Nga Islam Balaj
Johann Gottlieb Friedrich Fichte, filozof, mendimtar revolucionar, profesor filozofie dhe Rektor i parë i Universitetit të Berlinit (Humboldt Universitāt zu Berlin). Këtë rast, do theksuar se Universiteti i Berlinit ishte vatër e personaliteteve të shquara, si: Gottlieb Fichte, Friedrich Schleiermacher, G.W. Hegel, Arttur Schopenhauer, F. Schelling, W. Benjamin, Albert Einstein, Max Plank, Karl Marks, F. Engels, Heinrich Heine, Bismarck, panafrikani – afroamerikani W. E. D. Du Bois etj. Pra, me një fjalë, Universiteti i Berlinit, qe vatër e rëndësishme arsimore, e cila nxori nga gjiri i vet, jo më pak se 29 Lauratë të Çmimit Nobel. Fichte qe nxënës dhe vazhdues i denjë i pikëpamjeve filozofike të Kant-it, gjë që e pohon edhe vetë ai. Kështu në një vend ai thotë: ”Që kur e kam lexuar veprën e Kant-it: “Kritika e mendjes praktike” (“Kritik der praktischen vernunft”), unë jetoj në një botë krejt të re”.
Sipas mendimeve të interpretuesve të filozofisë së tij, filozofia kritike e Kant-it, e ndihmoi atë që të çlirohej nga determinizmi dhe fatalizmi i Baruch Spinozës, dhe bëri që ai të fillojë : ” të besojë me gjithë shpirt, në lirinë njerëzore”. Vendimin e vet moral, sipas tij, njeriu e merr në mënyrë të lirë e të pavarur, e jo t’i imponohet nga jashtë. Me fjalë të tjera, pikëpamjet e veta filozofike – spekulative, Fichte i ndërtoi, nisur nga raporti kritik që pati ndaj gjithë asaj që solli filozofia deri atëherë, përgjithësisht, në veçanti, filozofia klasike, e konkretisht, vetë Kant-i.
Sipas pikëpamjeve filozofike të Fichte-s, shkencat moderne dhe hulumtimet shkencore, “duhet të zhvillohen në atë drejtim që t’u shërbejnë qëllimeve humane njerëzore”. Ndërsa detyrë themelore e çdo shkencëtari, siç shkruan ai në veprën: “Mësim mbi shkencën” (Wissenschaftslehre), është që në radhë të parë, të “përhapë humanizmin në kuptimin e plotë të fjalës”. Mirëpo, për t’i realizuar këto kërkesa kaq madhore (të madhërishme, siç thotë ai), detyrë parësore e shkencës moderne dhe e përfaqësuesve të saj, është përcaktimi i njëmendë i shkencëtarit. Andaj ai, në ciklin e parë të leksioneve, mbi: Përcaktimin e shkencëtarit), (1794), aktin e të vepruarit e ngrit në parimin më të lartë të akzistencës dhe të fatit njerëzor.
Këto leksione më vonë, do t’i shërbenin atij, si bazë për shqyrtimet e tij mbi Filozofinë e masonëve të lozhës berlineze. “Natyra heroike e Fichte-s, detyrat dhe problemet historike të kohës, sipas mendimit të Wilhelm Dilthey-t, bashkohen në një vlerësim të ri të veprimeve dhe njeriut veprues” – unë veproj (ich wirke). Subjekti i vetëdijes dhe parimi i të vepruarit, këtu janë NJË. Ose thënë ndryshe, përputhen plotësisht në mes veti: unë di për veten time përmes asaj që unë jam – unë jam duke qenë se unë di për veten time. “Unë kam një ndjesi (vetëdije) të plotë për veten time; të veproj jashtë vetes time. Sa më shumë që veproj, për aq ndjehem më i lumtur”, i shkruan Fichte bashkëshortes së tij. Me ardhjen e tij në Universitetin e Jenës, në cilësinë e profesoit të filozofisë, Fichte shumë shpejt arriti një popullaritet të jashtëzakonshëm tek studentët, për çka flet dhe nxënësi (studenti) i tij, poeti lirik i njohur, Friedrich Hölderlin, i cili Fichte-n e quan “shpirti i Jenës”.
Pra, në këtë perudhë të veprimtarisë filozofike, rëndësi të veçantë (prioritet) Fichte i ka dhënë arsimit, duke e konsideruar atë si mënyrën më efikase për formimin e personalitetit njerëzor. Fichte siç dihet, qëllim të vetëm e kishte formimin e njeriut. Ç’është e vërteta, filozofia dhe shkencat, atë kohë, vepronin (kontribonin) suksesshëm në arsimimin e popullit gjerman. Sepse të dyja bashkë, si të tilla, të vetmin qëllim të tyre e kishin arsimimin. S’do mend, arsimimi, sipas bashkëkohësit të Fichte-s, Friedrich Schlegel, atë kohë ishte çështje e filozofisë absolute dhe se studimi i shkencës dhe artit, s’kishte qëllim tjetër, pëveç arsimimit.
