Nga Klodian Tomorri
Akti vandal ndaj ministres së Arsimit është përdhosja më e madhe e kauzës për arsimin.
Unë jam nga ata që mendoj se Lindita Nikolla i ka bërë një dëm të madh Shqipërisë me reformën arsimore. Dhe po ashtu mendoj që ai dëm ka qenë i qëllimshëm për të favorizuar interesa okulte klienteliste.
Por, metodat stalinisto-enveriste të të protestuarit rrëzojnë çdo kauzë, sado e drejtë qoftë ajo.
Nëse doni të protestoni shkoni e rrijini Linditës 24 orë para ministrisë. Këndoni me kitarë, recitoni poezi e madje puthuni aty para po deshët. Por, vezët dhe boja janë metoda të sponsorizuara nga ideologji të helmuara totalitare.
Projektin famekeq të armëve kimike nuk e mundën vezët. As boja apo vandalizmat. E mposhti forca e të rinjve që buronte nga pafajësia dhe ideali i dashurisë për jetën, për Atdheun.
Vetëm dy dekada e gjysmë më parë të rinjtë e këtij vendi rrëzuan një nga regjimet më famëkeqe dhe më të egra të historisë së njerëzimit. Pa asnjë vandalizëm. Pa asnjë dhunë. Pa asnjë armë.
Rinia ka vetem një forcë; Kurajon për të luftuar të keqen me dashuri.