Ngushëllimeve për ndarjen nga jeta të gazetarit Andrea Stefani i është bashkuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Në një status në rrjetin social Facebook, Berisha veçon analizat politike të Stefanit, duke e cilësuar atë si një “avokat të vendosur të së majtës”.
Më tej, deputeti demokrat thotë se Andrea Stefani ishte kundështar i palëkundur i vetë Berishës dhe i së djathtës në tërësi, por pavarësisht kësaj, për ish-kryeministrin, Stefani lë një boshllëk të vërtetë në arenën e debatit dhe publicistikës shqiptare.
“Me këtë rast i shpreh familjes së të ndjerit dhe miqve te tij ngushëllimet e mia më të sinqerta”, shkruan Berisha për analistin e njohur i cili u nda nga jeta gjatë ditës së sotme pasi humbi luftën përballë një sëmundje të pashërueshme.