Të rinjtë në Europë dhe SHBA po i kthejnë kurrizin demokracisë, sipas studimeve të fundit, kryesisht për shkak të paaftësisë së institucioneve dhe korrupsionit dominues.
Gjithnjë e më shumë njerëz në Perëndim po e humbasin besimin te demokracia. Dhe sa më të rinj janë, më keq është trendi.
Akademiku i Harvardit Yascha Mounk dhe Roberto Stefan Foa, një shkencëtar politikash në Universitetin e Melburnit në Australi, kanë publikuar një studim që analizon dekada të dhënash mbi sjelljen ndaj demokracisë, duke zbuluar disa rezultate alarmante.
Njerëzit nuk janë aq mbështetës ndaj demokracisë si dikur
Ky grafik i publikuar në New York Times, tregon një rënie sistematike në përqindjen e njerëzve që mendojnë se është e rëndësishme të jetohet në demokraci, në varësi të dekadës kur ata janë lindur.
Ai tregon se ata që janë lindur në vitet 1930 besojnë në demokraci më shumë sesa ata që kanë lindur në vitet 1980. Rreth 72% e atyre që kanë lindur në 1930 në Amerikë mendojnë se demokracia është absolutisht thelbësore. Po të njëjtën gjë e mendojnë edhe 55% e njerëzve në Holandë.
Por ata që kanë lindur në vitet 1980 e më pas janë më indiferent. Për shembull vetëm një nga tre 20 dhe 30 vjeçarë në Holandë thonë të njëjtën gjë; në SHBA shifra është akoma më e ulët në rreth 30%.
“Gjatë tre dekadave të fundit, besimi në institucionet politike si parlamentet dhe gjykatat ka rënë vazhdimisht në Amerikën e Veriut dhe Europën Perëndimore. Po kështu edhe pjesëmarrja në votime,” thanë autorët e studimit në një publikim të mëparshëm.
Sundim autoritar
Të rinjtë janë më të hapur ndaj alternativave të demokracisë, si sundimi ushtarak.
Në përgjithësi më shumë njerëz mendonin se demokracia është një mënyrë e keqe për të qeverisur një vend në vitin 2011 sesa në 1995. Në 1995, vetëm 16% e amerikanëve të lindur në vitet 1970 besonin se demokracia ishte një sistem “i keq” politik për vendin e tyre.
Në vitin 2011 kjo shifër shkoi në 20% ose në një të pestën.
Ata që lindën në vitet 1980 ishin më pak të dhënë pas demokracisë – 24% e të rinjve në SHBA e konsideronin demokracinë si një mënyrë “të keqe” ose “shumë të keqe” për të drejtuar një vend në 2011.
Europa tregoi një trend të ngjashëm, në 2011, 13% e të rinjve europianë të moshës 16 dhe 24 shprehën një pikëpamje të tillë, 8% më shumë sesa e njëjta grupmoshë në mesin e viteve 1990.
Të rinjtë gjithashtu janë më të gatshëm të shprehin mbështetje për alternativa autoritare.
43% e amerikanëve më të mëdhenj në moshë nuk mendojnë se ushtria duhet të lejohet të qeverisë kur qeveria është e paaftë ose dështon në punën e vet.
Të rinjtë që e mendojnë këtë janë vetëm 19%.
Në Europë, hendeku brezor është më pak i dukshëm, por po aq i qartë, ku 53% e europianëve më të mëdhenj në moshë dhe 36% e të rinjve refuzonin me forcë idenë se paaftësia e qeverisë mund të justifikojë një marrje të punëve në dorë nga ushtria.
Të rinjtë nuk janë aq të interesuar në politikë
Por të rinjtë janë gjithnjë e më pak të interesuar në politikë sesa personat më të rritur, tregon ky grafik.
Teksa mosha kalon, njerëzit bëhen gjithnjë e më të interesuar në politikë, por e kundërta ndodh me brezin e të rinjve, që do të thotë se hendeku mes tyre është rritur.
Hendeku brezor mes të rinjve dhe të rriturve në SHBA nga viti 1990 deri në 2010 është zgjeruar nga 10 në 26 për qind. Mes europianëve, hendeku të rinj/të rritur thuajse është trefishuar për të njëjtën periudhë duke shkuar nga 4 në 14 për qind.
Përse janë lodhur të rinjtë?
Çfarë i zemëron 18-35 vjeçarët rreth liderëve politikë të vendit të tyre, sipas sondazhit të Forumit Ekonomik Botëror është abuzimi me pushtetin dhe korrupsioni.
Nivelet e burokracisë dhe barrierat administrative, si dhe mungesa e llogaridhënies shqetësojnë një të tretën e të rinjve. Mungesa e sinqeritetit dhe mungesa e veprimit zemërojnë një të katërtën e të rinjve. Një e pesta e tyre ndjejnë se qeveri nuk i kupton ata.
A janë demokracitë të sigurta – për tani?
Artikulli i New York Times përfundon se ashtu si shumë forma të kërkimit, kjo është vetëm një teori: “Dhe qasja e kërkuesve, ashtu si çdo shkencë sociale e ndërtuar mbi të dhëna, ka kufizime. Është vetëm po aq e mirë sa të dhënat që e përbëjnë atë dhe kjo nuk llogarit faktorë të tjerë që mund të jenë të rëndësishëm për stabilitetin në përgjithësi, si rritja ekonomike. Të paktën një shkencëtar politikash i njohur argumentoi se të dhënat e Mounk dhe Foa nuk janë aq shqetësuese sa ata besojnë”, thotë gazeta.
Autorët në një studim të mëparshëm, ranë dakord se shumë kërkime duhen bërë për të kuptuar se çfarë po ndodh realisht me demokracinë.
Megjithatë, ata gjithashtu paralajmërojnë se: “Nëse e marrim numrin e njerëzve që pretendojnë se preferojnë demokracinë në pamje të parë, asnjë lloj regjimi në historinë njerëzore nuk ka pasur një tërheqje kaq universale dhe globale sa demokracia sot”.
Megjithatë “realiteti i demokracive bashkëkohore sot duket më pak triumfues sesa ky fakt mund të sugjerojë. Shtetasit e demokracive janë gjithnjë e më pak të kënaqur me institucionet e tyre”./ BIRN/ Alex Gray është autore pranë Formative Content.