Libri “Shpresuam dhe mbijetuam” shkruajtur nga Taisa Pisha është një libër autobiografik i bazuar në ngjarjet e jetuara nga autorja në vitet e kaluara në Shqipëri gjatë periudhës 1957-1990. Në vitet 1976-1986 autorja u burgos nga regjimi komunist dhe vuajti dënimin në burgjet dhe kampet e punës në Shqipëri. Ajo përshkruan denoncimet, spiunimet, përgjimet, e shpifjet që cilat ishin kthyer në normat e jetës, madje dhe brenda qelizës së familjes. Me librin “Shpresuam dhe mbijetuam” ajo jep lidhjen që krijoi me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë 33 vjetëve të qëndrimit të saj. Vend qendror në libër zënë gratë ruse dhe shqiptare që ndanë me Taisën fatin e persekutimit dhe vite të vështira në burg a në kampet e punës. “Shpresuam dhe mbijetuam”(OMSCA-1) u botua për herë të parë në gjuhën ruse. Mbas daljes së librit në këtë gjuhë, Taisa donte që libri të botohej në Shqipëri e botimi në shqip kurorëzon dëshirën dhe amanetin e autores, së ndarë nga jeta më 2015. Taisa Pisha (Batkina) ka lindur në Tula të Rusisë më 1932
Copëz nga libri
Më në fund prokurori bërtiti i lodhur: “E pe tët shoq? E pe! Që ta dish… kemi urdhrin e firmosur për dëbimin e familjes tënde nga Tirana. Firmose! Përndryshe, brenda 24 orëve ata do të jenë në fshatin më të humbur!” Përfytyrova burrin tim të sëmurë dhe djemtë e mi të internuar. (Në Shqipëri internimi ishte më keq se burgu). Këtë nuk munda ta duroja.
Kjo ishte periudhë mjaft e rëndë e hetimit. Duhej sajuar një legjendë, duheshin kopsitur deponimet e mia me ato të Volës. Vola nuk kishte pranuar gjë. I kishin hedhur në qeli disa pusulla… sikur ishin nga unë. I falsifikonin hetuesit. Vola për shumë kohë nuk u zuri besë pusullave, mohonte gjithçka. Por ne ishim vetëm gra të dobëta, të munduara, të uritura. Makina e policisë ishte shumë më e fortë se ne. Atëkohë mësova e tmerruar se në grupin tonë kishin përfshirë edhe një shoqe tjetër tonën, Minën. Nuk e dija që e kishin arrestuar. Më vonë mora vesh se qe arrestuar edhe i shoqi, drejtor i një drejtorie të madhe ndërtimi. Nuk e di përse iu desh të përfshinin edhe Minën në akuzën tonë. Nuk di si ta shpjegoj. Mina nuk pranoi gjë dhe hetuesit vendosën që mund ta gjykonin edhe pa pranuar. Dhe këtë e bënë në gjyq.
Në fillim të gushtit 1977 nisi përgatitja e ngutshme e dosjes sonë për në gjyq. Hetuesit nxitonin, por nuk po e përcaktonin dot saktë nëse ne ishim nënshtetase sovjetike apo shqiptare. Aktpadia u rishkrua disa herë, nuk dinin të thoshin se “cilin atdhe kishim tradhtuar ne”, në çfarë neni të Kodit Penal të na fusnin. Më shumë nga të gjithë përpiqej dhe sillej rrotull prokurori. Nga 1 shtatori 1977 hynte në fuqi Kodi i ri Penal, në të cilin anulohej konfiskimi i pasurisë. Kuptohet, të ndodhur në izolim të plotë, ne nuk mund ta dinim këtë. Prokurori nxitonte ta mbyllte hetimin dhe të na nxirrte në gjyq para 1 shtatorit, që të na konfiskonin edhe ato pak rroba që kishin mbetur në shtëpi. Prokurori jo vetëm zbatonte urdhrin, por kënaqej që mund të tallej edhe pak me ne. Gjatë hetimit, nga fjala që i shpëtoi dikujt, mësova se prokurori kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik. Tani e gjithë qenia e tij qe mbushur me frikë kafshërore, se mos e pushonin nga puna, mos e dëbonin, arrestonin, mos pësonte fatin e mijëra të tjerëve, që kishin sadopak lidhje me Bashkimin Sovjetik ndaj nesh, urrejtje, ku ndihej edhe një lloj poshtërimi vetjak, i cili e shumëfishonte këtë urrejtje.
Pas afër një viti vetmie, pas frikës, torturave, poshtërimeve dhe të panjohurës, unë nuk ndihesha mirë mendërisht; e kisha humbur plotësisht aftësinë për të rezistuar, as doja të dija se sipas çfarë neni do të më gjykonin dhe se sa vite do të më jepnin. Që ditën e parë të arrestimit e pata të qartë se fatet tona ishin vendosur… lart, që nuk do të na lëshonin pa na gjykuar. E torturuar, e dobët, e thinjur, prisja me padurim gjyqin. E dija, që gjyqi për ne do të ishte i egër, i pamëshir-shëm dhe i padrejtë, që prej tij s’duhej pritur ndonjë e mirë, por ai ishte i pashmangshëm. Shpresoja që pas gjyqit do të më lejonin një takim me familjen time. Mezi prisja çastin, kur do të dilja nga qelia, të shkoja në kamp, të isha mes njerëzve.