Ambasada e Republikës së Austrisë në Tiranë sqaron se 36 artistë të shquar, pjestarë të Filarmonisë së Vjenës dhe ish pjestarë të saj, do të jenë në Koncertin e Vjenës në Tiranë, më 2 Janar.
Ambasada thotë se “në datën 2 Janar do të performojnë në Tiranë 36 artistë të renomuar nga Vjena. Ky grup përbëhet nga anëtarë të „Ansamblit Filarmonik të Vjenës“, anëtarë dhe ish- anëtarë të Filarmonisë së Vjenës, si dhe nga muzikantë të tjerë austriakë.
“Ansambli Filarmonik i Vjenës” është themeluar në vitin 2013 me iniciativë të Shkëlzen Dolit, anëtar i Filarmonisë së Vjenës.
Koncerti i organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me AGE Art Production ka gjetur mbështetjen e disa kompanive austriake dhe shqiptare, si dhe të Ambasadës Austriake në Tiranë.
Një pjesë e madhe e biletave iu shit qytetarëve të interesuar në sportelin e pallatit të kongreseve si dhe online. Një pjesë tjetër iu shpërnda sponsorave. Gjithashtu ndër të tjerash një pjesë e biletave iu dedikua grupeve me aftësi të kufizuara dhe studentëve të ekselencës.
Duke qenë se interesi ishte shumë i madh, vetëm një pjesë e vogël prej tyre arriti të mbetej e kënaqur me sigurimin e një bilete. Për këtë lutemi për mirëkuptimin Tuaj.
Dëshirojmë të theksojmë, se një pjesë e të ardhurave të mbledhura nga shitja e biletave do të shkojë për bamirësi, konkretisht për Fshatin SOS në Shqipëri.
Gjithashtu koncerti do të transmetohet live në Radio Televizionin Shqiptar.”