Ante Markoviç: Kryeministri jugosllav që ruhej nga marinsat amerikanë dhe përpiqej të shmangte luftën

Njëzetë e pesë vjet pas dorëheqjes së tij, kryeministri i fundit jugosllav, Ante Markoviç, shihet ende si një njeri që u përpoq të mos lejonte kolapsin e vendit, edhe pse misioni i tij përfundoi në dështim.

Nga Sven Milekic

“Ishte një përpjekje e qytetëruar për të shmangur barbarizmin,” tha për BIRN ish-këshilltari i politikës së jashtme të Ante Markoviç, Jovica Vejnoviç, ndërsa kujtonte disa dekada më pas të kohës kur ish-kryeministri i fundit i Jugosllavisë ishte në detyrë.

“Ishte një përpjekje për të demokratizuar Jugosllavinë dhe një përpjekje për të prezantuar Jugosllavinë në BE- në atë kohë Komuniteti Ekonomik Europian… Fatkeqësisht, ishte tepër vonë. Ky është problemi kryesor,” tha Vejnoviç.

Markoviç dha dorëheqjen nga posti i tij si kryetar i Këshillit Federal Ekzekutiv – organi ekzekutiv i Jugosllavisë Socialiste – më 20 dhjetor 1991, me vendin tashmë të copëtuar për shkak të konflikteve të armatosura në Slloveni dhe Kroaci dhe me luftën që do të shpërthente së shpejti në Bosnje dhe Hercegovinë.

Si këshilltar i Markoviçit, Vejnoviç e shoqëroi atë në vizitat me burra shteti në të gjithë globin, në takimin me presidentin e Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush, si dhe me kancelarin gjerman Helmut Kohl.

Vejnoviç përshkroi se si Komuniteti Ekonomik Europian, EEC, ishte i interesuar ta kishte Jugosllavinë si një anëtare për një moment, duke qenë se vendi tashmë kishte një marrëdhënie speciale tregtie dhe bashkëpunimi me EEC.

Koha e shkurtër në detyrë e Markoviçit sot kujtohet si një kohë reformash ekonomike dhe konsolidimi, e ndjekur nga standarde më të larta jetese pas pas vitesh përparimi ekonomik në vend gjatë viteve 1980.

Sipas historianit Tvrtko Jakovina, Markoviç ishte sidomos i suksesshëm në ndalimin e inflacionit në rritje duke ndryshuar dinarin jugosllav në një monedhë të konvertueshme.

Inflacioni ra nga 56 për qind në dhjetor 1989 në 2.4 për qind në mars të vitit 1990, ndërsa rezervat e arit ishin pranë shumës së borxhit të jashtëm të vendit.

“Në një kuptim psikologjik, ai bëri shumë. U krijua një ndjenjë sigurie, paraja filloi të kishte një farë vlere, mund ta shkëmbeje atë me monedha të huaja, gjë që më parë nuk ishte e mundur,” tha për BIRN Jakovina.

“Ai ishte padyshim një teknokrat. Kishte reputacion kur mori detyrën. Ai punoi gjithë jetën në ekonomi. Në qeverinë e tij, kishte gjithashtu ministra që ishin gjithashtu drejtorë kompanish të mëdha,” shtoi ai.

Nga biznesi në qeveri

Markoviç, i lindur në qytetin boshnjak të Konjicit në vitin 1924, filloi duke u marrë me biznes. Për vite me radhë, ai ishte drejtor shumë i suksesshëm i firmës inxhinierike “Rade Koncar”, të cilën ai ndihmoi për ta shndërruar në një kompani me 25,000 punonjës dhe të ishte e pranishme edhe në tregjet jashtë vendit.

Midis vitit 1982 dhe 1988, ai ishte kryeministër i Republikës Socialiste të Kroacisë dhe kryetar i presidencës së Kroacisë para se të bëhej kryeministër i Jugosllavisë dhe mori pushtetin federal në vitin 1989.

Vejnoviç tha se politikanët në Perëndim mbështetën projektin ekonomik të Markoviçit në vitin 1989 dhe 1990 dhe mbështetën idenë e mbajtjes së Jugosllavisë së bashku, por donin të shikonin se çfarë lloj sistemi politik ishte parashikuar për të ardhmen në vend para se të siguronin ndihmë financiare.

“Ai doli para gazetarëve dhe tha se liderët politikë të perëndimit e mbështesin unitetin e Jugosllavisë dhe se SHBA-ja s’do ta shpërblejë kurrë separatizmin,” tha ai, duke rikujtuar vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit James Baker në Jugosllavi në vitin 1990.

Por nuk ishte e qartë se ku po shkonte Jugosllavia si shtet.

“Bota donte të dinte se çfarë lloj Jugosllavie po mbështeste ajo. Kjo është arsyeja pse bota hoqi dorë nga mbështetja e saj duke qenë se nuk e dinte kujt t’i jepte mbështetje,” tha Vejnoviç.

Ndihma e pritur ekonomike që Markoviçi besonte se mund ta mbante të bashkuar Jugosllavinë nuk mbërriti.

Markoviç vizitoi Shtetet e Bashkuara në vitin 1990 dhe takoi presidentin Bush, por udhëtimi “s’ishte aq i suksesshëm sa ishte planifikuar” përsa i përket ndihmës që Jugosllavia donte nga Shtetet e Bashkuara, u shpreh Jakovina.

Ai sugjeroi gjithashtu se Markoviç po vuante nga “një lloj moskuptim” në lidhje me situatën e tmerrshme në të cilën ishte Jugosllavia.

Markoviç vuajti më tej nga një mungesë përkrahjeje nga republika më e madhe dhe më e fortë jugosllave, Serbia, e cila donte që kryeministër të ishte një njeri i saj. “Ai nuk kishte të gjitha kompetencat që kanë zakonisht kryeministrat zakonisht,” shpjegoi Jakovina.

Partitë nacionaliste mbizotërojnë

Duke parë se Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë nuk mund ta mbante më të bashkuar vendin, Markoviç themeloi një parti politike, Unioni i Reformave të Forcave të Jugosllavisë, në janar të vitit 1990.

Por partia nuk konkurroi në zgjedhjet e para demokratike në Kroaci dhe Slloveni atë vit, dhe nuk arriti të siguronte rezultate pozitive në zgjedhjet e mëvonshme në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi.

Në këtë pikë, politika dominohej nga nacionalizmi dhe nga ata që kishin përfituar prej tij – Sllobodan Millosheviçi në Serbi dhe Franjo Tuxhman në Kroaci.

Profesori në pension i filozofisë politike Zarko Puhovski në atë kohë ishte një nga liderët e Shoqatës për një Nismë Jugosllave Demokratike, UJDI, e cila mblodhi bashkë intelektualë dhe politikanë nga i gjithë vendi dhe kërkoi transformimin paqësor në demokraci.

The UJDI bashkëpunoi me partinë e Markoviçit dhe përgjatë kësaj, mbështeti Ivan Djuriç për presidencën serbe në vitin 1990, por ai doli i treti me 5.5 për qind të votave.

Puhovski u shpreh se partia Unioni i Reformave të Forcave të Jugosllavisë e Markoviçit nuk arriti të siguronte rezultate të mira zgjedhore sepse “ishte tepër vonë”.

“Ajo parti filloi tepër vonë, kur “letrat tashmë ishin shpërndarë” në bazë nacionale, ndërsa partia e tij e kishte kuptimin e saj vetëm në bazë jugosllave,” tha ai për BIRN, duke shpjeguar se në çdo republikë jugosllave, partitë e etiketuara si “kombëtare” kishin mundësi më të mira zgjedhore sesa ato që shiheshin si “jugosllave”.

Puhovski tha se ca kohë para se të tërhiqej si kryeministër, Markoviç e refuzoi idenë e dhënies së dorëheqjes, edhe pse institucionet shtetërore pothuajse nuk po funksiononin dhe në Kroaci tashmë kishte nisur lufta.

“Ai mendonte ende se kishte ende ndonjë mundësi për ta mbajtur të bashkuar Jugosllavinë. Në atë kohë, çdo fundjavë ai vinte në Zagreb, me avion deri në Graz dhe pastaj shkonte me makinë deri në Zagreb. Në këtë kuptim, ajo që ishte e çuditshme është se ai kishte një lloj statusi gjysmë-ilegal, edhe pse zyrtarisht ishte ende kryeministër,” risjell në mendje ai.

“Madje, në atë kohë ai ruhej nga marinsa që i ishin dhënë atij nga ambasada e Shteteve të Bashkuara, sepse autoritetet jugosllave i anuluan atij pasjen e një shpure,” shtoi ai.

Në këtë kohë, qeveria federale jugosllave ishte pranë shpërbërjes, tha Puhovski.

“Në një pikë, në tetë seanca qeveritare me radhë, ministri federal i mbrojtjes Veljko Kadijeviç nuk u paraqit, duke u shprehur se ishte “i zënë”, kujton ai.

Puhovski shpjegoi se patjetër gjithçka kishte marrë fund kur të majtët e presidencës jugosllave – të kontrolluar nga Millosheviçi – prisnin që Markoviç të miratonte një buxhet federal në të cilin “rreth 88 apo 89 për qind shkonte në Ushtrinë Popullore Jugosllave (JNA)”.

“Pastaj një grup prej nesh (aktivistë dhe intelektualë) arritën ta bindnin Markoviçin se ai mund të merrte pjesë në diçka që mund të cilësohej si krim lufte, sepse, në fakt, ai do të miratonte një buxhet që do t’i jepte para Ushtrisë Popullore Jugosllave, para për të vazhduar luftën. Pastaj ai e kuptoi këtë dhe dha dorëheqjen,” tha ai.

Përpjekje e dështuar në transformim

Jakovina tha se Markoviç nuk arriti të mendonte një mënyrë për ta transformuar Jugosllavinë, edhe pse kjo nuk ishte vetëm detyra e tij, duke qenë se politikanë nga republikat individuale kishin më shumë ndikim.

“Në pjesë të caktuara të veprimtarisë së tij politike, ai mund të ketë qenë më i guximshëm dhe më i shpejtë për të reaguar, por nga ana tjetër, ajo ishte një kohë shumë e shpejtë,” tha ai.

Ai u shpreh gjithashtu se Markoviç e krijoi shumë vonë partinë e tij, me partitë nacionaliste që tashmë ishin bërë të fuqishme dhe nuk qe i pranishëm në zgjedhjet e para në Kroaci dhe Slloveni. Ashtu si e gjithë elita politike e Jugosllavisë, ai ishte tepër vonë për të transformuar Jugosllavinë në të njëjtën mënyrë siç arritën të bënin ish-shtetet e tjera komuniste në Europën Lindore.

Puhovski u shpreh se modeli i Markoviçit mund të kishte funksionuar vetëm nëse institucionet shtetërore dhe presidenca do të funksiononin ende – “ndërsa në të vërtetë, vetëm Ushtria Popullore Jugosllave funksiononte ende”.

Markoviç gabonte që besonte se “duke ndryshuar ekonominë, ai mund të ndryshonte politikën,” shtoi ai.

Pas dorëheqjes së tij, Markoviç e la politikën, por nuk u mirëprit në Zagreb për shkak të dëshirës së tij për ta mbajtur Jugosllavinë të paprekur. Ai fillimisht u transferua në Vjenë, ku vazhdoi punën e tij private si këshilltar për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Maqedoninë.

Në vitin 2003, ai dëshmoi kundër Millosheviçit në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë.

Markoviç vdiq në Zagreb në vitin 2011 pas një sëmundje të shkurtër.

BIRN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *