Këngëtaret Eda Zari dhe Elina Duni do të mbajnë një koncert protestë në Valbonë kundër ndërtimit atje të hidrocentraleve, më 29 tetor ora 14 dhe një tjetër në Tiranë kundër importit të plehrave, më 30 tetor ora 18:00. Rreth 20 artistë i janë bashkuar nismës së tyre. Dy këngëtaret, që jetojnë në Gjermani dhe Zvicër kanë mbajtur dje në Tiranë një konference para mediave për të prezantuar maratonën artistike, një protestë me art kundër shkatërrimit të natyrës dhe në mbrojtje të ajrit, ujit e jetës, siç thanë ato. Duke theksuar se është një nismë vullnetare e qytetare, e pavarur nga çdo axhendë politike, këngëtaret e njohura të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare njoftuan përtej kundërshtimit të HECeve, edhe kundër importit të plehrave në Shqipëri ndërsa në tryezën e konferencës, përkrah tyre qenë aktivistët e Aleancës Kundër Importit të Plehrave dhe banorë të luginës së Valbonës.
“E nisëm këtë për të ndërgjegjësuar dhe për të ngritur pikëpyetje. Nuk kemi lidhje me politikën e i ftojmë të gjithë të na bashkohen. Kjo është një nismë, e cila kërkon të sjellë mesazhin, ‘jo HEC-eve në Valbonë, lëre lumin të lirë dhe kundër importit të mbetjeve në Shqipëri’”, tha artistja Eda Zari. Është një nismë pa bordura apo ngjyrosje politike, është një maratonë artistike që mbështet, sensibilizon dhe sjell kurajën civile”, tha këngëtarja Eda Zari. Ndërsa shumë intelektualë e artistë si Dastid Miluka, Elton Deda, Etleva Nallbani, Sokol Çunga, Edon Qesari, etj. prej ditësh janë bërë pjesë e një videoje mbështetëse. Zari dhe Duni, dy këngëtaret e suksesshme thanë dje para mediave se shumë artistë të tjerë nuk u janë përgjigjur nismës së tyre, edhe pse theksuan se nuk mbështetin asnjë axhendë politike.
“Ne i kuptojmë problematikat e presionet, i kuptojmë të gjitha, edhe ngërçet, por natyra ka nevojë për zërin tonë, jo për heshtjen tonë”, tha Zari. Ndërkaq, Duni teksa vuri në dukje se, “e kam mbështetjen e prindërve” (ajo është vajza e Spiro Dunit dhe e Besa Myftiut), tha se i kupton kolegët, por se në demokraci sekush është i lirë të japë mendimin e vet dhe se duhet krijuar një lloj ndarje. “Unë i këndoj jashtë natyrës, u këndoj bukurive shqiptare dhe shumë të huaj më thonë më pas duam të vijmë në Shqipëri. Çfarë t’u them unë atyre, ejani se po ndërtojmë hidrocentrale në luginën e Valbonës, apo ejani se po sjellim plehra në Shqipëri?”, tha Duni.
“Propaganda dhe arti janë dy çështje të kundërta”, shpjegoi aktivistja Catherine Bohne. “Propaganda jep përgjigje, ndërsa arti të ndihmon të ngresh pyetje”, tha ajo para mediave, duke shpjeguar se projekti është mësuar një nga informacion i nisur gabimisht nga qeveria dhe se është krejt i lehtë anulimi i tyre, pasi ka pasur një sërë shkeljesh ligjore që do të mundësonin sprapsjen. Sipas Andi Tepelenës, tjetër aktivist i AKIP, sipas sondazheve, 96% e të pyeturve, janë kundër ngritjes se HEC-eve dhe kundër importit të plehrave.
“Artistët i japin tjetër imazh protestës e nismës. Aktivisti i AKIP, Gjergj Erebara tha se të dyja çështjet janë një përplasje e hapur mes interesit të së mirës së përbashkët dhe interesit privat. “Lumi i Valbonës është pronësi publike, rrjedhimisht u përket qytetarëve të zgjedhin nëse duan që ky lumë të shërbejë për turizëm apo të përdoret për prodhim të energjisë elektrike”, theksoi ai. Në protestat e Valbonës dhe Tiranës do të marrin pjesë edhe artistët Gent Rushi, Genc Salihu, Armend Xhaferi, Ilir Bajri, Kamela Islamaj, Marsela Çibukaj, Linda Rukaj, Emiljan Dhimo, Ermal Rodi, Alban Nimani, Olsa Papandili, grupi Jericho dhe Dj Oda.