Historia e anijes e mbytur me shqiptarë me 28 mars të vitit 1997 do të vihet në skenën e teatrit të Sarajevës nga Hersiana Matmuja dhe Mario Daniele. Historia e trishtë e 57 shqiptarëve që humbën jetën në Tragjedinë e Otrantos do të rikthehet në skenë përmes muzikës, në kuadër të MESS. Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Sarajevë, vjen këtë vit në edicionin e tij të 56-të dhe nis me 30 shtator duke mbajtur shfaqje deri më 9 tetor.
Pjesë e kësaj performance do të jetë edhe Grupi Polifonik Shqiptar i përbërë nga Nazo Çelaj, Valter Hodo, Sali Brahimaj, Nikolin Likaj dhe Meleq Çela.
Muzika e “Katër i Radës” është krijuar nga Admir Shkurtaj, ndërsa shkon në Sarajevë me regjinë e Salvatore Tramacere dhe libretto të Alessandro Leogrande. Hersiana Matmuja është këngëtarja shqiptare që njihet për performancat e saj edhe operistike në Itali, ku jeton e punon prej kohësh. Në këtë skenë të Sarajevës, Matmuja vjen si pjesë e Cantieri Teatrali Koreja, një qendër e prodhimit teatror. Ajo e ka bërë të ditur këtë pjesëmarrje në rrjetin social të facebook ku ka publikuar dhe një video prezantuese.