“Motra Tone” e zhveshur në Call Center

“BUONGIORNO, VI PARLA L’ALBANIA”- kjo është vepra e Çetës.- Motra Tone e Kolë Idromenos ka marrë tjetër pamje prej asaj që ne njohim: mbi shami mban një palë kufje, dora e majtë që pothuaj prekte buzët tanimë mban mikrofonin, ndërsa kraharori ku në pikturën e Idromenos dukej kryqi, tanimë është i zbuluar, duke lënë të duket në mënyrë krejt të ‘paturpshme’, gjoksin.
Çeta (Kolektiv street artistësh shqiptarë) shënon se shumëkush është familjar me imazhin e motrës Tone, por me gjasë as Tonia e as Idromeno vetë para 130 viteve e kusur, nuk do e kishin menduar rëndësine e këtij portreti për artin pamor shqiptar. Portreti i Tones shënon dhe fillesat e një faze të re të artit pamor laik, atë të realizmit. Në mëyrë të ngjashme sot, biznesi i call-center po shënon një fazë të re në ekonominë shqiptare në sektorin privat me farkëtimin e një subjekti të ri për t’u shfrytëzuar, studenti punëtor. Sot, me rreth 300 kompani dhe 25,000 të punësuar, ky biznes është shndërruar ndër gjeneruesit më të mëdhenj të vendeve të punës në Shqipëri, kryesisht për të rinj nga 18-35 vjeç.
Bashkëmoshatarët e motres Tone sot përballen me të vërtetën e hidhur se dijet e fituara me mund dhe diploma universitare, do të jenë fare të penevojshme me klientët matanë detit teksa përpiqen t’u shesin në biseda të stërgjatura në italishten e Pippo Baudos apo Cristina D’Avenës, ushqim për kafshë të ndryshme, sapunë organikë, siguracione makinash, asistenca linjash ajrore, e shumëçka tjetër që ndoshta si hyn në punë as dreqit. Kapanonë të tërë centralistësh që gëlojnë si koshere bletësh në ndërtesa të reja e moderne në qëndër të qytetit, apo skuta ilgale periferish teksa disa të tjerë ofrojnë seksualitetin e tyrë në linja të nxehta telefonike.
Kushtet specifike të punës që ndikojnë drejtpërdrejt në vështirësimin e dëgjimit dhe pamjes, orë ekstra me apo pa pagesë, vonesa për pagat, presioni për të realizuar normat, pamundësia për të ndërvepruar, pamundësia për t’u organizuar, konkurrenca e ashpër, pagat jo të larta dhe mbi të gjitha mungesa e perspektivës, ka prodhuar një tëhuajzim të skajshëm të një brezi të tërë studentësh e të sapo diplomuarish në përballjen e tyre të parë me tregun e punës. Tonet e call-centerave janë zhveshur nga shpresa për një punë e një të ardhme më të mirë, teksa i ka ngërthyer ankthi nga diskutimet e fundit në senatin italian për mbylljen e tyre. Dhe ajo çka mbetet është dilema e përditshme shekspiriane: të papunë apo të skllavëruar në punë?
Buongiorno signore, come vi posso aiutare?

Ky aksion është mbështetur nga Tirana Art Lab dhe është pjesë e ekspozitës Triple Feature # 5 / Çeta & Kotretsos & Xhafa, në kuadër të projektit HEROES WE LOVE

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *