Në datat 18-20 nëntor 2016 në Tiranë do të organizohet për herë të parë nga qeveria shqiptare Samiti i Diasporës, i cili do të shërbejë si platformë bashkëbisedimi midis shqiptarëve për të rimëkëmbur dhe për t’i strukturuar më mirë marrëdhëniet midis komunitetit të shqiptarëve me banim jashtë atdheut dhe vendit të tyre amë. Nëpërmjet këtij samiti qeveria shqiptare dëshiron të arrijë angazhime konkrete që bashkojnë forca, ide e njerëz në projekte të gjithanshme zhvillimi për gjuhën, kulturën e shoqërinë shqiptare. Në këtë samit do të ketë gjithsej tetë panele ku do të flitet për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me kulturën, zhvillimin ekonomik, përfaqësitë diplomatike e kështu me radhë, ku do të marrin pjesë panelistë të ndryshëm si nga: Shqipëria, Kosova e Diaspora.
Në ditët e Samitit të Diasporës do të zhvillohen disa aktivitete, ku një vend të veçantë për Ministrinë e Kulturës do të jetë paneli i diksutimit me temën : “Kultura, hapësira jonë e përbashkët pa kufi. Arti dhe Kultura pasaporta jonë”.
Paneli për kulturën është një takim i hapur për të shkëmbyer idetë se si kultura shqiptare mund të shërbëjë për të hapur skenën kombëtare përtej kufijve administrativë, jo vetëm për të treguar një vlerë historikisht të provuar si ana më e mirë e kombit shqiptar por edhe për t’u integruar përmes saj në komunikimin ndërkombëtar. Arritjet kulturore dhe janë dhe duhen përdorur si një rrugë e sigurtë integrimi në Europë e më gjerë. Nga ana tjetër Trashëgimia Kulturore për të cilën po punohet me një filozofi të re mbrotje dhe zhvillimi, me një kuadër të ri ligjor, nuk duhet trajtuar vetëm si një spaletë me të cilën krenohemi, por si një potencial i jashtëzakonshëm zhvillimi ekonomik që shqiptarët kudo që janë duhet ta promovojnë, për vete, për fëmijët e tyre dhe për të mirën e Shqipërisë.
Panelistë: Mirela Kumbaro , Ministre e Kulturës së Republikës së Shqipërisë
Kushtrim Sheremeti , Këshilltar i Lartë Politik/ Shef Kabineti në
Ministrinë e Diasporës, (Kosovë)
Roland Sejko, Regjisor (Itali)
Florian Vlashi , Violinist (Spanjë)
Nase Jani , Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita” (Greqi)
Murat Koci , Kryetar i Lidhjes së Shoqatave Shqiptare në Suedi (Suedi)
Ramazan Këllezi , Kryetar i Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze (Kanada)
Moderatore: Persida Asllani , Drejtore e Bibliotekës Kombëtare
Data: 19 nëntor 2016
Ora: 09:00-10:45
Vendi: Galeria Kombëtare e Arteve
Info: http://samitidiaspores.al/