“Mbi rininë fashiste dhe sekretarin e E.Hoxhës”- shkruan ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kastriot Dervishi, duke sjellë edhe imazhin e sekretarit personal i Hoxhës, pjesë e rinisë fashiste.
Këto ditë u shfaq një interes i pazakonshëm edhe për rininë e dikurshme fashiste. Pati diskutime për rolin e vërtetë të saj në shoqërinë shqiptare të asaj kohe, për kontributin ose në parti, etj. Në mënyrë që të sjell një kujtim konkret të asaj kohe, po postoj këtë foto. Ajo i takon një aktiviteti të rinisë fashiste në vitin 1940. Uniforma sportive e kësaj trupe është e stilosur me një germë të madhe “M”, për nder të Benito Musolinit. Të rinjtë shqiptarë po betohen për besnikëri të përjetshme ndaj Duçes dhe fashizmit. Betimi i tyre është sinqertë se do të japin edhe jetën për çështjen e madhe fashiste. Ceremonia është pasqyruar edhe në shtypin e kohës.
Në këtë foto janë evidentuar tre persona. Personi me numrin 1 mbi krye është sekretari historik i Enver Hoxhës gjatë gjithë sundimit të tij. Emrin ia njihni besoj. Shënimi mbi kokën e tij nuk është bërë nga unë, por nga njerëzit e regjimit komunist.