja e katit të pestë, duke humbur jetën e saj dhe të fëmijës të palindur ende.

“Kur Modi vdiq, gjithë bota artistike e Parisit shkoi ta ndiqte pas në varrezat e “Père Lachaise” për ta përshëndetur për herë të fundit. Të nesërmen në mbrëmje, vonë, pasi kishte shkuar në apartamentin e prindërve, Jeanne Hébuterne, gruaja dhe muza e fundit e tij, 9-muajshe shtatzënë me fëmijën e dytë, ishte hedhur nga dritaret. Jeanne nuk e kishte duruar ikjen e Modiglianit. Ajo i kishte thënë se do ta ndiqte pas. Madje dhe fjalët e fundit të Modit para vdekjes të tilla ishin… “kemi rënë dakord me Jeanne… ajo do të vijë…” Çfarë vallë donte të thoshte Modi me ato fjalë?… Ky ishte akti i dytë i tragjedisë që godiste familjen Modigliani, ndërsa atje, në atelier, kishte mbetur ende tabloja e fundit e Modit: një portret i Jeanne-s. Modi hynte kështu në legjendë bashkë me tragjedinë e tij, bashkë me britmën e tij për artin”, – ka shkruar studiuesi Luan Rama.

amedeo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *