Jonida Hitoveizi
Kohët e fundit po flitet e debatohet deri me tone të ashpra për kapjen e mediave dhe për një censurë të shfaqjes të së vërtetës lakuriq para publikut, prej forcave okulte të pushtetit. Por dje dhe sot vëmendjen e ka marrë një ngjarje tjetër, e cila përtej gjithçkaje nxjerr lakuriq një panoramë të shëmtuar të gazetarisë sonë.
Ishte rasti i amnistisë për disa gra të burgosura, mes të cilave ndodhej dhe Uarda Çota. Çota ishte dënuar me 5 vite burg pasi në gjendje të dehur aksidentoi familjen e ish zv.ministrit të Brendshëm Avenir Peka, ku humbi jetën djali 11-vjeçar R.Peka. Por ajo përfitoi nga amnistia dhe vuajti vetëm 2 vite burg, duke na u shfaqur para kamerave e portaleve e buzëqeshur e madje duke u pritur me duartrokitje nga njerëzit e afërm të saj. Përtej këtij show, i cili dhe mund të na ishte kursyer (se s’po prisnin të dilte nga burgu Ramush Haradinaj), ajo që e shëmton këtë ngjarje nuk janë dhe aq flokët e krehur, make-up i Uardës dhe budallallëqet që tha ajo para kamerave por çfarë u raportua nga mediat dhe mbi të gjitha Si. Në këtë lajm ashtu si dhe në shumë të tjerë (por këtu kemi të bëjmë me vrasje të një fëmije) së pari mungonte historia (siç thonë shpesh amerikanët which is the story?). Dhe fatkeqësisht historia e raportuar dhe e gjetur nga mediat kishte të bënte me hiret e vajzës: Amnisti për 10 gra mes tyre dhe zeshkanja e bukur del nga burgu, make-up i Uardës, ja bukuroshja që aksidentoi me vdekje një fëmijë, Uarda e krehur krah ministirit Manjani… Pra historia e vetme që mbizotëroi lajmin në këtë ngjarje ishte sa mirë i kishte bërë flokët Uarda, apo sa bukur i kishte ruajtur linjat në burg a thua po dilte nga burgu ndonjë personazh shou bizi, Lindsay Lohan p.sh e jo një femër që e dehur kishte shkaktuar aksident me pasojë vdekjen e një fëmije. Ky lloj trajtimi nga mediat, i cili tashmë është modë e ka kthyer gazetarinë gati në një profesion amator që mund ta kryejë çdo njeri që di shkrim e këndim, është një këmbanë më e madhe alarami sesa frika për kapje pushteti. Për këtë situatë nuk e ka fajin as interneti, të cilit kërkohet shpesh t’i vihet gishti, por mungesa e seriozitetit me të cilin sot bëhen e shkruhen lajmet. Deri sa arrijmë në ditën që flasim për bukurinë e Uardës dhe jo për krimin që ajo kreu si histori dhe pastaj tërbohemi nga ajo çfarë vet kemi gatuar. Këtu është problemi me irritimin që shkaktoi krekosja e vajzës së re më shumë sesa fakti që ajo jepte deklarta për pushime në Dubai, për liri të grave të tjera si ajo, për rilindje etj. Kjo është një gjë e shëmtuar për të cilën Uarda s’ka faj pasi ajo mund të jetë edhe një psikopate klinike deri në momentin që nuk shfaq asnjë pendesë e mund të përbëjë ende rrezik për fëmijë apo njerëz të tjerë nëse i jepet patenta sërish. Përtej Dubait meqë Uarda doli në shteg lajmi mund të ishte fokusuar në kontekst krejt tjetër, p.sh a do lejohet t’i jap menjëherë makinës pas daljes nga burgu etj. Ndaj në fund fare Uarda nuk ka faj se media e pa si një objekt joshës dhe e shiti si të tillë. Dhe sigurisht nëse s’do qe trajtuar si yll e me kaq vëmendje kushedi, ndoshta dhe ajo do kishte ulur kokën e do heshtte, pasi teksa ajo planikfikon pushime në Dubai, një nëne po i plas zemra nga marazi. Show të tillë me vdekjen e viktima mund të jenë gjithçka veç gazetari jo. Dhe këtu nuk e kanë fare fajin këta personazhe, por mënyra sesi i shesim ne: “just show and sex!