Sa herë të kujtohet Kongresi i Lushnjes, aq herë do të kujtojmë edhe këngën “Himn i Kongresit të Lushnjës”, me autor Ferit Vokopolën (1887-1969), dhe austriakun Lyboden, shkruan Vaso Tole.
Sipas tij, në Kongresin e Lushnjës, Ferit Vokopola mbajti fjalën e hapjes së Kongresit, më 21 Janar 1920. Mendohet se frymëzimi për të shkruar vargjet e këngës i lindi pikërisht aty.
Kongresi u hap më 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi prej 28 deri më 31 janar 1920. Në të morën pjesë mbi 50 përfaqësues nga të gjitha krahinat e përfshira më 1913 në kufijtë e shtetit shqiptar. K.L. u mbajt kur Shqipëria vazhdonte të ishte e pushtuar nga forcat e armatosura të shteteve të huaja, ndërsa Konferenca e Paqes (1919–1920) po hartonte plane për cungimin territorial të shtetit shqiptar. Kongresi hodhi poshtë planet antishqiptare të K.P. dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e v. 1913.
Dërgoi një protestë energjike në K.P. në Paris, në të cilën thuhej se Shqiptarët ishin gati “të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut të tyre, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë territoriale dhe pavarësinë e tyre të plotë”.
K. u dërgoi protesta edhe qeverive angleze, franceze, italiane etj., ku ndër të tjera pohohej: “Shqiptarët dinë të vdesin për të mos shkuar nga njëra dorë tek tjetra si tufë delesh e të bëhen plaçka e atyre që drejtojnë sot diplomacinë e Europës”. Në lidhje me kompozitorin e këngës, ende janë të pandriçuara mirë rrethanat e jetës së tij si dhe bashkëpunimi me F. Vokopolën për krijimin e këtij himni.
Shpresa humbi, Atdheu ty po të thërret,
Ta shpëtosh nga kjo natë.
Bëhu i zoti në do të rrosh në jetë
Armikut jepi datë.
Ref.
Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell
Shqipëria lidhi besën
Dëshmoi bota, dëshmojnë ujt në qiell
Për ty, o i lart Kongres!
II.
Me sa humbet drejtësia
Aq shuhet shpresa jonë
Nuk pushtohet tok’ e Kastriotit
Trimërinë e ka zakon.
III.
Në të varet shpres’ e Kombit Shqiptar
Në statutin tënd të shtrenjtë
Çliro tokat e Shqipërisë sa më parë
Bashko atdheun e shenjtë.
IV.
Sikur tym e flakë të dal nga faq’ e dheut
Shkrepëtim të bjerë e flakë
Bëj detyrën që ke kundrejt atdheut,
Mos kurse as shpirt as gjak.
Shih: Vasil S. Tole, “100 këngë, himne dhe marshe patriotike shqiptare”, Tiranë, 2012