Filmi “Home Sweet Home” do të përfaqësojë Kosovën si propozimi zyrtar për kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” në Akademinë Oscar, shkruan “Zeri”.
Filmi debutues i Faton Bajraktarit – “Home Sweet Home” me skenar nga Zymber Kelmendi ku luajnë aktorët e njohur si Donat Qosja, Arta Muçaj e Shkumbin Istrefi, pati premierën ndërkombëtare këtë vit në festivalin prestigjioz Karlovy Vary.
Ky film tregon historinë e Agronit, i cili për disa vite ka qenë i zhdukur dhe pasi kthehet në shtëpi, ai përballet me rrethin, të cilët, emrin e tij e kanë përdorur për përfitime personale. “Home Sweet Home” është prodhim i kompanisë filmike ‘Cineproduction’ dhe “Arnel Production” me producent Trim Musliu dhe Senad Abduli, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Agjencia e Filmit në Maqedoni.
Ky është viti i tretë që Kosova propozon film për konsiderim për filmin më të mirë të huaj në Oscars. Vitin e kaluar Kosova ka propozuar filmin “Babai” të Visar Morinës ndërsa propozimi i parë ka qenë filmi “Tri Dritare dhe një Varje” nga Isa Qosja. Por suksesi më i madh u shënua këtë fillim vit, kur filmi i shkurtër “Shok” u nominua në kategorinë “Best Live Action Short Film” në Akademinë Oscars duke shënuar kështu herën e parë që një film kosovar nominohet për çmimin prestigjioz Oscar.