Nga Kastriot Bezati
Naim Frashëri, mësimet e para i mori në Frashër, ndërsa më 1865 vendoset në Janinë ku, më 1869 mbaroi gjimnazin “Zosimea” dhe, diplomën e kësaj shkolle “e ka me thënien: fort mirë””, – shkruan Mit’hat Frashëri, “Naim Frasheri”, Sofie, 1901. U pajis në këtë shkollë me kulturë bashkëkohore, mësoi greqisht, frëngjisht, italisht, ndërsa jashtë shkollës mësoi arabisht e persisht te i dituri Jakup Efendiu, – shkruan më 1896 në revistën “Serveti Funun”, vëllai i vogël i Naimit, Samiu.
Naimi, më 1871, shkoi në Stamboll. Nuk qëndroi më shumë se tetë muaj, sepse dhembja e kraharorit e detyroi të kthehet në Janinë. Në vitet 1874-76 punoi si drejtor dogane në Sarandë. Sëmundja e kraharorit dhe dhembjet në gjunjtë, nga reumatizma, “q’i erdhën nga të marrët të ftohtë në gjah”, e shtrënguan të largohet nga Saranda dhe të shkoj dhe të kurohet për gjashtë muaj në banjat e Badenit të Austrisë, – thotë Mit’hat Frashëri. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat. Më 1882 rishkon në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe, më vonë, të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të Zëvendësministrit në Ministrinë e Arsimit., – shkruan studiuesi Laurant Bica, “Naim Frashëri në Kostandinopojë”, Vëll. I, Tiranë, 2009. Naimi, më 14 gusht 1882, nënshkroi lejen për botimin e “Gramatikës” së K. Kristoforidhit.
Shtëpia e parë e Naimit ishte në Këlliç Ali të Beshiktashit, lagje në pjesën europiane të Stambollit. Këtu ai nuk qëndroi gjatë. Shtëpia e dytë, ku Naimi jetoi kohën më të gjatë dhe mbylli sytë, ishte Këzëll Topraku, që gjendet ndërmjet Kadiqoit dhe Erenqoit, lagje në pjesën aziatike të Stambollit. Shtëpia e Këzëll Toprakut u kthye në faltore për shqiptarët. “Aty u mblodhën atdhetarë si Kristo Hoxhi e Jani Vreto, Hoxha Tahsini e Ismail Qemali, Pashko Vasa e Murat Toptani … Ndër të parët pat ardhur Çajupi … Sevasti Qiriazi …Edhe Faik Konica i ri, kur shkoi dhe e takoi Naimin”, – shkruan Nasho Jorgaqi, “Vëllezërit Frashëri”, 2008.
“Çdo patriot ka vajtur tek ky burim atdhetarizmi, – thotë Sevasti Qiriazi. Naimi, – vazhdon më tej ajo, – ishte me shtat të mesëm dhe i imët, kishte fytyrë fort të qetë dhe tërheqëse, ishte i kthjellët dhe i vërtetë, ishte një magnet dashurie”, – përfundon Sevasi Qiriazi.
Naimi më 1880 shkruan poemën “Shqipëria”, e cila botohet më 1897. Më 1886 botoi poemën “Bagëti e Bujqësi”, “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve”, libra për shkollat: “Vjershat për mësonjtoret e para”, “E këndimit të çunave këndonjëtoria”, “Histori e Përgjithshme”. Më 1890 doli “Lulet e Verës”, pastaj “Mësimet” dhe “Fjala fluturake” më 1894, së fundi më 1898 poema e madhe epioke “Historia e Skënderbeut” dhe poema “Qerbelaja”. Naimi botoi 15 artikuj, 18 vjersha dhe 23 përalla në vargje në revistat “Drita” e “Dituria” dhe, në fund të shkrimeve të tij, firmoste me siglën “D”. Ç’do të thotë sigla “D”? Ndoshta do të thotë “Dangëlli” apo “Dulellarë”, siç njihej në fshat familja e Naimit, ndoshta ajo do të thotë “Dritë” apo “Dituri”, lejen e botimit të të cilave e nxori Naimi, ndoshta ajo sigël i përfshinte të gjitha: “Dangëllinë”, “Dulellarët”, “Dritën” dhe “Diturinë”.
Naimi, vitet e fundit të jetës, i kaloi i sëmurë në shtëpinë e tij në Këzëll Toprak. “Kishim katër vjet e gjysëm q’e qanim këtë njeri të madh: e dinim që sëmundja s’i kish shpëtim!”, – shkruan Mit’hat Frashëri. U nda nga jeta Naimi duke u gdhirë e shtuna, ora 2 e mëngjesit, dita e njëzet tetorit të motit 1900. Varrimi u bë të nesërmen, ditën e diel, 21 tetor 1900, në Teqen e Bektashinjëve të Merdiven Qoit në Stamboll. Varri u ngrit në krah të varrit të Abdyl Frashërit, i cili ishte i veshur i tëri me mermer të bardhë dhe, mbi të, një pllakë e zezë ku qenë gdhendur fjalët e Naimit: “Hybdyl vatan minel yman”, që do të thotë: “Të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës Mëmëdheut”.
Eshtrat e Naim Frashërit shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25 vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor 1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit.
Shefki Shatku, nënkolonel, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishta. Populli kishte mbushur sheshet dhe rrugët e Tiranës dhe hidhte lule dhe vetëm lule mbi arkivolin me eshtrat e Naimit.
Ndodhi ajo që tha Faik Konica më 1901. “Treqind shqiptarë t’anës kombëtare e shpunë në vënt të funtmë. Treqind veta e përcuallë … Një ditë do të vijë që shqiptarët do t’i sjellin të mbeturat e Naim Beut në atë Shqipëri … Ahere, nuk do ta përcjellin treqind atdhetarë, por do ta presë një komb i tërë”, – shkruante Faik Konica, “Albania”, Bruksel, Nr.4, 20.04.1901. Në ceremoninë e organizuar në Tiranë, ndër shumë të tjerë, në emër të familjes së Naim Frashërit, foli deputeti Eshref Frashëri nga trungu i familjes së Dulellarëve të Frashërit, afër të cilit ishte familja dhe vajza e Nevrezit, Naime Rusi. Edhe para arkivolit me eshtrat e Naimit, ndër shumë kurora, ishte edhe kurora e vendosur nga mbesa e Naimit, nga Naime Xhelal Rusi. Arkivoli me eshtrat e Naim Frashërit u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës.
Naimi u martua, ndoshta në pjesën e dytë të viteve ’70 të shek XIX, me Hatixhenë, e cila thirrej shkurtimisht Hexhe, vajza e një berberi nga Shkodra, e cila jetoi dy apo tre vjet më shumë pas ndarjes nga jeta të Naimit.
Asija, vajza e Sherifit, që u rrit, u arsimua dhe u edukua nga Naimi në Janinë e në Stamboll, u martua me Murat Toptanin, djalin e atdhetarit Said Shermedin Toptani, pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe mik i Vëllezërve Frashëri, sidomos i Abdylit. Murati, ishte së bashku me kushëririn e tij, Abdi Toptani, delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë më 28.11.1912, si delegat i Tiranës. U lind në Aka të Turqisë më 13 korrik 1968, ku ishte internuar nga Porta e Lartë familja e Saidit. E ëma e tij, Hanifeja, ishte vajza e Ahmet Pedis Kartajit nga Kaukazi. Murati kishte edhe një vëlla, Refikun, si dhe nje motër, Vesimen, e cila u martua me vëllanë më të vogël të Abdylit, Naimit e Samiut, me Mehmet Frashërin.
Murati, në Stamboll u regjistrua në shkollën “Madame Fyres”, ku studionte edhe Asija, vajza e Sherifit, e cila u njoh mirë me Muratin, sepse jo vetëm që ishin e qëndronin bashkë në shkollë, por edhe sepse Murati “ditët e pushimit tani i kalonte në lagjen “Këzëll Toprak” pranë Naimit”, – shkruan Ferid Hudhri, “Murat Toptani”, Tiranë, 1978. Më tej ai vazhdoi studimet e larta në shkollën “Sulltanie” të Stambollit, të cilat i mbaroi më 1894 dhe, edhe gjatë kësaj kohe, ai qëndronte pranë familjes së Naimit. Një vit më vonë, më 1895, Murati u martua me Asijen dhe martesa u bë në “Këzëll Toprak”, ku edhe banonte familja e Naim Frashërit.
Më 20 tetor 1897, Murati u arrestua nga Porta e Lartë në Çanakala dhe, për të dytën herë, arrestohet pas dy vjetësh, më 1899, po në këtë vend dhe, kësaj here, atij i internuan edhe familjen në Çanakala. Më vonë, Murati internohet nga Porta e Lartë në Konjë, provincë në juglindje të Turqisë, ku qëndroi deri më 1908. Shkolla për fëmijët ishte kujdesi i parë i Muratit në Konjë. “Kur e bën syrgjyn Muratin, Naimi kishte vdekur. Ishte rreth vitit 1903. Më thirrën mua t’i çoj fëmijët në Konjë … Murati kishte një shtëpi me dërrasa me dy kate … Ishte i ri. Kishte tre djem dhe një vajzë”, – i ka deklaruar Dhimitër Shuteriqit më 1960 përmetari Nexhip Kame Kajca, i cili ka shërbyer në shtëpinë e Frashërllinjëve në Stamboll.
Murati veprimtarin e zhvilloi kryesisht në Tiranë, në Stamboll, ne Napoli dhe në Bukuresht. Ishte një nga atdhetarët me kulturë të gjerë, zotëronte frëngjishten, turqishten, arabishten, persishten, gjermanishten dhe italishten. Si artist ka bërë vepra në skulpturë, pikturë dhe karikaturë. Më 1899, kur ishte në Napoli të Italisë, realizoi në skulpturë bustin e Skënderbeut. Shkroi poezi e artikuj publicistikë dhe, një pjesë e vjershave, u përmblodhën në librin “Vjershat e Murat Toptanit”. E respektonte dhe e donte Asijen, e cila ishte gjithashtu e pajisur me një kulturë të gjerë, njihte mirë frëngjishten, greqishten e turqishten dhe luante mirë edhe në piano. Në krijimin e vjershës “Dashuria” u frymëzua nga Asija, të cilës, Murati, i bëri edhe një bust të bukur kur ata ishin në Konjë të Turqisë. U nda nga jeta më 1917 në Tiranë. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 26.06.2012.
Asija dhe Murati kishin 11 fëmije, nënte djem dhe dy vajza, – thotë Bele Myteveliu. Sherifi ishte një nga djemtë, i cili u lind në Konjë dhe studimet e larta për teknologji dhe kimi industriale i mbaroi në Gjermani. Punoi 32 vjet në Kuçovë dhe ishte autori i shumë projekteve, novacioneve e shpikjeve të aplikuara me sukses në nxjerrjen dhe përpunimin e naftës. Më 1957 ishte ideatori i shuarjes së zjarrit në pusin e naftës në Marinëz të Fierit. Më 20 shtator 2001, Këshilli i Bashkisë së Kuçovës, me Vendimin Nr.69, e shpalli Sherifin Toptanin, nipin e Sherif Frashërit, “Qytetar Nderi” të Kuçovës.
Naimi dhe Hatixheja patën dy vajza, e para e quajtur Nerqeze, nuk jetoi as tre vjet, vdiq më 1881. Dhimbja e poetit, e babait, ishte e madhe. Në vjershën e titulluar “Mbi trupin e bijës sime të vdekur”, botuar në “Tehajjulat” (“Endërimet”), 1885, Naimi shkruan: “Mjeri unë, vaj moj bijë, mjeri unë!/ Moj e dashur, moj e ëmbla aq shumë!/ Pa ty mbeta, pa ty mbeta moj me lotë!/ U shkretofsh o qiell, moj zuzarja Rrotë!”. Vajza e dytë, Nevrezi, lindi në Stamboll. Ishte me kulturë, dinte frëngjisht dhe arabisht, njihte jo vetëm kulturën e Turqisë por edhe të Europës. I binte edhe pianos dhe, një piano, e solli me vete në pajë kur u martua me Xhafer Luarasin, – shkruajnë Alfred dhe Neki Frashëri. U nda nga i shoqi, Xhaferi, sepse në shtëpinë e tij gjeti zakone e mendime si dhe u ndesh me veprime, që ishin mbytëse për shpirtin e kulturën emancipuese e civilizuese të Nevrezit.
Nevrezi u martua në Stamboll me Shahin Kolonjën, atdhetarin veprimtarin, publicistin dhe propagandistin e ideve kombëtare e demokratike, i cili kishte lindur më 1865 në Starje të Kolonjës dhe, pasi kishte kryer filloren në Starje e Ruzhdijen në Korçë, më 1895, kishte kryer edhe Fakultetin e Juridikut në Universitetin e Stambollit. Punon në fillim si drejtor në Idadijen (Gjimnazin) e Edrenesë dhe pastaj në Idadijen e qytetit Gjymylxhime. Më 1897 emërohet kajmekam në Kozhan të Selfixhes, më pas, më 1900, po me këtë detyrë në malin e Shënjtë (Ajon Oros), ku kishte 30 manastire e jetonin 1500 murgj dhe, më vonë, emërohet po në detyrën e kajmekamit në Vlorë. Nga 14 deri më 22 nëntor 1908 morri pjesë si delegat i Kolonjës në Kongresin e Manastirit, kryetar i të cilit ishte Mit’hat Frashëri, ku u zgjodh edhe anëtar i Komisionit të Alfabetit, kryetar i të cilit ishte Gjergj Fishta. Po atë vit u zgjodh deputet i Korçës në Parlamentin Osman, që u hap më 17 dhjetor 1908.
Shahin bej Starja apo Kolonja, qysh në moshë te re, shkonte në shtëpinë e Naim Frashërit, në Këzëll Toporak. Takohej e bisedonte shpesh me Nevrezin dhe Asijen. Ishte një nga të rinjtë shqiptarë që vlerësohej nga Vëllezrit Frashëri. Viti 1900. Në tetor ai nuk ishte në Stamboll. Lajmi i vdekjes së Naimit e tronditi shumë. Në dhjetor ai shkon për t’i dhënë lamtumirën e fundit mësuesit të vet në varrezat e Merdiven Qojit, – shkruan Piro Tako, “Shahin Kolonja”, Tiranë, 1984.
Në gusht të vitit 1909, Nevrezi, vajza e Naim Frashërit, martohet me Shahin Kolonjën, me të cilin njihej qysh kur ajo ishte jo më shumë se dhjetë vjeç, më 1896. Kur u martua ajo ishte 26 vjeç, ndërsa Shahini 44. Dasma u bë në lulishten “Çuçuk Moda”, në Kadin Qoj, – shkruan studiuesi Piro Tako. Morën pjesë ndër shumë të tjerë edhe kunati i saj, Murat Toptani, i shoqi i Asijes, si dhe bashkëluftëtarët e ngushtë të Shahinit, Bajo e Çerçiz Topulli si dhe Mihal Gramenua.
Nevrezi, e shoqja e Shahinit, lindi një vajzë të bukur e të shëndetshme, që i vunë emrin e Naimit, e quajtën Naime.
Shahini u nda nga jeta më 1919 dhe, Nevrezi e rriti Naimene, duke patur edhe ndihmën e xhaxhait, Mehmetit, si dhe të vëllait të Shahinit, Zylfos, të cilit ia la si amanet në momentin e fundit të jetës Shahini.
Naimeja u martua me Xhelal Rusin, farmacistin e njohur, i cili kishte studiuar dhe ish diplomuar në Francë. “Ishte djali i Rahmi Rusit nga Leskoviku, i cili ishte patriot, bashkëpunëtor i At Stath Melanit, si dhe vëllai i Skënderit dhe i Mynever Rusit dhe, të tre fëmijët e Rahmiut, i cili vetë u nda nga jeta në Përmet më 1915, në vitet 1939-1944 mbajtën një qëndrim antifashist, u lidhën ngushtë me LANC-in”, – më thotë më 15 nëntor 2011 Myftar Taria, i lindur më 1921 në Starje të Kolonjës, por me orgjinë nga Tarenjtë e Frashërit, kur me ne në bisedë ishin edhe shokët e miqtë e Myftarit, studiuesi Alfred Frashëri dhe veterani i LANÇ-it, Iljaz Lumani. Naimeja dhe Xhelali, kishin tre fëmijë, një vajzë, që mbante emrin e gjyshes, të Nevrezit, e cila u vra gjatë bombardimeve më 1944 në Tiranë, kur ishte 12 vjeçe, dhe dy djem, Asllanin dhe Rahmiun, që edhe ky i dyti mbante emrin e gjyshit, të Rahmiut.
Asllani, lindur më 1945 dhe ndarë nga jeta më 1977, ishte një supervolejbollist, Mjeshtër i Merituar i Sportit. Ka luajtur volejboll me KS “17 Nëntori” dhe KS “Dinamo”. Ka fituar 7 herë Kupën e Republikës dhe ka zhvilluar 80 takime ndërkombëtare, nga të cilët 35 me skuadrën kombëtare, në vitet 1963-1975. Ka fituar medalje ari në spartakiadën kombëtare të vitit 1969.
Ishte një legjendë e volejbollit.
“Asllani ishte shoku im i skuadrës në ekipin e Dinamos. Ishte një nga viganët e volejbollit shqiptar”, – më thotë Mjeshtri i Merituar i Sportit, Kreshnik Tartari. Më 1997, stadiumit të lojërave me dorë në Tiranë, iu dha emri Pallati “Asllan Rusi”.