Filozofi kontrovers 67-vjeçar, vjen në një rrëfim për veten si baba i keq, agresiv dhe tregon se si të shkruarit i shpëtoi jetën. Artikulli është botuar në “The Guardian” dhe po botojmë më poshtë pjesën kryesore tw tij.
Slavoj Zhizhek
Në thelb, ne jemi të ligë, egoistë, të pështirë. Përshembull, tortura. Unë jam realist. Po të kisha një vajzë dhe të ma rrëmbente dikush, nëse një ditë do të gjeja një mik të rrëmbyesit, nuk mund të them se nuk do të torturoja atë djalë.
Jam bërë më agresiv me kalimin e kohës. Disa thonë se jam i krahut të djathtë, çka absolutisht nuk jam. Gjatë krizës së refugjatëve, ne nuk duhet t’i mbrojmë duke thënë “ata janë njerëz të mirë”. Jo, mes tyre ka vrasës, siç ka edhe mes nesh. E majta liberale të ndalon të shkruash çdo gjë të keqe për refugjatët. Unë nuk jam baba i mirë. Më duket diçka qesharake të mbroj dinjitetin tim, e kam refuzuar. Im bir, adoleshent, identifikohet me këtë duke më minuar autoritetin.
Kur ishte 14 vjeç, më acaroi dhe përdora një shprehje vulgare në sllovenisht: “Të q… qeni nënën”. Ai u përgjigj: “Epo, kjo tashmë ka ndodhur 15 vjet më parë. Prandaj linda unë”.
Miqtë e mi më quajnë Fidel. Jo për shkak të politikës, por sepse flas shumë. Kam vizituar një herë Kubën dhe në televizor del Fidel Castro që teksa hynte në një takim, thoshte: “Shokë, pesë minuta për të bërë disa vërejtje”. U shtriva për të fjetur, e kur zgjova pas pesë orësh, ai ishte ende duke folur.
E urrej arrogancën politikisht korrekt. Me miqtë me ngjyrë, kundrejt djemve të bardhë politikisht korrekt, kam krijuar kontakte të vërteta. Si? Përmes historive të pista, shakave të pista. Kur vizitoni një vend shihni në kompjuter gjëra në lidhje me ushqimin apo muzikën, por si mund të bëheni vërtetë miqësorë? Shkëmbeni gjëra të turpshme. Nuk jam në gjendje për takime “njënatëshe”. Në qytetin tim, në Ljubljanë, dihen lehtë gratë me të cilat kam fjetur, sepse jam martuar me to. Prindërit e mi nuk ishin të rreptë, por ishin kontrollues. Nuk më pëlqenin. Të dy vdiqën në spital gjatë natës dhe kur e mësova në telefon mëngjesin tjetër, isha para kompjuterit të punës sime.
Thashë: “A po tregohet kujdes në gjithçka? OK, faleminderit” dhe vazhdova punën. U ndjeva krejtësisht i ftohtë(ndaj tyre) – diçka nuk shkoi si duhet me mua. Nuk është se po e festoj këtë gjë. Hollywoodi di çdo gjë. Është i fiksuar me distopitë si te “The Hunger Games”. Në fakt, mendoj se ka diçka aty, se ajo mund të jetë një prej të ardhmeve tona të mundshme. Të rinjtë sot duhet të përgatiten për një katastrofë e madhe, por të angazhohen e të mendohen mirë dhe të mos bien në moralizëm. Të shkruarit më shpëtoi jetën. Vite më parë, për shkak të problemeve të dashurisë, kam qenë në një gjendje shpirtërore vetëvrasjeje për disa javë. I thashë vetes: “Unë mund ta vras veten, por më duhet të përfundoj një tekst. Së pari do të përfundoj tekstin, e më pas do të vras veten”. Më pas, ishte një tekst tjetër, një tjetër e kështu me radhë. Dhe ja ku jam sërish.(The Guardian-Pasqyre.al)