FOTO/ Lukova, “Kopshti i Edenit”

Fshati Lukovë ndodhet në Bashkinë e Himarës, në mes të tarracave me agrume në një peizazh plot kontraste mes kaltërsisë së detit Jon dhe gjelbërimit të kodrave përreth.

Udhëtari francez Pukëvil në fillim të shek. XIX e krahason këtë fshat me “Kopshtin e Edenit”. Bërthama e këtij fshati shquhet për integritetin e lartë të ruajtjes së arkitekturës tradicionale të ndërtimit, me banesa dy deri tre katëshe, si dhe portat e tyre me qemer dhe qoshet e gdhendura me simbole tradicoinale të bestytnisë popullore të zonës. Mes banesave gjarpërojnë kalldrëmet e ngurta. Emri i këtij fshati shfaqet për herë të parë në defterët Osman të viteve 1431 me 13 familje dhe në vitin 1520 me 49 familje. Një mbishkrim i punuar në reliev i vitit 1813, rreth këmbanës së Manastirit të Shën Mërisë së Krorëzit, bën fjalë për disa stratiot (ushtarë) nga fshati Lukovë që shërbenin në mbretërinë e dy Sicilive. Afër këtij fshati ndodhet kisha monument kulture e Shën Premtes, që daton në shek. XVII. Lukova është gjithashu një vendbanim i pasur me arkeologji, ku pranë saj mund të vizitohen muret antike të Hundëcovës, varret antike të Jelimëve dhe fortifikimi prehistorik i Gjashnjarit. Fotot janë realizuar nga K. Çipa.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *