Java e Dritëroit/ Shkrimtari falenderon organizatorët dhe ca vargje për kritikët: Tu japim fund gjithë marrëzive!

Shkrimtari Dritëro Agolli që këtë javë festoi 85 vjetorin e ditëlindjes ka falenderuar gjithë organizatorët,veçanërisht Ministrinë e Kulturës për aktivitet e shumta të organizuara, në atë që u quajt Java e Dritëroit.

Postimi i Agollit në faqen e tij zyrtare:

Dritëroi është ndër njerëzit e rrallë, të paktë, të cilin, sa më shpesh ta takosh, aq më shumë të pëlqen dhe sa më shumë ta njohësh aq më shumë e nderon. Ata që nuk e kanë takuar, nuk do të mund ta imagjinojnë mendjen e tij diamantore; as bisedën e tij të pasur, plot përmbajtje; as shprehjen e tij aq të figurshme; as shikimin e tij djallëzor – nuk do të jenë në gjendje ta imagjinojnë gjeniun e tij

Faleminderit të gjithëve për këtë javë miqësore që mori vetiu emrin Dritëro.

Faleminderit Ministrisë së Kulturës, Drejtorisë së Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit, nismës #ShqipëriaLexon dhe #Takohemipërnjëlibër; Biblioteka Kombëtare; Akademia e Shkencave, Arkivi Shteteror i Filmit; Teatri Kombëtar. Faleminderit Znj. Mirela Kumbaro; Znj. Persida Asllani; Prof.Shaban Sinani, Akademik Floresha Dado, Akademik Muzafer Korkuti, Prof. Xhevat Lloshi, Prof. Vasil Tole, Akademik Ali Aliu, miqtë e afërt krijues Prof. Alexandre Zotos, Xhevahir Spahiu, Zija Çela, Nasho Jorgaqi; Namik Dokle.

Faleminderit mbështetësve pa asnje rezerve Banka Credins; Eurosig; DigiPrint; Univers Reklama; Platea; Grace Models dhe bashkepunetoreve #edra #armanda #juli #dori #ori #ana #ina #fatjona #eris #xhudi

Miqtë e faqes, edhe ata që shkruajnë në privat, çdo mesazh juaji i është përcjellë Dritëroit! Ju faleminderit!

Faleminderit edhe atyre të cilët fjalën e mirë e kishin, por zgjodhën kritikën, por s’ka gjë, edhe ata u kujtuan gjithsesi.

Tek gjyshërit tanë

T’u japim fund të gjitha marrëzive
Dhe ndofta fund dhe gjërave idiote,
Madje të shkojmë larg dhe prej shtëpive
Që mbledhin ndyrësirat e një bote.
T’u japim fund të gjitha marrëzive.

Të shkojmë atje ku rrojtën gjyshërit tanë
Tek bimët, shpezët, kafshët dhe insektet, –
Këta të vjetër gjyshër tru na dhanë,
Kur s’ishin as katundet, as qytetet.
Të shkojmë atje ku rrojtën gjyshërit tanë.

Të shkojmë atje ku nis rrëkeja jonë,
Ku vdekja vdekje është e jeta jetë,
Ku rrenën me çarçaf nuk e mbulojnë, –
S’e futin në krevat si të Vërtetë.
Ndaj shkojmë atje ku nis rrëkeja jonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *