PËR TY, AKADEMI!
Nga Ag Apolloni
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më kishte dërguar ftesë. Kur e pashë kush më ka ftuar, mendova t’ia ther vrapit nga frika se mos më bëjnë akademik. Kur e hapa u qetësova, sepse aty shkruante “Tryezë shkencore”, por u shqetësova prapë kur lexova më poshtë “Esad Mekuli në 100 vjetorin e lindjes”, pasi kisha menduar se Esad Mekuli ka vdekur. Por, u qetësova kur mendova se akademiku që e ka formuluar, do të ketë menduar kështu: “100 vjetori i lindjes së Esad Mekulit”. Pra, në këtë tryezë nuk do të fliste Esad Mekuli, por do të flisnin të tjerët për të. U çudita kur pashë këta emra: Bashkim Kuçuku, Shaban Sinani, Ymer Çiraku, Kristaq Jorgo, të cilët nuk i shoh si më kompetentët për të folur për Mekulin. Po ashtu, nuk di se çfarë mund të thonë për këtë shkrimtar Mehmet Kraja, Nysret Krasniqi dhe Nehas Sopaj. Ndërsa, e merrja me mend se ministri i tashëm i kulturës dhe akademiku i pakmëvonshëm kosovar (pasi tashmë i është imponuar ASHAK-ut si kandidat), do të ishte i pranishëm.
Sa më kujtohet mua, njohësit më të mirë të Mekulit janë ata që s’janë ftuar: Rexhep Qosja dhe Agim Vinca. Paramendoni, nuk thirren dy studiues dhe kritikë, por thirret Mehmet Kraja që kurrë në jetën e tij s’ka bërë as studim, as kritikë.
Pastaj janë po këta njerëz që nuk u kujtuan ta ruajnë vazhdimësinë e traditës, duke e mbyllur revistën “Jeta e Re”, më 2006. Edhe pse nuk hynte tek ëndrrat e mia, isha unë që, pas insistimit të Demë Topallit, e riaktivizova revistën e Esad Mekulit në vitin 2010 dhe e kam udhëhequr si kryeredaktor për tre vjet, duke u munduar t’ia ruaj karakterin paraqitës dhe promovues kësaj reviste, në të cilën i kanë bërë hapat e parë të gjithë shkrimtarët e Kosovës. Revista tashmë vazhdon traditën, falë shokëve të mi që aktualisht e udhëheqin, e që për çudi as ata s’qenkan ftuar për të mbajtur kumtesë. Pra, asnjë nga kryeredaktorët e revistës, që konsiderohet kontributi kryesor i Mekulit, nuk qenka ftuar: as Qosja, as Bashota, as unë, as Agron Gashi. Çudi!
Sot, Akademia më fton të marr pjesë, jo si kumtues, por si dëgjues, në një tryezë për Mekulin. E dashura Akademi, pse të kruhet shpina?!
Kjo tryezë nuk mund të shihet si një “honor” për Esad Mekulin, por si një grabitje honoraresh prej atyre që kujtohen për këtë shkrimtar vetëm kur mund të përfitojnë prej tij. Turp!