Si të shpëtojmë trashëgiminë në situata katastrofe

28 profesionistë të rinj të trashëgimisë dhe muzeve nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bjellorusia, Egjipti, Gjeorgjia, Irani, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia, po marrin pjesë në një trajnim tri-javor mbi ruajtjen dhe shpëtimin e koleksioneve muzeale, siteve të trashëgimisë dhe trashëgimisë shpirtërore në situata katastrofe.

“Trajnimi Ndërkombëtar Mbi Menaxhimin e Rrezikut për Trashëgiminë Kulturore në Rast Katastrofe” organizohet nga tri zyrat e organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Trajnimi filloi në Sarajevë, në Muzeun Kombëtar të Bosnje-Hercegovinës, vijoi në Prishtinë, ndërsa java e tretë dhe përmbyllëse mbahet në Gjirokastër në datat 21 nëntor – 27 nëntor.

Për të testuar pjesëmarrësit, programi gërsheton ligjërata nga lektorë ndërkombëtare me ushtrime praktike që reflektojnë situata katastrofash. Qëllimi i trajnimit është që profesionistët e trashëgimisë të mësojnë aftësi praktike për mbrojtjen dhe shpëtimin e koleksioneve muzeale, siteve të trashëgimisë dhe të trashëgimisë shpirtërore para, gjatë dhe pas një katastrofe.

Në Gjirokastër pjesëmarrësit do të studiojnë mënyra dhe strategji për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore. Disa nga temat më të rëndësishme që do të trajtohen janë: vlerësimi i rrezikut për trashëgiminë kulturore shpirtërore, rëndësia e dokumentimit të kësaj trashëgimie etj.

Rëndësi e veçantë do t’i kushtohet temës së ndihmës së parë për trashëgiminë dhe sesi kultura dhe trashëgimia duhet të mbështesin përgjigjen humanitare. Organizatorët do të trajtojnë këtë çështje përmes një paneli ku janë të ftuar profesionistë vendas dhe të huaj të trashëgimisë kulturore, specialistë të emergjencave civile dhe donatorë.

Trajnimi organizohet nëpërmjet projektit rajonal “Ndihma e Parë për Kulturën në Ballkan” (B+CARE), një platformë e themeluar në mars të vitit 2016 për të frymëzuar, trajnuar dhe koordinuar vullnetarë për përgatitjen dhe ndihmën në emergjencat kulturore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *