Musine Kokalari në Vatikan/ Shkrimtarja e parë shqiptare, gruaja që u përndoq nga Enver Hoxha

Në mjediset e Arkivit të Shtetit në Romë, në sallën që mban emrin e Papa Aleksandrit VII, u mbajt takimi për shkrimtaren shqiptare Musine Kokalari, me rastin e botimit të veprës së saj në Itali, “Vitet e mia universitare”, por dhe në prag të 100 vjetorit të lindjes së saj.
Veprimaria zhvillohej nën patronazhin dhe bashkëpunimin e Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë dhe asosacionit “Occhio blu”.
Ishin mbledhur studiues, lexues, gazetarë, diplomatë, etj. Së pari foli Mario Bova, ambasador në Tiranë i para disa viteve, president i asosacionit “Ochio Blu”. Ai vleresoi jetën dhe veprën e Musine Kokalarit si dhe botimin e librit të saj.
Musine Kokalari është një grua emblematike, shkrimtare dhe politikane, që vuajti dhe u përndoq për ëndrrën dhe idealin, për demokracinë e vendit.
Më pas Kreu i Ambasadës tonë, Visar Zhiti, falenderoi për punën dhe përkushtimin e nxjerrjes në dritë në Itali të emrit të Musine Kokalarit, përgatitësit e botimit, antropologun Mauro Geraci dhe arkivisten Simonetta Ceglie, si dhe entin botues “Viella”.
Zhiti, si prurësi i dorëshkrimit të këtij libri në Itali dhe një nga autorët e parathënieve të tij, ndër të tjera tha se Musine Kokalari njihet si shkrimtarja e parë grua shqiptare dhe si disidentja e parë grua në perandorinë komuniste, ndërkohë dhe politikane, themeluese e një partie social-demokrate, hartuesja në klandestinitet e programit të asaj partie. Dënohet me burg dhe shuhet në mjerim. Sot vepra e saj nderohet në Shqipëri.
Profesor Ardian Ndreca foli për vlerat e librit “Jeta ime universitare” shkruar në italisht, ku tregon jetën e saj në Romë, gjatë kohës që ajo ishte studente në Universitetin “La Sapienza”, trishtimet dhe zhgënjimet e saj që përfundojnë me një përmbysje, pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Profesor Ndreca shpalosi dhe vlerat etiko-estetike të veprës duke theksuar porosinë e saj si luftëtare e lirisë.
Arkivistja Nevila Nika foli për Musine Kokalarin duke e parë nga një kënd tjetër, të dokumentin në arkiv, të letrave dërguar Musinesë, të cilat zbërthejnë lidhjet e saj të gjera, shqetësimet dhe arritjet.
Më pas u kalua në lexime nga libri “Vitet e mia universitare”, ndërsa Radio- Vatikani intervistonte nga të pranishmit. Ashtu siç titullohet dhe kolana e botimit “Kujtesa e rikthyer” dhe ky aktivitet, me jehonë në media, i sherben kujteses njerëzore, me qëllim që nga përvoja të nxirren vlera.
Personaliteti i Musine Kokalarit, takimi për të, përcollën forcën e gruas shqiptare, qendresën e saj për qëllimin më të bukur të jetës, ndërkohë dhanë dhe imazhin që Shqipëria sot nderon bijtë e bijat e vet më të mirë duke ecur në rrugën e lirisë drejt ëndrrës europiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *