Pëllumb Kulla mesazh emocionues për Ndrenikën në 75 vjetorin e lindjes: Atë që s’ta kam thënë deri më sot!

Aktori i njohur Robert Ndrenika sot feston 75 vjetorin e lindjes.

Në këtë ditë regjisori dhe miku i tij  Pëllumb Kulla i ka dërguar një mesazh emocionues:

“Edhe ju më të rinjtë do të vinit te 75-at!

Berti i dashur, ta uroj këtë ditë të shënuar. Ti, i shtrenjti Bert, meriton që sot, veç e veç, tok e tok, shtëpi më shtëpi, studio më studio, auditor më auditor, njerëzit të trokasin gotat me mendjen tek vitet e tua gjurmëlënës në skenat dhe ekranet e shqiptarëve.

Me ty, o shoku im i klasës dhe i shkollës, o miku im i vjetër, kemi kaluar bashkë një pjesë të mirë të këtyre viteve.

Kemi biseduar dhe kemi qarë halle, jemi tallur e kemi ngacmuar njëri tjetrin, por kurrë unë nuk jam ndalur e nuk të kam thënë atë që do të të them pikërisht sot.

Atë që, ti i dashuri im, je një artist i madh, nga ata të ndriturit, nga ata që skenës dhe ekranit i vijnë rrallë, shumë rrallë. Ti je nga ajo racë aktorësh që të zbukurojnë jetën dhe që i japin pavdekshmëri teatrit, asaj loje magjepsëse ku njerëzit qeshin e qajnë për ca realitete të sajuara bukur.

Ti, Bert, je nga ata aktorë të paktë që janë mjeshtra dhe në ndërtimin e figurave komike, dhe po aq mbresëlënës me karakteret dramatikë.

Ti ke bërë aq shumë sa njerëzve kur u flitet për teatrin, mendja u shkon vetëm tek artistë si ti.

Paç jetë të gjatë mes familjarëve të tu, mes miqve të tu dhe u shtoftë edhe më tej magjia e artit tënd”, shkruan Kulla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *