Intelektualizmi, ky term i keqkuptuar!

Esenciale është ta kuptojmë se në cilin shekull po jetojmë, do të thoshte Ali Sheriati dhe përveç kësaj, ta njohim mjedisin, mentalitetin, me një fjalë kontekstin kulturor të vendit. Ndoshta pjesa më e madhe e shoqërisë, vazhdon me qenë konservatore në thelb, e megjithatë, ky konservatorizëm prej çlirimit e këndej, i është nënshtruar një presioni të jashtëzakonshëm, sidomos  mediatik…

Nga Imer Topanica

Mund ta pyesni ndonjërin prej dy francezëve të famshëm, Jan Paul Sartre-n apo Albert Camus, se ç’është intelektuali dhe cili është dallimi i tij me shkencëtarin? Dhe ata do t’ju japin përgjigje pak a shumë të tilla: Ai që e shpikë një formulë të saktë për prodhimin një lloj makine të dobishme për njerëzimin, është shkencëtar. I njëjti mund të rreshtohet te intelektualët po qe se e ngreh zërin e kundërshtisë ndaj politikanëve/pushtetarëve që synojnë ta shfrytëzojnë këtë lloj makine kundër ndonjë grupi njerëzish, qofshin ata të dalluar për nga raca, besimi, gjuha apo ndonjë shenjë identiteti tjetër. Ata nuk do ta lënë me kaq, do t’ju japin instruksione se si një intelektual, e fiton përfundimisht këtë epitet, kur ndërton raporte të caktuara me politikën/ pushtetin.  Në fakt do t’ju thonë që raportet pushtet vs intelektual, duhet të jenë armiqësore, jo sepse intelektuali e kërkon armiqësinë me pushtetin, por sepse duhet. Duhet sepse, në natyrën e pushtetarit/ pushtetit është t’i justifikojë veprimet e veta, ndërsa intelektuali, po qe se është i tillë atëherë duhet t’i qëndrojnë karshi atij, pushtetit, me kritika të vazhdueshme, sepse fundi i fundit, nuk ka pushtet të përkryem e për rrjedhojë secili lloj pushteti ka nevojë të mbikëqyret, kritikohet! Ju mos kërkoni gjurmoni rreth këndvështrimeve të autorëve të ndryshëm për sa i përket raportit ndërmjet intelektualit dhe pushtetit sepse rruga mund të ju nxjerr te Al Ghazali i famshëm, filozofi i madh musliman. Ai është ndër të parët që i identifikoi efektet anësore në këtë segment raportesh: Intelektual – Pushtet. Këto janë informacione të papëlqyeshme për këdo që është ambientuar me një mjedis kulturor, në të cilin, intelektual është cilido që shkruan një opinion dhe e publikon atë në mediumet tona, duke e shoqëruar me fotografinë e vet personale ku prapa tij sfondi zbukurohet me libra.

Por, le të ecim tutje, ta kapërcejmë këtë nivel perceptimi, që del me qenë i pasaktë për sa i përket asaj se kush mund të cilësohet si i tillë, intelektual.  Mund të konsultohemi edhe me Muhamed Ikball-in apo edhe me Ali Sheriat-in, për të thelluar edhe më tutje njohjen tonë për sa i përket trajtimeve  që ia kanë bërë këtij problemi (intelektualit/ intelektualizmit), të dijshmit e lindjes, apo të rikthehemi tek perëndimorët? Pa çka që rrezikojmë  të ngelim të dëshpëruar. Vendi ynë  në fundshekullin e kaluar megjithatë, ka njohur njerëz me peshë për kah dija, intelekti, apo siç do t’i quante Ali Sheriati ‘mendimtar të lirë’. Por disa prej tyre, duke qenë të detyruar të përfshiheshin në politikë e rrjedhimisht edhe në pushtet, u zhbënë vetiu. Sepse, roli i intelektualit nuk është të vihet në krye të një shoqërie, që ta udhëheqë atë, roli i një intelektuali është që ta udhëzojë udhëheqjen e një shoqërie. Në momentin e kalimit nga pozita e një mendimtari të lirë në pozitën e udhëheqësit, pushtetarit, ai intelektual, pushon së qeni i tillë. Kjo assesi nuk do të thotë që mendimet e tij  nuk janë më të vlefshme, çështja është se ai më nuk është i lirë, të mendojë lirshëm, për shkak të rrethanave dhe përgjegjësisë, gjykimet e tij mbi fenomenet, nuk mund të merren si objektive.

Esenciale është ta kuptojmë se në cilin shekull po jetojmë, do të thoshte Ali Sheriati dhe përveç kësaj, ta njohim mjedisin, mentalitetin, me një fjalë kontekstin kulturor të vendit. Ndoshta pjesa më e madhe e shoqërisë, vazhdon me qenë konservatore në thelb, e megjithatë, ky konservatorizëm prej çlirimit e këndej, i është nënshtruar një presioni të jashtëzakonshëm, sidomos  mediatik. Në planin nacional, pretendohet që shqiptarët e Kosovës, janë njohur për herë të parë me sistemin demokratik si organizim politik. Por ç’është e vërteta, ky sistem, nuk ka funksionuar kurrë si i tillë. Nga kjo perspektivë, as “intelektuali” ynë, s’ka qenë intelektual. Kredencialet akademike të devalvuara, prodhuan “intelektualë”, që për shkak të rrethanave u vunë në krye të ndriçimit të rrugës për shoqërinë. Në esencë, sherrin më të madh Kosova ua ka pa këtyre njerëzve. Dhe është e logjikshme, në njëfarë mënyre: Një pseudo-demokraci nuk do të pranohej kaq gjatë, pa kontributin e pseudo-intelektualëve.  Ekzistojnë barsoleta e anekdota për ta, ndoshta ndër më të mprehtat mbetet ajo e gomarit dhe kalit. Sigurisht e dini, kur i zoti shkon në stallë për t’ia kërkuar hallallin kalit që po ngordhte, ndërsa ky i fundit i thotë: ‹‹Të gjitha hallall i ke, veç rastit kur t’i më detyrove të ecja prapa gomarit!›› . Që të mos e zgjatim, koha është vlerësuesja më e mirë e veprave të tyre dhe tek pas ikjes nga kjo botë, mund ta dimë për disa, në ishin apo jo intelektualë./Gazetaere.com/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *