Erdogan: Jam rritur në duart e një nëne shqiptare

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, pas takimit kokë më kokë dhe takimit me delegacione, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari shqiptar për pozitën e shqiptarëve në Turqi, Erdogan ka thënë se shqiptarët janë qytetarë të barabartë në Turqi.

“Qytetarët e mi shqiptarë kanë një pozitë të njëjtë si në përpjekjet për zhvillimin e atdheut, ashtu edhe të popullit”, ka thënë ai

Presidenti turk ka folur edhe për lidhjet e tij me shqiptarët.

Ai ka thënë se në lagjen ku është rritur ka pasur shumë fqinj shqiptarë dhe se është rritur bashkë me ta dhe ka veçuar një nënë shqiptare.

“Kemi pasur një motër shqiptare, Suat, rahmet pastë.

Mund të them se jam rritur pjesërisht në duart e saj.

Për këtë arsye jemi ndërthurur në këtë mënyrë dhe kemi një situatë të tillë.

Zona ku jetonim ne ishte një zonë ku kultivohej shalqiri dhe fruta të tjera. Edhe atje kishim vëllezër shqiptarë.

Deri më sot unë nuk kam parë ndonjë gjë negative te ata që i kam njohur.

Ne kemi qenë gjithmonë në harmoni, kemi jetuar bashkë dhe kemi arritur deri këtu.

Gjithashtu besoj se do të ecim përpara me të njëjtën dashuri dhe respekt”, ka thënë presidenti turk.

“Me të vërtetë, gjithë shqiptarët që ndodhen në Bajrampasha, Kyçykmeçe, në Stamboll, janë të qetë dhe vendet ku jetojnë ata janë të begatë.

Ne jemi të kënaqur dhe të lumtur me ta.

I falënderoj sepse asnjëherë nuk kanë qenë për përçarje, por kanë qenë gjithmonë për unitet dhe brenda një bashkimi”, është shprehur ndër të tjera Erdoogan.

Presidenti i Turqisë ka thënë se Shqipëria është vend kyç për stabilitetin në Ballkan.

Erdogan ka folur edhe për investimet turke në Shqipëri, duke thënë se ato kapin shumën prej mbi 3 miliardë eurosh.

Ai e ka falënderuar presidentin Nishani edhe për “përkrahjen e luftës kundër lëvizjes FETO”.

“E falënderojmë presidentin Nishani për përkrahjen e tij në luftën kundër FETO-s”, është shprehur Presidenti turk.

Ai ka thënë se Turqia do të bëjë çmos për ta mbrojtur Shqipërinë dhe ka premtuar më shumë investime në sistemin e arsimit në Shqipëri.

Presidenti shqiptar, Bujar Nishani, ka shprehur kënaqësinë që shqiptarët në Turqi janë integruar dhe japin kontribut për vendin ku jetojnë. Ai ka thënë se shqiptarët e Turqisë janë urë miqësie mes dy popujve e dy vendeve.

Brezat e rinj, si individë të respektuar të këtij vendi, në të njëjtën kohë, kanë bartur origjinën e tyre dhe kulturën kombëtare. Komuniteti shqiptar në Turqi është një urë e miqësie mes dy popujve dhe dy vendeve. Do të jenë gjithmonë një element nxitës për të bërë marrëdhëniet edhe më dinamike. Shpreh falënderimet e mia për autoritetet turke dhe kryesisht për presidentin Erdogan, pasi qytetarët me origjinë shqiptare që jetojnë në Turqi prezantojnë origjinën dhe traditat e tyre. Edhe neve na jep kënaqësi fakti që shqiptarët e ardhur në Turqi janë individë të respektuar”, transmeton Anadolu Agency

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *