Rrëfimi i Klodian Kojashit për poezinë: “Duhet të gjejmë kurajon të tregojmë ato ditët krejt normale, pa asgja të veçantë”

“Them se njeriu shkruan për këtë arsye, për me hapë një dritare nga ku me pa e me lanë me u pa diçka”

…Si disa gra në fotot e Marubit, të fundosuna nga zbukurimet e traditës e përkrah një burrë trim që ia garanton të gjitha, a thua se jeta e mirëqënia e gruas është një koncesion i burrit”


Nga Jonida Hitoveizi

Bisedës virtuale me poetin Klodian Kojashi nuk do dëshiroja t’i bëja atë hyrjen e zakonshme që bëjmë ne gazetarët në kësi rastesh. Kjo ndoshta, se edhe pse një bisedë virtuale, gjithçka rrodhi natyrshëm, fjalët ishin të rrjedhshme, të afërta, të vërteta, të pa sforcuara ashtu siç edhe poezia gjen poetin për t’i folur botës.

Kojashi vjen në këtë intervistë të posaçme për Pasqyre.al me të njëjtin zë që gjen në vargjet e tij, si një nevojë “për me hapë një dritare nga ku me pa, e me lanë me u pa diçka”.


Klodi, besoj jeni koshient që poezia juaj është bërë shumë popullore sidomos nga rrjetet sociale. Si e shihni këtë gjë?

Në  Facebook shumë gjëra mund të terheqin vëmendjen, kjo s’do të thotë se ia vlejnë. Po gjithashtu, nuk do të thotë aspak se nëse diçka pëlqehet në FB atëherë është diçka e pavlerë dhe e rëndomtë. Në rrjetet sociale, në youtube për shembull pëlqehet shumë edhe Cohen edhe kënga “Të ka lali xhan”. Pra, sasia e atyne që të lexojnë nuk të ban as poet ma të mirë e as ma të keq, përpjekja me veten krijon ndryshimin e është ajo që më intereson ma shumë. Rrjetet sociale ndihmojnë në shitjen e një libri, sidomos kur nuk të njeh askush. E mira tjetër që kanë rrjetet socialë është se krijojnë politeisëm kulturor, sidomos në një vend si i yni ku shkrimtarët ishin shtetëror e çdo frymë e shprehje ishte vetëm shtetërore, pra e garantuar dhe e lejueshme.


Pse vendose t’i postoje gati gjithë peozite Facebook, nuk kishe frikë nga vjedhja, plagjiatura?

Në fillim kisha frikë nga kopjimet, por pastaj mendova se fundja ai që shkruan poezi kopjon veten. Në momentin që shkruan dyfishohet, është vetja është edhe një tjetër që shkruan, bashkëjetojne, herë në paqe e herë me grindje, por s’janë një diçka e vetme. E ai që shkruan i kopjon vetes ndjesitë, mendimet, dëshirën.


E mban mend kur ke nisur të shkruash për herë të parë?

Këtë s’e mbaj mend. Them se të shkruash është të mendosh, të ëndërrosh, të dëshirosh e kur këto dëshiron t’i ndash me dikë tjetër, atëherë fillon e shkruan, se nuk ka një mënyrë që t’i bësh pjesë të asaj botes tënde. Them se njeriu shkruan për këtë arsye, për me hapë një dritare nga ku me pa e me lanë me u pa diçka.


Sa nga shpirti yt prej shkodrani ka nëpër gjithë ato “bulëza” dashurie
?

Është përgjegjësi e madhe me thanë se përfaqësoj Shkodrën në atë që shkruaj, sepse Shkodra është krejt një histori e madhe, e gjatë, e vështirë dhe e bukur e që s’asht ndalë asnjëherë. E sigurisht që nuk ka faj Shkodra në cilësine e asaj që shkruaj, e shumta, nëse nëpër poezite e mia ka diku një horizont që len me shpresu për diçka të bukur, aty patjetër që ka ndikim e vet Shkodra. Prapë them se Shkodra për mu nuk është veç një qytet, është një mënyre per me ken në jetë.


Shumë njohin poezinë, por nuk dinë gati asgjë për ty. Si është një ditë e jotja, jeton në Shqipëri?

Kam 6 vite që nuk jetoj në Shqipëri. Një dite e imja them se është krejt normale, fillon me kopshtin e djalit e pastaj me kafen e mëngjesit, e direkt e në punë. Kam një punë që më mban gjithë kohës në marrëdhëënie me njerëzit, me histori, probleme e suksese të ndryshme, ndaj përpiqem të jem një dëgjues i mirë, një shoqërues i mirë i problemeve të të tjerëve, por jo zgjidhës i tyre, përpiqem që të mos zëvëndësoj njerëzit në përvojën e jetës së tyre, është gjithmonë e vlefshme që të jenë protagonistë të asaj çka jetojne, në të mirë e në të keq. Atëherë mundohem që të jem një shoqërues i mirë përmes dëgjimit, adresimit të problemeve, zbardhjes së aftësive të brendshme të secilit, thurjes së aftësive me dëshirën, me idenë që kanë për jetën. Pas punës, familja me shëtitjet, pazaret, taksat, lojrat e gjithcka tjetër që ndodh në çdo familje.


Ku e gjen poezinë shpirti yt, Klodi?

Kush e tha se poezia del nga shpirti? Mendoj se ky është një mit. Ështe i bukur patjetër e le ta lemë kështu. Por kur shkruan, nuk e ndan veten në shpirt e në trup. Madje mund të mos ekzistojë aspak një shpirt. Edhe trupi sjell ndjesi, e shpesh të duket se është ma shpirt se shpirti. Nuk e di nga vjen poezia, por as nuk jam kurioz, shkruaj se më pëlqen e kjo më mjafton.


Me aq sa poezi sa kam lexuar nga ty, ndjej dashuri të madhe nëpër vargje, duket sikur ka pak dhimbje e se gjithçka është e shkruar e vjen prej yjesh…

Ka dhe shume ironi poezia ime. Luaj e ironizoj edhe veten, veset tona, mendimet, dhimbjet sidomos. Më duket se kjo mënyre më ndihmon që të mos u shmnagem ketyre ndjesive, por edhe të mos më pushtojnë sa të jenë shprehja e vetme e imja. Atëherë poezia ndërhyn, sfidon, provokon, tallet, luan e qesh, e gjithe kjo sikur na rigjeneron, qoftë edhe vuajtese ajo çka jetojmë. Dua të them se poezitë e mia nuk tentojnë më të bukurën e më të mirën, ato karakterizohen shpesh nga një princip banaliteti që unë e pëlqej, një princip gati antipoetik. E kam fjalën që, nuk është saktësia që kërkoj e dëshiroj në një poezi, por aftësia me iu shmang asaj saktësie me njëfarë stili dhe ekuilibri, këtë do doja të kisha si tipar e kjo është ajo që mundohem ta arrij në poezi.


Sa vend zë femra në frymëzimin tënd?

Mendoj se edhe letërsia jonë ashtu si vetë shoqëria jonë e ka shfrytëzu vajzën e gruan, e ka përdor atë, e ka pasë objekt ma shumë se subjekt. Jam mundu që me reflektu mbi pozicionin e gruas në shoqëri para se me e përdor ndër poezi. Ne i kena përdor vajzat e gratë shpesh si objekte dekorative të jetes tonë artistike, në vend që përmes letërsisë apo artit në përgjithësi me shfaq pavarësinë e tyne. Akoma përdorim ma shume termin femra, ndërsa nga ana tjetër përdorim djem e burra, duke u mjaftu vetëm me një përcaktim biologjik, që në thelb ka vetëm fizionominë e organeve seksuale e që nuk shpreh asgja ma shumë. Kohët e fundit jam përpjek me përdor ma tepër termat vajzë e grua. Mund të duken detaje të vogla e parëndësi, por mendoj se vlejne. Them se akoma sot nuk është pozita e gruas në shoqëri. Lexoj shprehje negative ndaj grave, por më ndodh të lexoj edhe ato që konsiderohen shprehje pozitive të tipit: një burrë duhet ta mbajë gruan në pëllëmbë të dorës. Mendoj se dhe një shprehje e tillë është e gabuar, ne e kemi diskriminuar gruan edhe përmes zbukurimeve, e kemi konsideru princeshe, mbretëreshe etj, duke fshi kështu sfondin e botës, duke e izoluar në një bukuri plastike e duke venë veten tonë si garantues të këtij froni. Pra, shprehje të tilla ma shumë se vlerësim për gruan tregojnë zotësinë tonë, pak a shumë si disa gra në fotot e Marubit, të fundosuna nga zbukurimet e traditës e përkrah një burrë trim që ia garanton të gjitha, a thua se jeta e mirëqënia e gruas është një koncesion i burrit. U zgjata, por kjo është një temë delikate, duhet të reflektojmë shumë.


A është poezia e mirë, krijesë e një dhimbje të madhe? Si e sheh këtë pjesë?

Thuhet se në dhimbje shpirti e trupi tkurren, tërhiqen, mblidhen diku në thellësi të vetes e prej aty mund të nxjerrin gjëra që në kushte tjera s’do dilnin, prandaj dhimbja kthehet shpesh në poezi. Megjithatë, preferoj poezitë kur flasin për ato ditët që s’janë as me dhimbje as me gëzim, ato ditët krejt normale, pa asgja të veçantë me tregu e që janë shumica ndoshta e ditëve tona. Duhet të gjejmë kurajon t’i tregojmë këto ditë, ka shumë prej vetes tonë në këto ditë.


Si e sheh sot poezinë shqipe. Mendon se ka shumë poet dhe pak  lexues, apo mungojnë poetët e “mëdhenj”?

Letërsia shqipe ka njohur pluralizmin letrar e kjo është një arritje e madhe. S’ka rëndësi nëse nuk janë të gjithe Neruda, shoqërisë sonë nuk i shërbejnë mijëra Neruda, por përpjekjet e mijëra vetëve për të sjellë diçka origjinale, të veçantë. Une e pëlqej letërsinë e sotme shqipe, pa heronj e legjenda, por edhe e lirë e çliruese, me ma pak mite e me nje sfidë të madhe ndaj lexuesve për të provu e për të shiju kuptime të reja. Ajo që po ndodh sot në letërsinë shqipe për mua është fati i saj, fryma që do e përcjellë drejt shekujve të rinj.


Në mos gaboj, poezitë tuaja tani janë në një libër. Ku mund ta gjejmë?

Po, libri “Ëngjej pa përvojë” është shitur i gjithi në 3-4 javë. Kam ribotu disa kopje ngaqë ma kanë kërkuar e aktualisht kopjet e fundit gjenden tek libraria ngjitur me Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe tek libraria “Ora e Shkodrës” në Shkodër. Më vjen keq që nuk kam pasë mundësine me çu disa kopje të librit në Kosove e Maqedoni, andej kanë një traditë të mirë me poezinë e janë bartës të një kulture artistike me shumë vlerë.


A ke një poezi që të ka dalë nga shpirti më shumë se të tjerat të themi?

Nuk kam një poezi të preferuar timen. Marrëdhënia që kam me poezitë ndryshon me kohën, disa i ndjej më të afërta, në disa e gjej veten akoma ndërsa në të tjera habitem që t’i kem shkruar vetë. Më çudit vetja që i ka shkruar e them kushedi ç’ka menduar në ato ditë.


Cili mendon se është fati i një poeti?

Një poet është një Zot i vogël, poezia e tij nuk ekziston nëse s’e krijon ai vetë e kjo gjë më duket shumë e bukur. Fati i një poeti është i njëjtë me fatin e shumicës së njerëzve të kohës së tij, nëse s’eshtë kështu, atëherë më shumë se poet ka qënë elit, por ky është një profil tjetër

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *