Nga Arian Leka
Po a do të ishte i mjaftueshëm përdëllimi i dëshmitarit nëse nuk do të kuptonim se sa fakte ndodhin, ndërkohë që ne flemë?
Njohësit e poezisë së Wisława Szymborska-s janë të mësuar tanimë me faktin se diçka lojcake gjendet përherë fshehur pas “së thjeshtës” aq të përmendur te kjo poete, të cilën Czeslaw Milosz na e paraqet të vyer, si një pasuri e përbashkët e njerëzimit.
Në librin “Poezi të zgjedhura” të kësaj autoreje, i cili u përurua para disa ditësh me nismën e Ambasadës së Polonisë në Tiranë, veç përkthimit qëmtues në ndjesi dhe fjalë, të bën përshtypje edhe përzgjedhja e kujdesshme e teksteve. Duket pra, se ka një ngulmim, por edhe një paramendim për të thënë diçka më shumë përmes kësaj përzgjedhjeje jo të rastësishme. Pandeli Çina, përkthyesi i librit në gjuhën shqipe, i cili është njëherazi edhe përzgjedhësi i këtij gjerdani poezish, ka përballuar një sfidë të veçantë. Ai ka shmangur të lehtën me të cilën ndeshemi gjatë hartimit të një përmbledhjeje me poezi. Dhe më e lehta është krijimi i një antologjie me poezitë që nuk mungojnë kurrë në botimet e autores, pjesë e së cilës do të ishin me siguri të mirënjohurat “Fundi dhe Fillimi”, “Veshja”, “Mundësitë”, “Buzëqeshja”, “Utopia” “Gëzimi i të shkruarit” apo “Në parajsën e motrës sime”. Këto krijime mungojnë, porse në vend të tyre Pandeli Çina sjell poezi të tjera, po aq të spikatura gjithashtu, për të nënvijëzuar qartë një nga profilet më të fuqishme të Wisława Szymborska-s: profilin e dëshmitarit. Pjesë e kësaj zgjedhjeje është edhe poezia Një orë, herët. Në dukje ngjan sikur është po ajo ironi e dhimbsur dhe janë po ato detaje të brendshme, që i njohim dhe i presim nga Wisława Szymborska. Duket sikur teksti thjesht përshkruan ceremonialin e hyrjes së një fashe drite brenda dhomës ku dikush po fle. Drita bie mbi tavanin dhe mbi muret e dhomës, mbi një gotë dhe mbi bravën në derë. Kaq. Asgjë që nuk e kemi vënë re edhe ne.
Por aty gjenden edhe disa vargje, në krye dhe në fund të poezisë, që e ndryshojnë krejt mendimin, siç një pritë ndryshon rrjedhën ujore. Po a do të ishte i mjaftueshëm përdëllimi i dëshmitarit nëse nuk do të kuptonim se sa fakte ndodhin, ndërkohë që ne flemë? E kemi përherë një alibi. Shumë fate ndryshojnë ndërkohë që ne mund të shfajësohemi, duke thënë “nuk isha aty”, “isha në ëndërr”, “nuk pashë” dhe “nuk” dëgjova gjë. Por ndërkaq, dikujt i ndryshon fati. Diçkaje i ngushtohen apo i zgjerohen hapësirat. Diçka fillon të bjerë pak më shumë në sy, për shkak drita ndahet nga errësira dhe ajo që ndihej e rrëzuar, fillon të ngrihet e të quhet ndryshe.
Edhe në poezitë më lirikë të saj, Wisława Szymborska nuk e shmang thuajse asnjëherë kontekstin historik. Ajo që shpallet dhe ajo që nënkuptohet prej lexuesit përbëjnë sfondin e realitetit njerëzor që kjo poete e vendos mes personales dhe mendësisë së brezit, të trashëgueshmes apo të diçkaje prej së cilës do të ndahemi dhe do të humbasë përgjithmonë bashkë me ne. Përtej kornizës poetike të përshkruar nga Wisława Szymborska, lexuesi e sheh qartë dhe gjerësisht jetën e tij, duke e përfytyruar dhomën, si një eufemizëm të botës sonë. Kur ne flemë ndodh mrekullia. Por kjo, në vend të na krijojë ndjesinë se gjithçka është dhe po shkon mirë e bukur, na bën të kuptojmë se “Zakonisht zgjohem në rolin e një dëshmitari të vonuar.” Bota e ka marrë formën, ndërkohë që ne flemë ose heshtim si livadhet e “heshtur, si një dëshmitar i është blerë”, duke u bërë pjesë e sistemit. Duke braktisur me vetëdije lartësitë, për të cilat lipsen flatra, siç dhe Szymborska shprehet në poezinë ku i del mbrojtje zogjve “apoetikë”, kjo autore bëhet përcjellëse e lajmeve të asaj bote “ku punët shkojnë mirë veç në fillim”, “ku mirësinë unike të njeriut e ndeshim në forma të papërsosura”, “ku të shkathëtit, ata që i kanë punët përherë në rregull, heshtin dhe janë pa dyshime”, “ku kthjelltësia shfaqet si formë e çmendurisë” dhe ku “secilit, që të jetojë, i duhet të ushqehet me jetën e tjetrit.” Këto janë gjymtyrë, që çdo lexues do i ndeshë gjatë leximit, për t’i dhënë vlerë dhe kuptim jo vetëm lirizmi tipik dhe personal të autores, por edhe asaj “ti” dhe “ne” që ndeshim në poezitë e Wisława Szymborska-s, që na sugjeron dëshminë në vend të profetizimit dhe ndërtimit të një të ardhmeje me fytyrën e së keqes që ndodh në praninë tonë, në dijeninë tonë dhe me ndihmën tonë. Duke u përkthyer, çdo autor bëhet pjesë e kulturës ku hyn dhe përjetohet si të ishte një autor vendës, që vargjet i ka shkruan në shqip dhe për shqiptarët. Të tilla, si pjesë e konteksti tingëllojnë poezitë “Harta”, “Pasqyra”, pyetjet e poezisë “Lista”, “Lamtumira e peizazhit” “Rrëfime të makinës që lexon” apo përgjigjet e te “Profesori i moshuar”. Prej kësaj, Wisława Szymborska bëhet vijuese e po asaj ndjeshmërie që e ndeshim edhe te John Donne, kur shprehet se “askush nuk është një ishull”.
Përmes thjeshtësisë së detajeve, largësisë së qëllimshme prej “ngjarjeve botërore” dhe pozicionin e poetit në këto histori, Wisława Szymborska bëhet pjesë e çdo realiteti aspak mistik, por misterioz, të cilin ajo e mban shënim, për t’ia besuar më pas kujtesës së lexuesit. Teksa lexon përkthimet e ardhura mirë në shqip, mund të besosh se ka ende diçka të gjallë nga përfytyrimi që lidh poezinë me pendët apo me turfullimën e Pegasit. Por në rastin e Szymborska-s kjo të kujton më shumë fuqinë e fluturimit se sa delikatesën e fjalës së stisur që përpëlitet për të prodhuar dhembje, emocione të pagabueshme, që kullojnë lirizëm dhe dije. Wisława Szymborska nuk mban anë. Ajo njeh rëndomtësinë e njeriut, të botës së tij dhe të historisë që ai krijon.
Në vend që të rrijë përmbi, kjo poete bëhet pjesë, shkrihet me misteret e thjeshta të atyre që vazhdojnë ta shijojnë poezinë, që strehohen në një kinema, tek ata që kuptojnë se njohja, njëlloj si përjetimi janë vetjakë, njerëz që dyshojnë, por që gjejnë të jetë edhe te gërnjat, te tradhtitë dhe te format e pafundme të së vërtetave, siç ato gjenden si karakteristikat kryesore të poezive të botuara në vëllimin “Poezi të zgjedhura” (Morava 2015). Mirëbesimi, si dhe ndjenja e humorit të matur në këto poezi, janë elemente që shoqërojnë leximin sa herë që poetja vihet të kërkim të vlerave të fshehura, meqenëse ajo vetë nuk i përmend vlera të humbura të njeriut.
Ndaj dhe Wisława Szymborska nuk mashtron askënd me poezitë e saj, ardhur në forma të pandërlikuara. Jo që t’i bëjë të besueshëm, por që t’u japë jetë, ajo krijoi personazhe edhe në poezi, duke risjellë forma dhe duke e pasuruar me fabul dhe narracion poetikën e saj. Kjo fabulistikë dhe ky narracion përjetohet si një dhuratë që autorja i blaton kujtesës së lexuesit, i cili pas kësaj mund t’i ritregojë si “ndodhi poetike”, pa drojën se gjatë ritregimit humbet metaforën, rimën apo thelbin e konceptit filozofik të vargut poetik. Kësisoj poezia shndërrohet në një kënaqësi të arritshme, si një e mirë publike, që u përket të gjithëve. Koha, kujtesa, qenia, ekzistenca dhe hapësira e poezisë zgjerohet përmes këtij procesi. Poezia kalon kështu në të tjera duar, po aq të sigurta, duke përmbushur qëllimin e qenies së saj, që nuk zë fill me shkrimin, që nuk merr fund me leximin, por që shfaqet si një akt i pandërprerë dhe i përtërirë i pasurimit të përvojave njerëzore përmes njëri-tjetrit.(Mapo)