Fichte, nën ndikimin e pedagogut të njohur zviceran, Johann Pestalozzi (Pestaloci), paraqiti pikëpamjet (qëndrimet) e tij, se vetëm përmes reformës në edukim dhe arsim, jo vetëm popujt, por i gjithë njerëzimi, do të mund t’i shpëtonte mjerimit dhe dallimit klasor. Sepse sipas tij, karakteri klasor i shoqërisë paraqet pengesë në krijimin e kushteve për të sendërtuar një arsimim të mirëfilltë universal (kosmopolit). Fichte në fakt, duke rendur pas konceptit universal të një arsimimi kosmopolit, u përpoq të bënte bashkimin e këtyre dy formave të edukimit, në mënyrë që edukimi klasor të ngritet në nivelin më të lart të mundshëm. Me teorinë e tij të edukimit universal, ai kishte për qëllim ta riafirmojë kërkesën e tij sa të drejtë, po aq të nevojshme, për një zhvillim sa më të lartë të humanizmit. Këto pikëpamje, siç dihet, përputheshin plotësisht me kërkesat e kohës (epokës) moderne, sipas të cilave, njohuritë teorike, për nga vetë natyra, kanë karakter praktik, dhe si të tilla ato paraqesin kushtin kryesor të emancipimit njerëzor. Sepse, sipas tij, vetëm dituritë do ta ndihmonin individin që mendimin e tij personal ai ta shpiente në nivelin më të lart universal, natyrisht, duke anashkaluar karakterin partikular, gjegjësisht, duke e ngritur atë mbi dogmat e ndryshme religjioze (fetare). Që do të thotë se pjekurinë e personalitetit njerëzor, ai e identifikon me konceptin e edukimit universal. Në të kundërtën, specializimi i ngushtë dhe i njëanshëm në arsimimin (aftësimin) profesional të njeriut modern, paraqet shkakun kryesor të papjekurisë njerëzore.
E që sipas teorisë së tij të edukimit, me pjekuri ai nënkupton arritjen e lirisë dhe humanizmit njerëzor, në kuptimin plotë të fjalës. Ai besonte se vetëm ai që posedon gjykim të thellë dhe të paanshëm (gjithanshëm) të dijeve në përgjithësi, mund të veprojë drejtë. Në harmoni të plotë me parimet themelore të traditës humaniste të renesansës, ai tregon se qëllimi më i lartë i ekzistencës njerëzore, nuk është i dhënë, atë njeriu duhet ta kërkojë në botën ku ekziston.
Fichte, në frymën e filozofisë idealiste dhe aktive, kuptimin e jetës njerëzore e sheh në sendërtimin e qëllimeve më të larta të jetës që e jetojmë. Një rëndësi të veçantë në këtë kontekst, kanë edhe pikëpamjet kosmopolite, të cilat Fichte i përkufizon (definon) në bazë të doktrinës së tij pedagogjike, sipas të cilës njerëzimi, si shtet i vetëm i së drejtës, marrëdhëniet mes njerëzve i rregullon sipas ligjit të mendjes. Sepse, vetë shoqëria njerëzore është një bashkësi (agregacion) i njerëzve të mendjes. Me fjalë të tjera, dashuria që ushqejmë ndaj Atdheut (patriotizmi) duhet të jetë vepër e individit, kurse mendimi I tij- universal – kosmopolit. Fichte siç dihet, i përkiste rrethit të kolosëve të mëdhenj gjermanë të fundit të shek.18-të dhe fillimit të shek. 19-të, të cilët, sipas Franz Mehring-ut, “me forcën e shpirtit e transformuan tërë një komb.
Për ambicjet e tij reformuese, flasin dhe leksionet të cilat Fichte i mbajti në vitin 1800, (pas përjashtimit nga Universiteti i Jenës, në vitin 1799), me titullin e dyzuar: “Filozofia e masonëve… “ e të cilat në mënyrë anonime u botuan në vitin 1802, në revisten: Eleuzinie. Ndërsa për herë të parë (në kompletin e veprave të tij), ato u botohen në vitin 1971 nga Akademia e shkencave të Bavarisë. Fichte duke i mbetur besnik pikëpamjeve të tij filozofike, përkatësisht, fuqisë (macht…praktischen philosophie) praktike të filozofisë, u drejtohet gjithë atyre që janë të gatshëm të marrin përsipër detyrën e tyre, sa të rëndë, po aq dhe të përgjegjshme, për të qenë sa më të devotshëm. Fichte, në leksionet e tij, ashtu si Lesing-u në “Bisedat”, vëmendje të veçantë i ka kushtuar dhe problemit të tolerancës fetare. Mirëpo sipas tij, shkaktari kryesor i konflikteve në mes të feve (religjioneve), qëndron në tendencën që doktrinën e vet teologjike ato ua imponojnë të tjerëve, si të vetmen doktrinë të drejtë.