“Shtegu i vërtitjes”- Ekspozitë vetjake e artistes turke Betül Burnaz në Tiranë

Ekspozita “Shtegu i vërtitjes” që vjen për herë të parë në Tiranë dhe që do të zhvillohet në galerinë e Qendrës Rinore të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, përbëhet nga 30 piktura vaji në kanavacë.

Mungesa e vetëdijshme e çdo shprehjeje figurative në pikturat e Burnaz, zgjedhja e një gjuhe kromatike të thjeshtëzuar dhe të menjëhershme, gjeometritë me një ngarkesë të fortë simbolizmash, lehtësisht të dallueshme, transformojne veprat e artistes në një udhëtim në brendësi të së pavetëdijshmes dhe njëkohesisht janë motive që shtyjnë shikuesin, ose edhe “lexuesin”, të marrë një pozicion të personalizuar përballë çdonjërës prej tyre.

Është e lehtë në këtë mënyrë të humbasësh nëpër valë e pikturave monokrom të Burnaz, thuajse zhvendosesh në një udhëtim kozmik, ku përmasa e tretë është jo më një vektor drejt hapësirës, por drejt vetvetes. Ngjyrat parësore; blu, e verdhë, e kuqe të mbivendosura sipër shtresave gri zotërojnë gjithë sfumaturat, nga e bardha tek e zeza. Gri që mbush telajon sikur të jetë materie që vjen nga e përtejmja. Gjuha gjeometrike mjaft e qartë, e përdorur nga artistja vjen thjeshtë; me artin e saj ajo shpreh adhurimin dhe besimin ndaj zotit si rrallëkush e ka bërë në pikturën bashkëkohore. Trekëndëshat barazbrinjësh apo forma të tjera gjeometrike, të përsëritura në një vërtitje dinamike të zhvendosin në kohë, në shkollën e gjeometrisë së Euklidit, duke hapur kështu mijëra dialogë në lidhje me mistikën e përdorimit të numrave.

Po kështu, rrathët që të rikujtojnë feminilitetin e artistes, pastërtinë e shprehjes e të krijimit dhe nevojën për të thyer skajet, për të hapur shtigje të vërtitjes. Akoma më tej gjejmë katrorë, që duke të ofruar një çelës leximi diametrikisht të kundërt të kthejnë me kembë në tokë duke na dhënë njëkohësisht përceptim të arsyeshëm e të pa arsyeshëm. Kaos, por shprehje e kërkimit të së përkryerës, ky është pra leximi i kuratorit Elton Koritari përballë pikturave të Burnaz. Thuajse i vënë përballë pasqyrash të thyera në miliona copëza të imta, aq të imta sa të të bëjne të ndihesh sikur po udhëton për të njohur vetveten.

Sepse, është e pamundur të mos udhëtosh nëpër pikturat e kësaj artisteje të re në moshë por me një karrierë të pasur, te cilën Instituti Junus Emre Tiranë e sjell për herë të parë në qytetin tone. “Shtegu i vërtitjes” përbëhet nga rreth 30 piktura vaji në kanavacë dhe vjen nën kujdesin kuratorial të Elton Koritarit e Ermir Hoxhës. Ekspozita do qëndrojë e hapur prej datës 22 dhjetor 2016 deri në 7 janar 2017.

Biografi e artistes Betül Burnaz lindi në 1978 në Stamboll. Përfundon studimet e saj pasuniversitare në Universitetin e Vjenës, si edhe bëhet pjesë e programit “Koncept – Kulturë” në Austri, në kategorinë Art dhe Kulturë. Prej vitit 1995 jeta e saj artistike ka vijuar nga Turqia në Vjenë me teknika të ndryshme që nga lapsi karbonit, ebru, akrilik, vaj, kaligrafi e artizanate të ndryshme. Burnaz, veprat e së cilës ndodhen në koleksione të shumta private brenda e jashtë shtetit, nga Turqia në Vjenë, është anëtare e IG Bildende Kunst.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *