Lumturi Blloshmi rikthehet me një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ajo gjithnjë e ka parë artin si një formë jo vetëm për të shprehur ndjesitë e saj më të thella, por dhe për të protestuar, shkruan gazeta “Shqip”. E ndjeshme ndaj situatave në të cilat ka kaluar vendi, veprat e saj kanë shpesh si format më të mira ku mund të shihej realiteti. Me një karrierë në art të nisur pas viteve ’70, ajo ka vazhduar të ruajë të njëjtin raport, si një nga artistet më prodhimtare ndër vite. Galeria Kombëtare e Arteve ka zgjedhur ta hapë vitin 2016 me një ekspozitë personale të artistes Blloshmi. Ekspozita sjell në fokusin e aparatit fotografik një fazë të rëndësishme të krijimtarisë artistike të Lumturi Blloshmit. Artistja vjen në këtë ekspozitë përmes fotografive të instalacioneve dhe performancave të realizuara pas viteve ‘90. Si një ditar i hapur, ato rikujtojnë mesazhet e fuqishme artistike dhe sociale që Blloshmi i ka transmetuar publikut në ekspozitat e saj personale, apo në grup. Instalacione, apo performanca që kanë mbetur në kujtesë të shumëkujt si: Obsession – The Pyramid; The utopian Road; Ambiguity; The invasion of the space; Paradox; Duality; It’s a Wonderful Life; It’s a men’s world, do të jenë pjesë e ekspozitës vetjake të Blloshmit. Përveçse si një retrospektivë e 25 viteve të fundit të artit të saj, ajo vjen si një dëshmi e përforcuar se Lumturi Blloshmi është një nga artistet e para femra që solli mediumin e instalacionit dhe performancës në Shqipëri.
Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973 – 1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar te peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.
Një ndër ekspozitat e saj më të njohura është “Kama sutra” vite më parë. Piktura e Blloshmit është quajtur avangardë, po kështu dhe shqetësimi i saj i vazhdueshëm për çështje që kanë të bëjnë sidomos me femrën në vend. Ajo ka provokuar shpesh në këtë çështje, duke pikturuar dhe imazhin e vet nudo. Interesante ishte dhe ekspozita “Homazh për Damian Hirst”. Blloshmi ka aftësinë të aktualizojë veprat duke i dhënë një mesazh realitetit të sotëm. E lindur në Tiranë më 1944, Blloshmi pas studimeve të mesme në Atelienë e piktorit Guri Madhi për pikturë (1963), vazhdon Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, në degën e pikturës nën drejtimin e pedagogëve: Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, Danish Jukniu dhe mbron diplomën në vitin 1968. Më tej Blloshmi do të punojë si piktore dekoratore për shumë vjet në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, Tiranë, në GKA, në Institutin e Monumenteve të Kulturës, ku dhe del në pension. Krijimtaria artistike e piktores Lumturi Blloshmi është mjaft e gjerë dhe e rëndësishme. Piktorja Blloshmi ka lëvruar gjinitë e vogla si peizazhin, natyrën e qetë dhe kompozimin dekorativ simbolik. Vepra piktorike e Lumturi Blloshmit është mjaft e gjerë dhe grupohet në disa periudha e cikle. Periudha e para viteve ’90 (1968-’90), karakterizohet nga realizime piktorike në Plain-air (kryesisht peizazhe), që dallohen nga një kolorit mjaft i fuqishëm, kompozime dinamike të veçanta e interesante. Qytete si Berati, Korça, Kruja si dhe natyra shqiptare ishin objekti i veprave piktorike, që tërhiqte vëmendjen e kritikës dhe të publikut, në ekspozitat dhe konkurset lokale e kombëtare të para viteve ’90. Sigurisht që periudha e dytë (pas viteve ’90 e në vazhdim) ka një prodhimtari artistike më të gjerë, mjaft interesante si në cilësitë artistike që ajo mbart, por edhe në variacionet e shprehjeve artistike. Mjetet shprehëse tashmë kanë një diapazon të gjerë, duke filluar në tablotë që realizohen nga natyra, nga veprat dekorative-simbolike e deri tek instalacionet e rezultatet artistike. Duke pasur një shpirt të lirë e rebel, Blloshmi frymëzohet nga ngjarjet politike bashkëkohore dhe nga jeta sociale shqiptare, duke realizuar në formë ciklesh tablo, që i realizon me një paletë shprehëse dhe me zgjidhje të papritura kompozicionale. Të kësaj periudhe janë cikli “Nudot” (që fillon në vitin 1992), cikli “Martesa”(1995), cikli “Misteri biblik” (1995) cikli “Etaloni perfekt”(1995), cikli “Piktori i kryqëzuar” (1995). Ekspozita që do të hapet më 21 janar, sjell një rrugëtim të këtyre dy dekadave të fundit, në artin e Blloshmit, i cili në njëfarë mënyre jep dhe një rrugëtim të artit në Shqipëri këto vite.(Shqip)