Një foto e Petrit Rukës dhe një “fotografi” e sotme e Tropojës, Lezhës e Tepelenës

Poeti Petrit Ruka është bërë nostalgjik dhe ka postuar një foto me një tjetër poet të njohur të Tepelenës, sot diplomatin Ilirian Zhupa. Foto i përket viteve tetëdhjet, kur Shqipëria po njihte një lulezim të poezisë së brezit të ri, të shpërndarë në tre qendra të saj, në Tepelenë, Lezhë dhe Tropojë.

Petrit Ruka Ilirian Zhupa dhe Qazim Shemja në Tepelenë, Preç Zogaj, Rudolf Marku, Ndoc Gjetja Agim Isaku e të tjerë në Lezhë, Hamit Alia, Skëndër Buçpapa, e Ndoc Papleka në Tropojë kishin krijuar një gjeografi të poezësë së re në Shqipëri, duke i idnetifikuar këto treva me njerëz të kulturës.

Duke parë postimin e Petritit, ndjej dhimbje se këto tre qytete, 36 vjet më pas nuk janë të njohura më për njerëz të kulturës, apo artit, por për “të fortë” dhe banda. Politika ja ka arritur që pas 36 vitesh ne të mos flasim më për kryeveprat e Petrit , poezinë e ndjerë të Ilirjanit, butësinë e egër të Precit në poezi, apo filozofinë e Gjetjes, baladat e Hamitit dhe Paplekës, por për “të fortët” e Tropojës, Tepelenës dhe Lezhës, të cilët janë personanzhe kryesore të ligjit të dekriminalizimit. Ky është bilanci më i hidhur që i ka dhënë sot Shqipërisë kjo politikë. Dhe këtë bilancë e kupton duke parë këtë foto, e cila Petritit, mund ti kujtoj shumë gjëra personale, por ne na bën një bilanc të hidhur të ecjes sonë së prapthi. Qoftë dhe kur mendojmë ku janë sot këta njerëz dhe nga kush janë zëvendësuar në opinion publik.

M.Baze

Ja postimi i Petrit Rukes

Kjo foto duhet të jetë bërë 36 vjet më parë, një të diele në Tepelenën tonë. Dy shokë, miq, sivëllezër të një jete. Iliriani mësues letërsie në shkollën e mesme Izvor, gati 30 kilometra, larg shtëpisë së tij nga qyteti i vogël dhe unë po kështu, në Turanin tim. Mezi prisnim të shtunat të takoheshim, të çmalleshim, t’i lexonim plot pasion poezitë e reja që kishim shkruar gjatë javës, të pinim konjak në të ashtuquajturin turizëm, të bënim xhiron e mbrëmjes, të shikonim vajzat e bukura, të flisnim për to, të qeshnim, të qeshnim dhe sërish të përsërisnim ritualin deri natën vonë, të pinim konjak e cigare pa pushim.

Ndonjëherë zbriste me ne nga Qesarati i tij buzë Vjosës edhe Qazim Shemaj dhe festa bëhej edhe më e bukur. Doza e alkolit shtohej.

Të rinj, plot ëndrra sarhoshe, sfidantë me drejtorat e shkollës, me zyrtarët, me mediokrit, me gjithçka.

Ndonjëherë në xhiro shfaqej sekretari i parë i partisë, një burrë i paditur dhe zemërlig me gjithë shpurën e tij të komitetit nga pas, që e kish dërguar Ilirianin një vit në minierën e qymyrgurit, duke e lënë pa një bursë studimi për në universitet, sepse kish zbuluar që lexonte letërsi të ndaluar borgjeze. Mua më kishin degdisur të mbaroja në Shkodër dhe jo në Tiranë po ai e pati pësuar edhe më keq. Historia e dënimit të tij për të mos vazhduar studimet normalisht me shokët e maturës ish një tragjikokomedi më vete. Dikujt i pati dhenë romanin borgjez “Kompania e bretkosave” dhe me këtë mëkat qe marrë vetë ai burri i vockël, që ish i madhi i vendit.

Sapo e shihte Iliriani, nxihej dhe më jepte komandën; “futi duart në xhepa, kokën ngrije shumë lart dhe ktheje nga ana tjetër. Madje po munde fishkëlle me vete për qejfin tënd.” Ishte e vetmja sfidë injorimi që mund t’i bënim. Dhe e bënim me një kënaqësi që na shkonte deri në palcë. Pastaj qeshnim për “betejën” e re që kishim fituar. Ish e vetmja trimëri që mund të bënim në ato kushte.

Të pagjumë nga leximet dhe diskutimet, që vazhdonim deri në mëngjes. Shpesh flinim në shtëpitë e njeri-tjetrit dhe e gdhinim ashtu shtrirë deri sa agu shfaqej në dritare. Dhe të hënën niseshim sërish tek nxënësit tanë, me premtimin, se ja, e shtuna tjetër edhe pesë ditë do që të vijë…

Uh, sa kujtime mund të sjell edhe një foto e vetme!./TemA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *