Nga Lindita Bushgjokaj
Shumë kulla në Alpe, janë në këmbë dhe i kanë rezistuar kohës dhe ndryshimeve, ndërsa të tjera, janë ndërthurur me elementë të rinj, duke devijuar nga autenticiteti i tyre. Kulla që do ju tregojmë nëdritare.net, përveç unikalitetit si kullë e vetme 4 katëshe në të gjithë Alpet, ruan çdo element të traditës, brenda dhe jashtë saj.
Kjo kullë nuk njihet, nuk është promovuar, pasi do ishte një bujtinë e këndshme për shumë turistë që preferojnë natyrën alpine.
Kulla ndodhet në zonën e Nikaj-Mërturit. Nga Jezerca me 2694m lartësi, shpërndahen si rreze ne drejtime te ndryshme, tri gjymtyre të mëdha malore. Një nga ato që ka drejtim jugor, porsa arrin në malin e Boshit, ndahet në dy kurrize malore me lartesi mbi 2000m mbi nivelin e detit, duke i lënë vend në mes komunës Lekbibaj, që njihet edhe me emrin Nikaj-Mërtur. Për prejardhjen e emrit “Nikaj” thuhet se rrjedh nga i pari i tyre, i quajtur Nikë, që erdhi si bari nga Krasniqja, kurse Mërturi thuhet se është emër romak dhe ka ardhur nga Berisha në fshatin Mertur i Gurit, e prej atje në zonë dhe jashtë saj.
Në një fshat të quajtur Mserr, gjendet kulla më unike per nga lartesia, e cila të bie në sy dhe nga distanca të larta. Ajo është kullë 4 katëshe, për këtë meriton vëmendjen e parë.
E veçantë jo vetëm nga lartesia, por kjo kulle është e vetmja që ruan vlerat e mirëfillta të trashëgimise kulturore. Ajo përmbante elementët folklorike, por edhe në arkitekturë, shtojcat e saj, ruajnë mirefilli traditën e ndërtimit. Kjo sepse, historikisht traditën e muratorit e kanë të trashëguar brez pas brezi. Të parët shquhen si mjeshtër të gurit dhe artizanatit. Ndërtonin vetë çdo orendi që i shërbente jetesës.
Çifteli, sharki, artet figurative të spikatura në objekte me vlerë, si djepi i fëmijëve e tavolina të ndryshme.
Katër katet e saj janë të ndërtuara me gelqere, gur, dru dhe tra. Me 8 dhoma dhe 3 soba, një hapësirë e këndshme, e pastër, me aromë tradite.
Problemi kryesor i kësaj kullë është, mungesa e promovimit të saj si një shtëpi pritëse për turistët.
“Unë mund të pres 15-20 turistë, e këtë kullë dhe nuk e ndërroj me asnjë vend në botë. Është vuajtur shumë në ndërtimin e saj nga të parët e mi, e gjitha është bërë me dorë krahu. Dhe unë me ia kthye shpinën, mos e thashtë Zoti. Gjyshi im ishte shumë punëtor. Ka marrë pjesë në ndërtimet e shumë shtëpive, zanatin e ndërtimit e kemi të trashëguar. Quhej Pal Zefi. Ishte mjeshtër i gurit dhe artizanatit.”-thotë i zoti i kullës për dritare.net.
Sot, ndërsa promovohen Alpet, flitet gjithmonë e më shumë për kullat-bujtina, por ato janë atraktive kur kanë edhe një histori për të treguar, kur ruajnë dhe tregojnë të gjithë traditën kulturorë, shpirtërore dhe ndërtimore./ dritare.net