Dalin për herë parë elegjitë e Luigj Gurakuqit


Të nxjerra prej Arkivit të Shtetit, përkthehen për herë të parë nga gjuha latine në gjuhën shqipe, “Elegjitë” e Luigj Gurakuqit. Paraqitja e Willy Kamsit, shoqëruar me dy poezi që ishin botuar në botime të tjera, por jo në atë të vitit 1940, si dhe “Elegjitë”, përkthyer në shqip prej përkthyesit Gjon Shllaku vijnë në një libër nga Botimet Françeskane. “Botimin që kemi në dorë është i dyti mbas atij të vitit 1940. Botimin e vitit 1940 e kishte botuar Gjon Kamsi. Risia e këtij botimi qëndron në faktin se shtohen disa poezi, që ishin botuar tjetërkund. Për herë të parë mbas 76 viteve ribotohen të paprekuna shënimet e Luigj Gurakuqit. Janë botue në kohën e komunizmit ‘Veprat e zgjedhur’ të Luigj Gurakuqit por me cungime, jo të plota”, thotë At Vitor Demaj.

Ai shton se edhe për botimin e asaj përmbledhjeje që mandej doli e cungueme, janë marrë dorëshkrimet e Luigj Gurakuqit që ruheshin prej Gjon Kamsit. “Historikisht Luigj Gurakuqi kishte nji miqësi të madhe me Etërit Françeskanë, sidomos me At Gjergj Fishtën, At Anton Harapin e At Ambroz Marlaskaj. Dhe vjershat e Luigj Gurakuqit hyjnë në kolanën e botimeve françeskane dhe botohen prej Provincës Françeskane shqiptare, si shenjë miqësie e nderimi për këtë personalitet të shquar të kulturës sonë”, shton At Vitor Demaj. Ai sjell në vëmendje se Luigj Gurakuqin e lidhte një miqësi e veçantë me familjen Kamsi, pra me Gjon Kamsin babën e Willy Kamsin. Kur Gjon Kamsi banonte në bari të Italisë, Luigj Gurakuqi bënte vizita të shpeshta të shtëpia e tij. Shumë prej sendeve personale të Luigj Gurakuqit i kanë ruajtur me nderim si relike (vlerë e paçmueshme) kombëtare Gjon Kamsi e i biri Willy Kamsi dhe e bija Miriam Gjon Kamsi. Ky botim del në dritë nën kujdesin e Willy Gjon Kamsit. BOTIMI Willy Kamsi shkruan se “kanë kalue disa vjet qyshse pau dritën e para dhe e vetmja përmbledhje vjershash të Luigj Gurakuqit, në nji vëllim prej 94 faqesh. I botuem në Bari të Italisë më 1940 në Shtypshkrojën e nji Shtëpije Botuese të përmendun, G. Laterza, në 1000 kësombla, prej Gjon Kamsit (Gjikam), qe shpërnda në Shqipní, por edhe në Kosovë. I mirëpritun kudo si vepra e njenit ndër atdhetarët mâ në shêj të vendit tonë”. Sipas tij, “vjetët kanë rrjedhë dhe koha e pruni që sot të mos gjindet mâ në qarkullim asnji kopje e tij. Edhe Veprat e zgjedhura, që u botuen para disa vjetësh, në regjim komunist, iu nënshtruen censurës, kështu që nuk mund të thomi se kemi në dorë me to mendimin autentik të Gurakuqit”.

Ai shton se në një artikull i botuar në shtypin e përditshëm në kohën kur vlonte polemika për zgjedhjen e kryeqytetit të vendit, e ky problem ishte tashmë shuar me kohë, qysh me shpalljen e Tiranës kryeqytet të Shqipërisë nga Kongresi i Lushnjës, ai artikull me titull “Shkodra kryeqytet”, nuk u botua n’atë përmbledhje. “Ajo që na shtyni t’ia hyjmë përgatitjes së nji botimi të rí ka qenë, jo vetëm ringjallja e nji vepre që kërkohej, por edhe zbulimi i disa vjershave që kishin mbetë pa përfshî në botimin e parë. Dý prej tyne janë të nënshkrueme me nji pseudonim të Gurakuqit pak të njohun: Marosh Ujka. Prej tij pseudonime të tjera kanë qenë: Jakin Shkodra, Lek Gruda, Pjetri dhe Pali, Hamidi”. Kamsi vëren se “Tue pa se, për mosnjohje të gjuhës latine, ato Elegidion nuk mund të kuptoheshin, patëm përfitue prej dashamirësisë së të ndiemit Gjon Shllaku, përkthyesit të Iljadës së Homerit, për t’i pasë në gjuhën shqipe ato Elegjí të vogla, si i quen përkthyesi”. Ai shton se “përveç kësaj, kemi bâ edhe nji të ndamun të vjershave, tue e bâ mâ të kjartë tematikën. Kështu që, në nji ndamje të parë, kemi Vjershat e përshpirtshme, në nji të dytë Vjershat e fëmijve dhe në nji të tretë Vjershat që kanë subjekt atdhetar, tue pasqyrue, në njifarë mënyre, mendimin që vetë Gurakuqi kishte pasë kur i hartoi. Për me dallue prumjet e reja në ketë përbledhje, secilën sosh e kemi dallue tue e prî titullin me nji hyllëz”.
I përktheu shqip: Gjon Shllaku
(Fatmira Nikolli-Gazeta Shqiptare)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *