Moikom Zeqo ka kritikuar rëndë Ministrinë e Kulturës sa i takon trashëgimisë Kulturore. Në një intervistë për gazetën Sot ai thotë se “Është një administratë e paaftë për sa i përket thelbit, që ka të bëjë trashëgimia kulturore, arkeologjia, monumentet, ikonografia, etnografia”
-Vijoni të pohoni se kur flitet mbi trashëgiminë kulturore janë të shumta problemet, çfarë duhet të ndryshojë këtë vit?
Tjetër problem, si mbrohet trashëgimia kulturore, se si vetë ministria e shkatërron. Dua sinqerisht që Ministria e Kulturës të ecë para në këtë fushë. Një gjë më bën përshtypje, që personeli, administrata e ministrisë nuk ka asnjë specialist të mirëfilltë shkencor. Janë njerëz që kanë mbaruar gjuhë të huaja, dhe nuk ka një njeri që të marr vesh siç duhet nga arkeologjia, monumentet e kulturës. Është një administratë e paaftë për sa i përket thelbit, që ka të bëjë trashëgimia kulturore, arkeologjia, monumentet, ikonografia, etnografia, etj. Ne nuk kemi specialistë atje, dhe se di si punohet pa specialistët. Edhe ato institucione që duhet të ishin në varësi të MK, si IMK, nuk janë ata që duhet. Dikur Instituti i Monumenteve të Kulturës kishte njerëz të kualifikuar për restaurime, sot pothuajse mungojnë. Mendoj që Ministria e Kulturës ka kultivuar një retorikë disa herë dhe të sofistikuar, retorikë më tepër publicitare ose pozitiviste për trashëgiminë kulturore, por nuk bën dot veprime konkrete të ruajtjes të jetësimit dhe gjallimit të veprimtarisë së monumenteve të kulturës. Po marr dy qytetet e mëdha, Gjirokastër dhe Berati. Flitet shumë dhe nuk ka ndonjë shkëlqim që të themi që këto vite ka një përmirësim në restaurime dhe vërtetë evidentimit të monumenteve të kulturës. Ka më tepër retorikë. Por shembulli më tragjik i këtyre 25 viteve, një shembull kriminal është shkatërrimi i monumenteve arkeologjike në Durrës.
-Ky ka qenë një nga problemet, që ju keni bërë me jo pak përgjegjës institucionet?
Durrësi është turpi më i madh i kulturës shqiptare, arkeologëve, njerëzve të monumenteve, ministrive të kulturës ndër vite, të cilët nuk arritën dot të shpëtojnë një lagje të tërë antike mbi të cilën janë bërë ndërtime të shëmtuara dhe pa asnjë vlerë sot, ose të objekteve që janë gjetur dhe sot Durrësi është një qytet, i cili është i betonuar. Durrësi është i vetmi qytet që me ligj ka të mbrojtur nëntokën e vet, asnjë qytet tjetër nuk e ka këtë. Durrësi këtë pasuri të madhe të shekujve e ka të betonuar. Lagjia antike që u zbulua në ish lulishten “1 Maji” të kujtonte lagjet e Pompeut. Ka qenë një kryevepër, që do ti sillte të ardhura të mëdha turizmit kulturor në vend. -Si arkeolog, çfarë mund të na thoni mbi Muzeun Arkeologjik në Durrës? Muzeu Arkeologjik në Durrës, ku unë punova mbi dhjetë vjet që është pjesa ime dhe jam marrë dhe me projektin dhe në një pjesë aty janë dhe zbulimet e mia arkeologjike të ekspozuara, është një muze që tregon se si diletantët bëjnë hatanë në këtë vend. Jam habitur, sepse pjesa më e madhe e monumenteve dhe sidomos statujat prej balte janë larë me detergjent. Është bërë një larje e tillë, që kanë humbur për ti bërë të pastra. Kanë humbur shumë elementë që kanë monumentet, i kanë bërë një zbardhje të panatyrshme dhe më jep një ndjenjë shumë të keqe kur i shikoj ato. Nuk e di cili ekip injorant u mor me pastrimin dhe rregullimin e vendosjen e këtyre monumenteve, sepse me larjen që i është bërë ato terrakotat antike që janë nga periudha helenistike deri në antikitetin e vonë duken sikur janë bërë sot. Jo sikur janë objektet arkeologjike. Muzeu ka dhe tjetër problem, që është vetëm një pjesë e periudhës klasike helenistike, e periudhës romake është ekspozuar, ndërsa pjesa e mesjetës është ende e paekspozuar siç duhet. Bëj pyetjen kush do ti bëjë këto? Në atë muze nuk ka asnjë specialist arkeolog të mirëfilltë. Nuk ka asnjë emër të shquar që i di këto punë, edhe ata që janë gjallë dhe mund të bëjnë diçka nuk i thërret askush. Ky muze ka thjesht administrator nuk e kanë idenë se çfarë është arkeologjia. Më vjen keq për atë muze. Durrësi duhet të kishte drejtor të muzeut arkeologjik një personalitet të madh, sepse është qyteti më i vjetër antik i gjithë bregut lindor të Adriatikut, shekulli i shtatë para Krishtit. Atje është një administratë pa asnjë vlerë.