Nga Luan Rama
Sa herë flasim për poezinë franceze kujtojmë gjithnjë Sharl Bodler (Charles Baudelaire), autorin e vëllimit aq të njohur në botë, Le fleurs du mal, (Lulet e së keqes), i cili u njoh nga lexuesi shqiptar shumë më vonë, duke filluar nga përkthimet e viteve 30’ të shekullit XX. Përkthimi i Fan Nolit e kishte përcjellë menjëherë madhështinë e vargut të tij:
„Rreth meje rruga ulërin edhe buçet, E gjat’ e hollë, sterrë, kuje madhështore, Një grua shkoi me një fustan të zi për dore, Q’e kolovitte posht’ e lart me salltanet. Si ëngjëll, si statuj’ e gjallë vetëtin. Si i shastisur dhe i çakërdisur unë Nga syr’ i saj si qiell që mbrun furtunë Thëthinja mjaltë që magjeps, defrim që grin. (Asaj që shkoi)
Madje pikërisht këtë përkthim kishte lexuar e hedhur në bllokun e tij të shënimeve një poet i ri e i panjohur shqiptar, Vilson Blloshmi, i cili në kohën totalitare, në vitet e diktaturës, kishte guxuar të thoshte se adhuronte poetin francez Sharl Bodler. Por kjo do t’i kushtonte shumë shtrenjtë. Në akt-akuzën ndaj tij në proçesin gjyqësor, veç „propagandës anti-revolucionare“, u shtua dhe emri i poetit „dekadent dhe të ndaluar“, Bodler. Dhe poeti do të dënohej me pushkatim. Ishte mëkat të lexoje poezitë e të madhit Bodler…
Ky poet i pushkatuar nuk ka si të mos na kujtojë sot poetin francez, që gjenerata të tëra shqiptarësh u pasionuan pas poezive të tij. Nga botimi i parë i vëllimit poetik Lulet e së Keqes,[1] i cili tronditi botën letrare jo vetëm të Francës, por dhe të mbarë rruzullit, kanë kaluar 150 vjet, por «revolucioni» i tij në lëmin e poezisë dhe të arteve do të vazhdonte. Ky ishte «le poète maudit», apo «poet i mallkuar», siç e quante vërsniku i tij, poeti Pol Verlen. Dhe jo më kot ai e quante kështu. 150 vjet më parë, poezitë e Bodlerit çoheshin në gjyqin e çenzurës me akuzën se ato poezi ishin një «fyerje ndaj moralit kishtar» dhe «fyerje ndaj moralit publik e zakoneve të mira». Jo pak muaj më parë, po atë vit, një gjyq i tillë i ishte bërë dhe shkrimtarit tjetër francez Gustav Flober, (Gustave Flaubert), për kryeveprën e tij Madame Bovary. Shteti konservator e akuzonte Bodlerin për vargun e «ç’thurrur» dhe shumë prej poezive të tij u dënuan që të mos e shikonin më dritën e botimit. «Lulet e së keqes i bën sfidë ligjeve që mbrojnë fenë e moralin», shkruhej në shkresat e policisë, ndërkohë që Prokurori i Përgjithshëm kërkoi ndalimin e menjëhershëm të qarkullimit të librit. Bodleri u dënua me gjobë dhe po kështu edhe botuesi i tij. Pak kohë më parë, më 11 korrik 1857, duke ndjerë rrezikun që i kanosej, Bodleri i kishte shkruar botuesit të tij, Poulet-Malassis: «Fshihini shpejt, sa më shpejt të gjitha kopjet e librit. 50 ekzemplarë i kam marrë dhe i kam fshehur në një vend të sigurtë». Poezitë e famshme si Margaritarët, Lesbos, Asaj që ishte shumë e gëzuar, Léthé, apo Metamorfozat e vampirit, do të duheshin shumë vite që të mund të ribotoheshin, atëherë kur fama e një poeti të madh si ai do të njihej botërisht. Por Bodleri ishte i ndërgjegjshëm se një ditë ato poezi do ta gjenin vlerësimin e tyre. «Libri im i ka tërbuar njerëzit ngado, – i shkruante ai nënës së tij Karolinë. – Por unë e di se ai do të bëjë udhën e vet në krah të poezive më të mira të Hygosë, Gotiesë, madje edhe të Bajronit». Edhe pse shtypi i kohës nuk i bëri jehonë këtij libri, (madje disa shfrynin kundër tij), përsëri do të flitej për guximin e poetit që donte të sfidonte çenzurën. «Bodleri i ngjante një njeriu para gijotinës», do të shkruanin në ditarin e tyre edhe vëllezërit Goncourt. Ndërsa Bodleri shkruante: «Jo, nuk ndjehem fajtor, madje përkundrazi, jam krenar që libri im ka tmerrin e së keqes». Nga mërgimi i detyruar në atë kohë, larg nga brigjet e Anglisë, Viktor Hygo do t’i shkruante poetit të linçuar: «Lulet e së Keqes rrezatojnë dhe verbojnë si yjet». Ndërsa kritiku Saint-Beuve, do të shtonte: «Ju ua morrët të fshehtat demonëve të natës».
Vetëm këto rreshta i dhanë zemër Bodlerit të vazhdonte në aventurën e panjohur të vargut të tij poetik. Kush ishte ky njeri që ndryshe nga realistët e romantikët shkroi një tjetër varg të dhimbshëm, metaforik e simbolik, i shtyrë padyshim nga pezmi i tij i madh i një bote të mjerë dhe të trishtë? Kush ishte ky poet që ndryshe nga të tjerët, jetën e errët e të dhimbshme, «lulet e së keqes», i zbuloi në mënyrë poetike? Gjer dhe pezmin, skamjen, çmendurinë e braktisjen njerëzore?…
«Të kujtohet, o shpirt ç’ka pamë Atë mëngjes të bukur vere? Në kthesën e një shtegu, mbushur plot gurë Dergjej një kufomë …» (Një kërmë) Të deshifrosh jetën e këtij gjigandi dhe pararendësi të poezisë moderne nuk është e lehtë. Ndoshta nuk të mjaftojnë vetëm biografitë e shkruara për të, jo vetëm librat e tij, por të duhet të rigjesh dhe vendet ku ka jetuar, ku ka shkruar, ku ka pulsuar zemra e vrarë e këtij njeriu që brenda një jete të shkurtër krijoi një vepër monumentale. Të duhet në fakt të udhëtosh nëpër vendet ku është dergjur ky parizian, në hotelet e panumurta që ndrronte në pamundësi për të paguar, në shtëpitë, kafenetë dhe baret e artistëve. Të duhet të përshkosh kohë të turbullta revolucionesh dhe të rikrijosh në imagjinatë atë personazh që njohu nga kjo jetë veç dhembje e protestë, që njohu pijen, kabaretë, prostitutat, mjerimin, delirin dhe urinë, që provoi mungesën e dashurisë. Ky ishte «undergraundi» popullor, ku bashkë me mjerimin, ishte dhe ndjenja humane, shpërthimi i gëzimit njerëzor, dashuria, dehja ndaj së bukurës, loti dhe malli. Kështu, duke shkelur në rrugët e tij pariziane, nga shtëpia e lindjes në hotelet e tij, e gjer në banesën e tij të fundit në varrezat e Père Lachaise, njeriu i sotëm arrin të krijojë figurën e plotë të poetit, portretin e atij njeriu prej mishi e gjaku, dashurie e zemërate, britme e ngazëllimi që shoqëria e lartë e mbante për një «poet të mallkuar».
Charles Beaudelaire, lindi më 9 prill të vitit 1821 në Paris, në 13, rue Hautefeuille dhe u pagëzua në kishën e Saint-Sulpice. Nëna e tij ishte 27 vjeçare dhe e bukur, ndërkohë që i ati, një ish prift, ishte mbi të gjashtëdhjetat. Ai e la jetim në moshën 6 vjeçare. Që në adoleshencë, Bodleri u dallua për shijet e tij mbi letërsinë. I rritur më së shumti nëpër konviktet e shkollave, kur nëna ndiqte pas njerkun e tij ushtarak, jeta e tij filloi të përjetojë vetminë dhe tallazet e jetës. I përjashtuar nga liceu, ai kërkoi të udhëtojë, madje shkoi gjer në oqeanin Indian, në një aventurë të çuditëshme gjer në brigjet e L’Ile Maurice. Megjithatë me mbarimin e maturës, ai u regjistrua për në shkollën e Drejtësisë, por shpejt do ta braktisë atë. Eksperienca e parë me prostitutën çifute Louchette, që i ngjiti sifilizin, e tronditi shpirtin e tij dhe ai u mundua të ngushëllohej, duke harxhuar për një kohë të shkurtër gjithë trashëgiminë e të atit, duke pirë opium dhe hashish.
Bohemi i dashurisë
Bodleri ishte një bohem i dashurisë. Nga dashuria e parë, të tjera emra e portrete do të hynin në botën e tij: aktore, këngëtare, prostituta të zakonshme. Ishte kjo jetë që e bënte gjithashtu të këndonte, të shkruante dhe t’i thurrte himn dashurisë. Në fletoret e Bodlerit, biografët e mëvonshëm gjetën të shkruara nga dora e poetit dhe emrat e dashnoreve të tij, madje dhe adresat e tyre përkatëse dhe se cilat ishin ato: Adele, 17, bulevardi Saint Denis; Anna, 36, rruga Pigalle; Celine, 5, rruga Breda; Gabrielle, 17, rruga Neuve-Breda; Fanny, 10, rruga Jambert; Rosa, 19 rruga St.Lazare… Sot disa rrugë i kanë ndryshuar emrat e tyre, disa godina, nuk ekzistojnë më. Bohemi dhe të dashurat e tij janë shuar prej kohësh. Veç emrat e tyre kanë mbetur dhe ai imazh imagjinar i poetit që shkonte sa nga njëra e dashur tek tjetra, i mbytur në trishtin e tij, sepse Bodleri në atë kohë, madje gjatë gjithë jetës së tij, ishte një nga poetët më të trishtë dhe tragjikë të asaj kohe.
“Venusi i zi“
I mjerë dhe gjithnjë pa para, i ndarë nga e ëma që jetonte me njerkun, funksionar politikan e më pas diplomat, i shkëputur nga bota reale, e vetmja gjë që i kishte mbetur Bodlerit ishte poezia, vargu poetik. Sidoqoftë, një femër do ta shoqëronte për një kohë të gjatë në aventurën e tij të dhimbëshme njerëzore, një mulate me emrin Jeanne Duval, e cila nga Haiti kishte zbarkuar në Paris në vitin 1842. Ishte një metise simpatike, e kolme, voluptive, por besnike ndaj dashurisë së tij. Zhanë, (Jeanne), kjo aktore që kishte luajtur disa role në teatër, shpejt do të bëhej muza e tij, apo “Venusi i zi”, siç do ta quante ai në poezitë e tij. Madje në një poezi ai e krahasonte atë me një “anije që del në det të hapët me velat e shpalosura”. Miku i poetit, piktori Edouart Manet, e pikturoi atë në tablonë e quajtur Dashnorja e Bodlerit. Pikërisht asaj i dedikohen dhe mjaft poezi të poetit si Ballkoni, Parfumi ekzotik, Flokët, Gjarpëri që vallëzon, Brerje pas vdekjes, apo Një kërmë… Vite do të kalonin dhe Zhanë nuk do të ishte më ajo e para. Ajo tashmë ishte shëndoshur dhe nuk i kishte hiret e mëparshme. Metisja ishte gjithnjë e irrituar ndaj Bodlerit, duke e cilësuar atë si “dështak që nuk është i zoti të fitojë bukën e gojës” dhe se “ajo detyrohet tashmë të shesë vetveten për ta ushqyer dhe atë”… Jeta për poetin po bëhej një ferr i vërtetë. Para se të shkëputej përfundimisht prej saj, gjendja mes tyre ishte bërë tepër e rëndë. “Jeta me Zhanën është bërë e paduruar”, i shkruante ai të ëmës, se ajo “është në kulmin e dëshpërimit dhe se vetëm një armë i mungon”, se “ajo i hedh shkrimet e mia në zjarr dhe qentë i fut brenda në dhomë”. Dhe Bodleri kishte tmerr nga qentë…
Muzat e poetit
Krahas Zhanës, të tjera femra do të hynin në ciklet e tij poetike. Në një sallon letrar, në gusht të vitit 1847, ai u njoh me një grua mondane, zonja Sabatier, siç e quante Gotié, edhe pse ajo ishte një zonjushë, një aktore teatrosh. Që atë natë kur e pa, ai u dashurua me të dhe menjëherë i dërgoi një poezi anonime e pastaj dhe një tjetër, edhe pse ajo e dinte se nga vinin këto vargje të zjarrta: Një femre tepër të gëzuar, Hymn, Flakë e gjallë… Të tjera poezi do të vijojnë këtë aventurë të bukur të tij. Por shumë shpejt ajo do ta braktisë dhe Bodler, që e kuptoi se ajo donte të tjerë, borgjezë të pasur, do të shkruante: ”Para disa ditësh ti ishe një hyjni, ajo çka është aq e bukur dhe e padhunueshme. Dhe ja tani, ti je një femër e zakonëshme…”[2]
Letra e tij ka një dhembje të madhe. Dy vjet më vonë, një tjetër femër hyri në botën e tij poetike: ishte aktorja Marie Daubrun, një bjonde me sy jeshilë, e cila atë kohë interpretonte në teatrot e Odeonit dhe në Gaité të Montparnasit. Një dashuri e shkurtër, edhe pse poezitë e poetit e joshin dhe e ngacmojnë shpirtin e saj. Më së fundi dhe ajo i largohet. Ndoshta Bodleri nuk kishte me çfarë t’i gëzonte të dashurat e tij, veç me poezi. Poeti ishte i varfër, një bohem i mbytur nga borxhet, që shpesh i duhej të kalonte dhe natën jashtë. Ai dinte veç të këndonte dhe të dashuronte, të shkruante vargje të çmendura dashurie, siç do t’i shkruante dhe të dashurës tjetër, Elisa Neri. Ndoshta kjo poetikë erotike e mbante atë si një lloj opiumi, me shpresën e një të nesërmeje të re.
“Do të kemi shtretër, mbushur plot aroma
Divane të thellë, të rëndë si varre
Dhe lule të çuditëshme çelur për ne nën më të bukurit qiej…
Më pas një Engjëll duke hapur portat
Besnik e i gëzuar te ne do të vijë
Tu japë jetë pasqyrave dhe flakëve të vdekura».
Dhe përsëri jeta e tij ndiqte kafenetë dhe baret e Parisit, jetën boheme, pijen dhe vetminë. I vetmuar, ai u kthye përsëri në dashurinë e tij të përhershme, që quhej Zhanë. I vinte keq për të, sepse ajo tashmë ishte e sëmurë, gjysmë e paralizuar dhe nuk mund ta përballonte dot jetën. I duhej ta ndihmonte. Poeti kishte zemër të madhe. Edhe kur Bodleri ishte në vitet e fundit të jetës së tij, edhe atëherë kur ai e ndjente se vdekja po i afrohej, ai gjithnjë mendonte se çdo të bëhej me Zhanën e tij. Kush do ta ushqente dhe mjekonte atë? Në një letër që i dërgonte të emës, ai i shkruante: “Çdo të bëhet me Zhanën kur unë të vdes? Kush do të kujdeset për të?” Jo, ai nuk donte ta braktiste atë as në grahmat e tij të fundit.
Dashuria e munguar
Një marrëdhënie e çuditëshme ekzistonte midis tij dhe të ëmës Karolinë: një dashuri ekstreme e përzier me urrejtje, një dashuri e munguar. Ndoshta pse ajo e kishte braktisur atë dhe kishte ikur me oficerin Aupick, i cili më vonë do të shkonte ambassador në Madrid dhe më pas do të bëhej senator? Ndoshta…Megjithatë, sa herë që Bodleri binte në pusin e thellë të jetës së tij, e vetmja klithmë shpëtimi që lëshonte, i drejtohej nënës së tij. Dhe kjo do të vazhdonte gjer në fundin e jetës së tij. Në një nga letrat e fundit që i drejtonte të ëmës, ai i shkruante: “Sa herë marr letrën të shkruaj dhe të tregoj për gjëndjen time, kam frikë se mos e plagos dhe e shkatërroj qënien tënde të brishtë tashmë. Ndërsa unë, unë jam në dyshimet e mia dhe gjithnjë në prag të vetvrasjes. Besoj se ti më do me pasion e verbëri, pasi ti ke një karakter të jashtëzakonshëm. Ndërsa unë të dua shumë, që nga fëmijëria. E di që pas vdekjes time, ti nuk do të jetosh më. Në situatën që jemi, një nga ne të dy do të vrasë tjetrin dhe përfundimisht ne do të vrasim njëri-tjetrin”. [3]
Kush vallë tjetër i ka shkruar këto rreshta për nënën e tij? Dashuri klithëse, gjer në vdekje. Për Bodlerin, ndodhte të kalonin vite pa e parë nënën e tij. Njëherë, kur ajo u vendos pranë Parisit, në Neuilly, ai i shkroi një letër dhe kërkoi ta takonte. Kishte mall. Por çuditërisht, atë ditë në hotel, në vendin e takimit, ajo nuk do ta gjente birin e saj? Përse vallë s’kishte ardhur? Ç’ndodhte me shpirtin e poetit? Mos vallë ai e ndjente veten të padenjë para një nëne si ajo? A nuk kishte dhe ajo të drejtën e saj të jetonte me burrin e saj në paqe?… Një seri portretesh fotografike në studion e fotografit Felix Nadar, një prej pionerëve të parë te fotografisë botërore, risjell në kohën tonë portretin e vërtet të poetit dhe botën që ngjizej brenda tij, risjell Bodlerin me vështrimin zhbirues, sikur të dojë të deshifrojë enigmat e kësaj bote. Eshtë një pyetje e nderur, pezull, pa përgjigje, një pyetje e trishtë që çdo njeri e konstaton kur ndodhet ballë fotografive të tij. Dhe Nadari atë kohë shkruante: „I veshur me pantallona të zeza dhe çizme të llustrosura, i pakrehur dhe me një bluzë të ashpër ngjyrë blu, Bodleri bridhte nëpër lagjet e qytetit me një hap me ritëm dhe nervoz, si ai i një maçoku që zgjedh çdo gur të kalldrëmit, sikur të kishte frikë se do të shtypte ndonjë vezë.“
Bredharaku i varfër
Ashtu si Balzaku dhe Aleksandër Dyma, edhe Bodleri do të përjetonte kalvarin e huadhënësve që i kërkonin paratë. Balzaku fshihej në adresa të fshehta dhe nën emra të rremë, Dyma zhdukej në periferitë e Parisit që mos ta gjenin, ndërsa Bodleri, ashtu si Verleni, endej nga një hotel në tjetrin. I vetmi shpëtim për të ishte gjithnjë nëna e tij, e cila i dërgonte të holla për të paguar hotelet apo kafenetë. “Nënë e dashur…ti nuk e di se ç’është jeta e një poeti”, – shkruante ai, duke i kërkuar si zzakonisht para. Ishte pikërisht kjo gjëndje e mjerë që e shtyu atë drejt vetvrasjes. Ishte data 30 qershor e vitit 1845. Kurioz për këtë ngjarje, duke ndjekur itinerarin e jetës pariziane të Bodlerit, nga hotel Voltaire në hotelin Pimodan, në Quai d’Anjou, nga L’Ile Saint Louis në Rue Angouleme, unë shkova në rrugën Richelieu, pikërisht atje ku pas daljes nga një birrari, në kulmin e dëshpërimit të tij, me një thikë në dorë, Bodleri kishte goditur vetveten. Donte të vdiste. Njerëzit ishin grumbulluar, duke mbajtur njeriun e përgjakur e pa ndjenja që ndoshta mund të vdiste nga çasti në çast. Në letrën që kishte lënë para se të bënte vetvrasjen, ai kishte shkruar: “Po vras veten. Po vritem, sepse nuk mund të jetoj më kështu, sepse jam i panevojshëm për të tjerët dhe i rrezikshëm për veten. Vras veten sepse e ndjej se jam i përjetshëm…Gjithçka ia lë trashëgim Zhanës, pasi ajo është e vetmja qënie ku unë kam gjetur pak prehje. A mund të më mallkojë dikush për të paguar haraçin e dëfrimeve të rralla që pata në këtë botë të tmerrshme?…Ky testament është shprehje e asaj çka mbetur humane te unë: dashuria dhe dëshira e sinqertë për t’i shërbyer kësaj krijese që disa herë ka qenë gëzimi dhe prehja ime”.[4] Bodleri ishte poet i dëshpërimit. Ai që dikur nuk besonte te Zoti, tashmë besonte se ekziston më së fundi një qënie mbitokësore…Herë-herë ai mendonte se një ditë shoqëria do ta vinte në piedestalin e vet dhe këtë e kërkoi sa ishte gjallë. Kështu ndodhi kur vuri kandidaturën e tij për tu zgjedhur në Akademinë Franceze. Artistët e vërtetë e dinin se pikërisht ai duhej ta meritonte atë vend, por pushteti dhe akademikët zyrtarë do të vendosnin ndryshe. Si mund të zgjedhnin mes tyre një poet të kafeneve? Dhe zhgënjimi i Bodlerit për këtë botë tokësore bëhej akoma më i madh, ashtu siç i ndodhi më vonë kur për një çast mendoi se mund të zgjidhej drejtori i Teatrit të Odeonit dhe kështu ta flakte njëherë e përgjithmonë petkun e mjerimit. Por jo, të gjitha këto ishin veç ëndrra, shpresa, dhimbje e zhgënjime. Ndër të paktët miq të tij ishte Hygoi i madh, të cilit një ditë i dërgoi poezinë Cygne, me një mbishkrim të tij: “Ja vargjet që kam shkruar për ju dhe duke menduar për ju. Nuk duhet ta gjykoni atë me sytë tuaj të ashpër, por me një sy atëror”…
Poeti i «bistrove»
Ka një fotografi të Bodlerit në kafenetë, «bistrotë» apo baret e Parisit. Të gjithë e dinin se ai nuk mund të bënte pa ato. Ato ishin «shtëpitë» e tij: aty prehej, pinte, herë-herë dehej e shkruante poezi. Pastaj zhvendosej në një bar tjetër. Gjeografia e kafeneve dhe e bistrove të tij përfshin një pjesë të madhe të Parisit, nga «Brasserie des Fleurs» në bulevardin Clichy, në tavernën e «St.Agustin» në stacionin e trenit St.Lazare, në «La Taverne Flamande» në rrugën Provense, në Brasserie des Martyrs, «Café Robespière», pranë operas «Quartier Latin», etj. Kështu Bodleri udhëtonte nga një kafene në tjetrën, nga një dhimbje në tjetrën. Herë mes miqsh, poetë e artistë, e herë në trishtin e vetmisë së tij, duke mbytur në alkool, në “absintin” e tij të preferuar, dramën e një jete të errët dhe pa gëzim. «Duhet të jemi gjithnjë të dehur, – shkruante ai në copëzën Dehemi parreshtur. – Kjo është e gjitha, e vetmja dhe e rëndësishmja. Për të mos e ndjerë barrën e tmerrshme të kohës që të dërmon shpatullat e të përkul shpinën…Duhet të dehemi parreshtur. Por me se? Me verë, me poezi, ose me virtut, si t’ju dojë zemra. Por vetëm dehuni!»… Shpesh dëshpërimi i tij ishte gjer në kllapi, siç e përshkruante dhe një nga miqtë e tij, kur një mbrëmje, shkrimtari Maxime Du Camp do ta gjente në një bistro mikun e tij Bodler dhe donte t’i ofronte diçka: « – Doni një birrë, një çaj, një ponç? – Faleminderit, por unë pi vetëm verë, – u përgjigj Bodleri – Verë bordoje apo burgonje? – Nëse më lejoni, që të dyja!…Atëherë sollën dy shishe, një gotë dhe një kanë me ujë. Gjatë një ore ai i piu të dyja shishet me gllënka të mëdha”. Ndonjëherë Bodleri ftohej në kafenetë ku pihej hashish dhe ku në shoqërinë e tij ishin dhe Nerval, Balzak, Gotie e të tjerë. Në një letër dërguar të dashurës së tij Hanska, Balzaku i shkruante për këto mbrëmje, duke shtuar se “unë i rezistova hashishit dhe nuk pata shqetësimet që sjell ai”. Por jo rrallë, një vepër arti, një roman, një koncert apo muzikë, Bodlerin e gëzonte së tepërmi dhe në dehjen artistike ai shkruante kritikat dhe esetë e tij estetike, shkruar me një stil të jashtëzakonshëm. ”Balzaku, më heroiku, më i veçanti, më romantiku dhe më poetiku”, shkruante i entusiazmuar ai.
Me të njëjtin nerv e simpati ai shkroi për tablotë e Delakruasë apo Manet në “Sallonet e vjeshtës” të pikturës pariziane, siç do të shkruante dhe në poezinë Farët, ku përmes vargut poetik ai përcaktonte thelbin e gjenialitetit të Rubensit, Da Vinçit, Rembrandit, Mikelanxhelos, Gojas apo Delakruasë, ku Rubens, sipas tij, i ngjan me një “lum i harresës”, Goja “një kushmari plot gjëra të panjohura”, ndërsa Delakrua, “një liqeni gjaku të handakosur të ëngjëjve të këqinj”… Më 1861, me një entusiazëm të jashtëzakonshëm, ai do të shkruante dhe shkrimin Richard Wagner dhe Tannhëauser në Paris, për koncertin e Wagnerit dhe shfaqjen e Anijes fantomë, kur ai erdhi në kryqytetin francez. Shumkush atëherë nuk e kuptoi muzikën e Wagnerit. Kritikët e kritikonin për muzikën mistike, por ishte pikërisht kjo gjë që i pëlqente Bodlerit, kjo muzikë mistike, simbolike, e cila ishte në «ujrat» e vargjeve të tij. Dhe poeti përmes një letre, i dërgonte kompozitorit të madh artikullin e tij: ”Asnjë muzikant nuk arrin ashtu si Wagneri që të ngjyrosë hapësirën dhe thellësinë materiale e shpirtërore. Nganjëherë, duke dëgjuar këtë muzikë të zjarrtë dhe despotike, të duket se gjejmë të ngjyrosura në të thellësitë e errësirave, të çjerra nga ëndërrimi dhe konceptimet trallisëse të opiumit”.
