Piktura e rrallë e Skënderbeut, vepra e ardhur nga Athina më 1925

Në përvjetorin e 549 të vdekjes së kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, vjen një pikturë për të që deri vonë ishte e panjohur.

Në fakt, që atëherë e deri me sot, asnjëherë nuk u pushua së shkruari për të dhe për veprimtarinë e tij të bujshme e madhështore, me të cilën, Gjergji i dha nder e lavd të përjetshëm kombit shqiptar. Vepra dhe figura e tij është përjetësuar në shumë fusha të artit: muzikë, pikturë, letërsi, etj.

Po ashtu, në nder të emrit dhe veprës së të tij, nëpër qendra të mëdha, janë emëruar shumë sheshe e rrugë, dhe gjithashtu janë ngritë shumë shtatore. Më të drejt Ismail Kadare, te libri Mosmarrëveshja, shkruan: “Gjergj Kastrioti i duhet Shqipërisë, jo si luks, por si gur i themelit. Koha e kishte treguar se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të.”

Siç shkruan Dorian koçi, kjo është një tablo e piktorit Gjergj Trifoni nga Berati, që pasqyron Skënderbeun me sfond lagjen Mangalem në Berat. Piktura është punuar në bojra vaji dhe ka përmasat 55×38 cm. Sipas studiuesit Myslym Hotova, kjo tablo ishte në pronësi të familjes së Pandi Krekas nga Elbasani dhe familja e tij e kishte sjellë nga Athina në vitin 1925.

Në vitin 1987 iu dhurua Muzeut Historik në Berat, nga ku pas viteve 90′ u zhduk pa lënë gjurmë. Tabloja ka dy mbishkrime në greqisht. Mbishkrimi i parë lexon: Gjergj Kastrioti i quajtur më vonë Skënderbej, mbret i Shqipërisë, kurse mbishkrimi i dytë lexon: Punim nga Gjergj Trifoni, piktor nga Berati.Kjo tablo është përdorur si kopertine për librin “Eposi i Skënderbeut” te poetit maqedonas Grigor Përlicef/ Grigori Stavridhi, i botuar i plotë nga studiusi Niko Stylo, më 2014, në Mulheim.

Grigor Perlicef lindi në Ohër në 1830, ku mbaroi dhe gjimnazin grek të qytetit. I mbetur që i vogël jetim, nga që të atin ia quanin Stavro, mori për mbiemër dhe emrin e tij.

Në arsimin grek ku u shkollua dhe ku punoi më vonë. Mbiemri i tij u transformua në Stavridhi. Gjatë viteve 1848-1849 ai punoi si mësues i gjuhës greke, në Tiranë, në shkollën e komunitetit vllah ortodoks të Tiranës. Në vitin 1861 shkroi poemën “Eposi i Skënderbeut”, për një konkurs poetik që do të mbahej në Athinë.

Disa vjet më vonë ai u përfshi në Lëvizjen Kombëtare Bullgare dhe është një nga poetët dhe heronjtë kombëtarë të Bullgarisë dhe popullsisë sllave të Maqedonisë. Kjo vepër është përkthyer në shqip me shkurtime nga Spiro Çomora në 1967. Heroi Kombëtar i shqiptarëve ishte një simbol lirie për gjithë popullatat e Ballkanit. /Zeri/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *