Hamlet dyshues apo Don Kishot i marrë?

Nga Dorian Koçi

Në historinë e letërsisë botërore dhe veprave të mëdha ekziston pothuajse gjithmonë një dyshe personazhesh shumë të afërt që përveçse se ndajnë një miqësi shumë të ngushtë mes tyre në fakt ndihmojnë dhe njëri-tjetrin për të kuptuar realitetin. Kështu p.sh tek kryevepra e Servantesit “Don Kishoti i Mançës”, të sjellë aq mjeshtërisht nga Noli dhe Petro Zheji në shqip, marrëzive kalorësiake dhe fluturimeve në fantazi të Don Kishotit i duhet serioziteti dhe pafajësia e Sanços për ta rikthyer atë sërish me këmbë në tokë.
Por jo gjithmonë dyshet e famshme në letërsi janë përcjellë nëpërmjet këtij portretizimi, sepse tek tragjedia “Hamlet” e Shekspirit kemi dhe Horatin, shokun e ngushtë të Hamletit i cili për hir të miqësisë i beson të gjitha halucinacionet e këtij të fundit përsa i përket fantazmës së babait të vdekur. Ky fakt sigurisht që nuk e rrëzon mënyrën e portretizimit të personazheve nëpërmjet përfaqësimit të vlerave të kundërta, që besoj për një periudhë të gjatë, ndoshta që nga fillimi i shoqërisë njerëzore ka qenë në themel të shprehjes së mendimit filozofik të botës sepse nëse e besojmë si të vërtetë aksiomën se “letërsia është një pasqyrim i shpirtit njerëzor” atëherë nuk duhet të çuditemi që brenda veprave të ndryshme letrare kemi pasqyrime të ndryshme të miqësive dhe ndjenjave njerëzore.
Por edhe pse raste si ky i miqësisë së Horatit dhe Hamletit mund të jenë të shumtë në vepra të tjera në letërsinë botërore , gjithsesi mënyra e portretizimit nëpërmjet dy realiteteve ku njëri i korrespondon atij imagjinar e fluturak të Don Kishotit dhe tjetri që i korrespondon atij “esëll” dhe të vërtetë të Sanços është mënyra që gjerësisht është shtrirë gjithandej dhe në fusha të tjera të jetës dhe shkencës. Kështu p.sh me të drejtë shkenca të ndryshme i gjejmë të emërtuara në emra dyshe të përbërë si gjeo-strategjia, astro-fizika etj ku jo domosdoshmërisht ato i nënshtrohen këtij gjykimi por që gjithsesi në thelb ato përmbajnë diçka nga kundërvënia e famshme. Një çift që ndoshta i përshtatet më shumë përfaqësimit të dy realiteteve të ndryshme është marrëdhënia midis politikës dhe ekonomisë në demokracitë në zhvillim.
Politika është ajo që përpiqet të përshkruajë një realitet fluid dhe të ardhme rozë për publikun duke i paraqitur çdo alternativë të vet si më të mirën për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë, ndërsa ekonomia nëpërmjet shifrave dhe logjikës së ftohtë të saj është ajo që e rikthen me këmbë në tokë qytetarin e entuziazmuar nga politika dhe i kujton realitetin se ku jeton dhe sesi mund të përpiqet nëpërmjet alternativave realiste ti realizojë ëndrrat e veta. Këtë gjë ekonomia nuk e kryen nëpërmjet ndonjë “shkopi magjik” por nëpërmjet një përllogaritje të thjeshtë të kostove të çdo veprimi dhe aksioni politik. Në bazë të tyre në fakt politikanët duhet të mbështesin apo kundërshtojnë projektet e ndryshme që ata lançojnë por ashtu si ndodh rëndom në Shqipëri emocioni e kapërthen më tepër se ç’duhet politikën tonë ndaj shumë veprime të saj janë të kushtueshme për shoqërinë shqiptare. Shembulli i miqësisë së Hamletit dhe Horatit për të zbuluar të keqen në mbretërinë e tyre të kalbur mund tu shërbejë më mirë palëve sesa vazhdimi i kundërshtive mes idealizmit fisnik të Don Kishotit dhe pragmatizmit realist të Sanço Pancës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *