Një zemër kaq e bardhë

Javier Marías
…Tek e pa se po e shihja në pasqyrë, i mbylli sytë menjëherë dhe gishti i saj pushoi së lëvizuri, a thua se donte që unë të vazhdoja të pandehja se po flinte, a thua se nuk donte të jepte shkas që të flisnim tani apo më vonë për diçka që edhe ajo – tani po e kuptoja- paskësh dëgjuar të thoshin bashkatdhetari Gijermo dhe mulatja e bardhë Miriam. Mendova se atë sëkëlldi që ndieja duhet ta ndiente edhe më shumë, të dyfishuar (një grua kandidate për t’u bërë bashkëshorte, një bashkëshorte kandidate për të vdekur), aq sa parapëlqente që çdonjëri të dëgjonte për hesap të vet, veçmas, jo së bashku, dhe që çdonjëri t’i mbante për vete, të pashprehura, mendimet ose ndjenjat që na ngjallte biseda aty pranë dhe situata që krijohej prej saj, dhe të mos i dinte mendimet ose ndjenjat e tjetrit, ndoshta të njëjta.

Kjo më bëri të dyshoja menjëherë se ndoshta, në të kundërtën e asaj që dukej (e kisha parë aq të lumtur gjatë ceremonisë, ma kishte shfaqur të plotë ngazëllimin e saj, po kënaqej aq shumë nga udhëtimi, ishte inatosur aq shumë ngaqë nuk po shfrytëzonte dot një pasdite turizmi dhe shëtitje në Havanë ngaqë ishte pa qejf), dhe ajo ndihej e rrezikuar dhe e shqetësuar se do të humbiste të ardhmen, apo se do të arrinte në këtë pikë.

Mes nesh nuk kishte fyerje dhe prandaj ato që thoshim, ato që do të thoshim, dhe për çka do të haheshim me fjalë ose mund të qortoheshim (ato që do të na trishtonin), nuk do të treteshin vetiu apo mbas një grime heshtjeje, por do të kishin peshën e tyre, do të ndikonin në sa do të vinte më pas, në sa do të na ndodhte (dhe duhej të na ndodhte përgjatë një gjysmë shekulli së bashku); dhe, ashtu sikur unë s’kisha dashur të formuloja sa po formuloj tani (parandjenjat e mia qysh nga dasma e më vonë), shihja se Luisa i mbyllte sytë që unë të mos ndaja me të përshtypjet e mia në lidhje me Gijermon dhe Miriamin dhe gruan e sëmurë spanjolle, dhe që as ajo të mos i ndante me mua të sajat. Nuk ishte mungesë besimi apo afërie dhe as dëshirë fshehjeje. Ishte thjesht rrënjosje e bindjes apo besëtytnisë se ajo që nuk thuhet, nuk është. Dhe në të vërtetë, vetëm atë që nuk thuhet dhe nuk shpreh gjë, nuk e përkthejmë asnjëherë...(Fragment, përktheu: Bashkim Shehu/ Nga faqja Mbi Libra nga Agim Baçi, Beti Njuma dhe Blendi Salaj)/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *