Reagon Teatri Kombëtar pas përplasjes së drejtorit: Gazetari provokoi aktorët

teatri

Me një reagim zyrtar të sapombërritur, Teatri Kombëtar ka dhënë të parin qëndrim për ngjarjen e mbrëmshme, përplasjen mes drejtorit të tij Hervin Culi me gazetarin e ABC News, Eni Shehu. Njoftimi për mediat mbron qëndrimin e drejtorit, me pretendimin se gazetari gjatë shfaqjes ka provokuar, bezdisur e shqetësuar aktorët. Më poshtë reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje:

Dje në Teatrin Kombëtar, u zhvilluan provat e përgjithshme të dramës “Tri motrat” të dramaturgut rus Çehov. Ndërsa salla ishte e mbushur me spektatorë dhe gazetarë të ftuar për të ndjekur shfaqjen, Eni Shehu, i televizionit ABC, në mënyrë krejt të pahijshme për çdo spektator – ca më shumë për dikë që flet në emër të medias – provokoi dhe shqetësoi me fjalë e batuta aktorët gjatë interpretimit në skenë duke zhurmuar, qeshur, trazuar ata dhe mjedisin përreth.
Pa asnjë respekt për shfaqjen, për mundin e aktorëve, për artin dhe teatrin, pa asnjë respekt për publikun, personi në fjalë bëri gjithçka për të prishur shfaqjen. Kjo na detyroi që gjatë pushimit t’i kërkojmë atij të largohet nga salla, dhe në refuzim të kësaj kërkese ta detyrojmë të largohet.
Aktorët që punojnë në kushte të vështira prej javësh, që derdhin gjithë pasionin e punën e tyre meritojnë vëmendje e respekt për këdo që vendos të ndjekë shfaqjen. Natyrisht që kushdo është i lirë të mos e pëlqejë shfaqjen dhe të largohet prej saj, pa shqetësuar të tjerët, pa shqetësuar aktorët.
Nuk pengojmë asnjë gazetar të na ndjekë, madje e falenderojmë median per vëmendjen ndaj teatrit dhe aktorëve, i falenderojmë edhe kur na kritikojnë edhe kur na lavdërojmë, por profesioni i gazetarit nuk është justifikim për të prishur një profesion tjetër.
Sjellja e zotit Shehu nuk kishte asnjë lidhje me ushtrimin e profesionit të gazetarit.
Përtej këtij episodi, të deformuar në disa rrjete sociale, të mbarsur me të pavërteta, i kërkojmë ndjesë publikut, falenderojmë aktorët që i rezistuan dhe e kapërcyen atë shqetësim duke e vazhduar deri në fund shfaqjen me talent, pasion e profesionalizëm.
Ju presim me dashuri në të gjitha shfaqjet e “Tri motrave”, në Teatër Kombëtar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *