Helidon Haliti triumfon në bienalen e Hong Kongut, merr çmimin “Mjeshtër i Madh”

I njohur për magjinë e tij në teknikën e akuarelit, artisti me famë ndërkombëtare, Helidon Haliti, ka rrëmbyer trofeun e tij të radhës në Hong Kong. Piktori Haliti ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ku u nderuar me titullin “Mjeshtër i madh”.  Ky çmim ndërkombëtar për piktorin që përfaqëson Shqipërinë, erdhi pas vendimit të jurisë ku vlerësoi Helidon Halitin ndër 300 artistë të tjerë ndërkombëtarë nga rreth 60 shtete.

Gjatë ceremonisë së ndarjes të çmimeve, kryetari i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelistëve (International Watercolor Society), Atanur Dogan, vlerësoi artistin shqiptar dhe punën që ai po bën për të organizuar edhe në Shqipëri bienale të mëdha të kësaj teknike që shërbejnë si pikë takimi të kulturave të vendeve të ndryshme të botës.

“Mendoj se të gjithë e njohin Helidonin. Ai është një nga mjeshtrat e mëdhenj të akuarelit. Është një njeri shumë i mirë dhe një organizator i mirë gjithashtu. Ky artist ka organizuar edhe 2 evente shumë të mrekullueshme në Shqipëri dhe një do të organizohet së shpejti në mars”, deklaroi Dogan. Ai ftoi të gjithë të pranishmit që të mos e humbasin pjesëmarrjen e tyre në Bienalen Ndërkombëtare të Tiranës që do të zhvillohet në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Ndërsa aristi Haliti shfrytëzoi rastin për të ftuar të gjithë artistët në bienalen e akuarelit që zhvillohet në Shqipëri, në muajin mars të vitit të ardhshëm. “Të gjithë duhet të vijnë në Shqipëri. Dua t’ju falenderoj të gjithëve dhe e vlerësoj shumë këtë event. Unë i njoh pothuajse të gjithë përmes Facebook, por tani kemi shansin që të jemi të gjithë këtu. Akuareli i bashkon njerëzit. Faleminderit z. Dogan dhe të gjithëve ju për çmimin”, u shpreh Haliti pas marrjes së çmimit.

Më 12 mars 2017, Shoqata Ndërkombëtare e Akuarelistëve për Shqipërinë (IWS Albania) do të organizojë bienalen e dytë ndërkombëtare të akuarelit në Tiranë, ku pritet të marrin pjesë mbi 400 artistë nga e gjithë bota.  Bienalja e parë e mbajtur në vitin 2015, solli në Shqipëri 200 artistë nga 50 shtete të botës. Këtë vit, organizatorët premtojnë një prurje më cilësore dhe një bienale edhe më të madhe.

Master Award (1) Master Award (2) ne performance (4) Shqiperia ne bienale (1)

ne performance (5) ne performance (3) ne performance (6)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *