Është bërë nënshkrimi i marrëveshjes mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Postës Shqiptare për procesin e kërkesave të dokumenteve të pronësisë dhe të kërkesave biografike.
Prej datës 21 nëntor, të gjitha kërkesat për dokumente pronësore dhe biografike që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit dhe Arkivat Shtetërore Vendore do të kryhen në Postën Shqiptare, sipas praktikës ndërkombëtare arkivore të “kërkimit me pagesë“. Marrëveshja mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Postës Shqiptare u nënshkrua sot në mjediset e Arkivit Qendror Shtetëror në Tiranë, nga drejtorët e përgjithshëm, Ardit Bido dhe Majlind Lazimi. Marrëveshja parashikon që aplikimi për këto dokumente do të kryhet në të gjitha pikat e autorizuara të Postës Shqiptare dhe përgjigja do t’u kthehet qytetarëve në të njëjtën pikë ku kanë aplikuar, 23 ditë pas aplikimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido, theksoi se kjo përbën një reformë tërësore. “Filozofia e Arkivave parashtron se arkivat janë të hapura për këdo që dëshiron t’i shfrytëzojë, por lehtësojnë dhe ofrojnë shërbim në shtëpi për cilindo individ të cilit i nevojiten arkivat. Prandaj, kjo marrëveshje e negociuar prej dy muajsh, është e një rëndësie të veçantë dhe është reformë tërësore. Ne e kemi kthyer shërbimin e dokumenteve pronësore dhe biografike nga një proces atipik shqiptar, në përputhje të plotë me praktikën ndërkombëtare arkivore të “kërkimit me pagesë“. Prej datës 21 nëntor, qytetarët nga i gjithë vendi nuk do të duhet të udhëtojnë katër herë për në Tiranë, por mjafton të shkojnë në pikën më të afërt të Postës dhe të aplikojnë. 23 ditë më vonë mjafton të shkojnë sërish në atë zyrë Poste, për të marrë përgjigjen. Ky ndryshim rrënjësor vjen në përputhje me prioritetet kyçe të qeverisjeve shqiptare, që është transparenca, lufta ndaj korrupsionit, i cili shmanget kur qytetari dhe specialisti kërkues nuk kanë kontakt të drejtpërdrejtë, si edhe shërbimi i shpejtë dhe cilësor ndaj qytetarëve. Nga ana tjetër, kjo marrëveshje mundëson që burimet njerëzore të arkivit t’i japin peshën e nevojshme shërbimit ndaj studiuesve, gjë që, për shkak të specifikave të deritanishme, ishte lënë pas dore” – tha Bido.
Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, theksoi se “Posta Shqiptare prej vitesh është një partner serioz për shumë institucione, të cilat kërkojnë bashkëpunimin tonë për kryerjen e shumë shërbimeve me interes publik. Marrëveshja e sotme është një tjetër procedurë me rëndësi që i besohet Postës Shqiptare, si një institucion efikas dhe eficent në kryerjen e shërbimeve. Posta Shqiptare do të vazhdojë t’u shërbejë qytetareve me të njëjtin përkushtim, sikurse për çdo shërbim tjetër që ne ofrojmë.”
Kjo reformë e shërbimit të dokumenteve me karakter social-juridik në dobi të qytetarëve parashikon që qytetarët duhet të plotësojnë formularin e aplikimit në Postë, të shlyejnë pagesën e tarifës së “kërkimit me pagesë”, si dhe të dorëzojnë dokumentet bashkëlidhur. Përgjigja do të jepet në afat standard prej 23 ditësh, në mënyrë që të mos ketë përshpejtim abuziv të kërkesave të diferencuara për qytetarë të ndryshëm. Tarifat e shërbimit janë të njëjta si më parë, ndërkohë që qytetarëve do t’u ulen kostot e transportit dhe do t’u kursehet ardhja në zyrat e Arkivit Qendror Shtetëror apo ato të Arkivave Shtetërore Vendore, teksa shërbimin, tashmë, do ta marrin pranë shtëpisë.
Të dhënat e detajuara dhe rregulloret e shërbimit do të gjenden të publikuara në faqen on-line të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, si edhe pranë pikave të autorizuara të Postës Shqiptare.