Përgjigja në hetuesi e Fatos Lubonjës, kur u mor në pyetje për Kadarenë!

Gazetari Dashnor Kaloçi ka sjellë një libër të ri, “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave”, botim i UET.

Ai sjell dëshmi për shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, që survejohej nga komunistët.

Mes dëshmive përmendet edhe Fatos Lubonja, që është marrë në pyetje pikërisht për Kadarenë.

Ja çfarë thotë për këtë gazetari Kaloçi, në një intervistë për Mapon.

-Nga sa kemi parë në titujt që ka përmbajta e librit, duket se aty figuron dhe emri i Lubonjës? Çfarë është ky dokument dhe pse është pjesë e librit?

D.K. Po, e filloj përgjigjen me pjesën e fundit të pyetjes suaj. Pra, përse dokumenti ku përmendët emri i Fatos Lubonjës, është pjesë e këtij libri. Siç kam theksuar diku në fillim të kësaj interviste me ju, në këtë libër publikohen të gjitha ato dokumente ku përmendet emri i shkrimtarit Ismail Kadare. Dhe nisur nga ky fakt apo ‘rregull’ po themi, një nga këto dokumente është dhe ai që i përket dosjes gjyqësore të Fatos Lubonjës, ku si duket ai është pyetur në lidhje me Kadarenë. Dhe kjo gjë më se e natyrshme në një proces gjyqësor politik, të Shqipërisë së asaj kohe, edhe për faktin, se babai i tij, Todi Lubonja, ka pasur miqësi apo lidhje pune me Kadarenë. Dhe përgjigja e Fatosit, pak a shumë ka qenë kjo: Babai më thoshte se “vetëm Ismail Kadareja shkruante të vërtetën, ndërsa shkrimtarët e tjerë kishin frikë se i fusnin brenda”?! Pra në dëshminë e tij, Fatosi ka dhënë opinionin apo konsideratat e të atit, lidhur me shkrimtarin, Ismail Kadare.

-Në një dokument sekret del se Elena Kadare është e përfshirë me listën e 315 intelektualëve të Tiranës, që survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit… Vitit 1978, ka shpjegime pse?

D.K. Po natyrisht që ka një shpjegim logjik. E para është lista e gjatë e intelektualëve të Tiranës me 315 emra, ku natyrisht që nuk mund të mos ishte dhe emri i saj, për disa arsye. Dhe e dyta, duke qenë me profilin e një intelektuale të njohur, shkrimtare, përkthyese, si dhe bashkëshortja e një shkrimtari të njohur dhe aq më shumë që siç del dhe nga dokumentet, ai i ka sjellë jo pak herë andralla regjimit, as ajo nuk mund të shpëtonte nga survejimi?! Po kështu shto edhe të kaluarën e familjes së znj. Elena Kadare nga prindërit e saj, që vinin nga shtresat e pasura, apo siç ishin në të vërtetë, pjesë e asaj aristokracie që ka pasur Shqipëria e asaj kohe.<

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *