Një “biopic”(film i bazuar në historinë e vërtetë) nga Abel Ferrara do të rindërtojë, orët e fundit të regjisorit, poetit dhe intelektualit italian, Pier Paolo Pasolini, i cili u vra brutalisht në vitin 1975.
“Dëshironi të bëni një shëtitje?”
Kjo qe pyetja që poeti dhe mjeshtri i kinemasë italiane, i bën një djaloshi, siç rrëfyen ai më pas në polici.
“Ejani me mua dhe do t’u bëj një dhuratë”.
Kështu nisën ngjarjet që çuan në vrasjen e Pier Paolo Pasolinit- një intelektual brilant, regjisor, homoseksual- vizioni politik i të cilit – i bazuar në eros, katolicizëm dhe marksizëm – parashikonte edhe historinë italiane pas vdekjes së tij si edhe rritjen globale të konsumizmit.
Ajo, ishte një vrasje që, ende katër dekada më vonë, mbetet e mbështjellë në mister në Italinë e “specializuar për histori trillerash”, shkruan The Guardian.
Vrasja e tij, është kryer pranë stacionit hekurudhor në Romë rreth orës 22:30, më 1 nëntor 1975. Ky vend shënon pikën e nisjes së filmit, i cili përflitej si fitues i Luanit të Artë. Në të, interpreton Willem Dafoe dhe regjia është e Abel Ferrara, lindur në Bronx e me prejardhje italiane. Filmi përqëndrohet tek dita e fundit e jetës së tij të jashtëzakonshme. “Unë e di kush e vrau Pasolinin, por nuk do të jap një emër”, thotë Ferrara.
Në orën 1:30(të natës), tri orë pas takimit pranë stacionit, një makinë karabinierësh ndaloi një ‘Alfa Romeo’ pranë shëtitores në Ostia (Romë). Shoferi, Giuseppe (Pino) Pelosi, 17 vjeç, kërkoi të ikte por u arrestua për vjedhjen e makinës, që më pas u identifikua se i takonte Pasolinit. Dy orë më pas, trupi i pajetë i regjisorit u gjet i rrahur e i përgjakur pranë një fushe futbolli.
Pelosi do të rrëfente në polici: se ai dhe Pasolini ishin ulur për të ngrënë. Kishin qenë në një restorant që njihte regjisori pranë bazilikës së Shën Palit. Pino kish ngrënë spageti me vaj dhe hudhër, ndërsa Pasolini kish pirë një birrë. Në orën 23:30 ata kishin shkuar drejt Ostias, ku Pasolini “kish kërkuar të bënte diçka që Pino nuk kish dashur (ta prekte) me shkop”. Pelosi nuk pranoi të bënte asgjë me të dhe Pasolini e ka goditur; Pelosi vrapoi, mori një tavolinë dhe shkopin duke e goditur Pasolinin deri në vdekje. U arratis me makinë. “Kam vrarë Pasolinin” i tha ai policisë dhe shokut të qelisë.
Pelosi u dënua në vitin 1976 me “të tjerë të panjohur”. Ekzaminimi mjeko-ligjor, nga Dr.Faustino Durante arriti në përfundimin se “Pasolini ishte viktimë e një sulmi të kryer nga më shumë se një person”.
Në vitin 2010, ish-kryetari i bashkisë së Romës dhe lideri i Partisë Demokratike të qendrës së majtë, Valter Veltroni, kërkoi që çështja të rihapej për shkak të disa pasaktësive të çuditshme dhe për “rrethana të ndikuara politikisht”.
Shumëkush sheh pas vrasjes së Pasolinit, dorën e pushtetit. Kjo nuk do të ishte hera e parë: të majtë të njohur, janë sulmuar shpesh apo janë vrarë në Itali; feministja Franca Rame, e cila më pas do të martohej me dramaturgun anarkist Dario Fo, ishte përdhunuar nga neo-fashistët.
Anëtarët e familjes së Pasolinit, rrethi i miqve si dhe shkrimtarët Oriana Fallaci dhe Enzo Siciliano, kanë përmendur motive të mundshme politike për vrasjen. Ata, kanë sjellë prova që kundërshtojnë rrëfimin e Pelosit në polici, si përshembull: një triko e gjelbër që gjendet në makinë por që nuk i përket as Pasolinit, e as Pelosit. Gjurmë gishtash të përgjakura mbi çatinë mbi çatinë e makinës së Pasolinit, ndërsa mezi janë gjetur gjurmë gjaku të Pelosit. Një motor dhe një tjetër makinë janë parë të ndjekin pas Alfa-Romeon.
Në janar të vitit 2001, një artikull u botua në La Stampa me teori konspirative mbi vrasjen.
Një nga miqtë më të afërt Pasolinit, regjisori Sergio Citti, doli e tha se hetimet e tij kanë nxjerrë në pah prova tërësisht të anashkaluara: pjesë druri të përgjakura në afërsi të fushës së futbollit dhe një dëshmi e injoruar nga hetimi zyrtar, dëshmi që tregon se janë parë pesë burra ta tërheqin Pasolinin nga makina e tij.
Pasolini ka vdekur, por historia këmbëngul, siç ndodh edhe në një skenë të një prej filmave të tij. “Është vetëm në pikën e vdekjes”, ka thënë Pasolini në vitin 1967, “që jeta jonë, deri atëherë e paqartë, e padëshifrueshme e pezull – merr një kuptim.”