Wagneri ishte i habitur nga kjo letër e ndjerë dhe ky vlerësim, nga mendimet e një njeriu që kishte arritur të pikaste pikërisht atë çka ai donte të shprehte përmes muzikës. Ai pohonte se asnjëherë vepra e tij nuk ishte inkurajuar nga një njeri”. “Besomëni, – i shkruan ai Bodlerit, – se jam krenar që mund t’ju quaj mik”. Me të njëjtën pathos dhe kënaqësi, në prozën e tij poetike, Bodleri do të shkruante dhe për koncertet e Listit: “I dashur Listz. Përmes mjegullave, përtej lumenjve, sipër qyteteve ku pianot i bien lavdisë suaj, ku shtypshkronjat përkthejnë mënçurinë tuaj, në çfarëdo vendi që të ndodheni, në mrekullitë e qytetit të pavdekshëm apo në mjegullat e atyre viseve ëndërruese që i ngushëllon Cambrinusi, nëse jeni duke kompozuar këngë kënaqësie apo dhimbjeje të parrëfyeshme, apo duke i besuar letrës së bardhë mendimet tuaja të pakapshme, psalm i kënaqësisë dhe i Ankthit, filozof, poet dhe artist, ju pëshëndes në pavdekësi!…” Dhe poeti vazhdonte më tej me vargjet e tij: ”Të zhytesh në thellësinë e humbëtirës, në Ferr apo qiell, ç’rëndësi ka? Të zhytesh në thellësi të së panjohurës për të gjetur diçka të re”. Kjo dhe ishte kredoja e poetit, që pavarësisht nga rrethanat e jetës, nga traumat dhe tragjeditë, në mjegullat e dhimbëshme, ai duhej të gjente atë çka ishte e re, moderne dhe novatore në art, ashtu siç Edgar Poe kishte shkruar në Amerikë. Po, ai e ndjente veten të afërt dhe të njëjtë me letrarin amerikan Edgar Poe, që sapo kishte vdekur, të cilin nuk e njihte, por që veprat e tij e nxitën të përkthejë dhe botojë poezitë e tij në Revue des deux Mondes, (më pas dhe Histoires extraordinaires), dhe t’ia përcjellë ato lexuesit francez. “Edgar Poe më mësoi të arsyetoj!”, do të shkruante ai. Poetët takoheshin dhe përtej vdekjes së tyre, në lavdinë dhe mrekullimin e krijimit artistik. Bodleri ishte poet i jetës boheme. Poet i femrës dhe dhimbjes njerëzore, i detit dhe i udhëtimit, poet i fluturimit të shpirtit në detra e botra të tjerë: Shpesh për zbavitje, detarët në lundrim, Kapin zgalemë, këta shpend deti të mëdhenj Që si bashkëudhëtarë të ngadaltë ndjekin anijet Dhe shkasin në humbëtira të trishtë pafund. (Albatrosi)
Poeti republikan
Bodleri nuk ishte njeri i politikës. Madje ai e urrente atë. Sipas tij, politika dhe poezia nuk mund të kishin gjëra të përbashkëta. Por ishte mjerimi dhe varfëria, ajo që e shtyu atë kundër monarkisë dhe të bëhej një partizan i Republikës. Kur shpërtheu Revolucioni i Shkurtit në vitin 1848, ishte e habitëshme sesi ky njeri i kabareve do të shfaqej në barrikadat popullore me armë në dorë; sesi ky njeri, me këngën e Marsejezës në gojë, do të zbriste në rrugë dhe do të bashkohej me popullin që kërkonte rrëzimin e monarkisë. Jo, ai nuk e duronte dhunën, pra dhe thërriste ato ditë kundër dhunës në “Café de la Rotonde” apo në sheshin e bazilikës Saint-Sulpice, kur turma thërriste “Aux armes!” (“Rrëmbeni armët!”).
Më 24 shkurt, ai dhe intelektualë të tjerë u bashkuan me turmën kundër monarkut Louis Philippe, i cili s’ishte tjetër veçse nipi i Napoleonit. Siç shkruante Bodleri atë ditë, ai vuri një kravatë të kuqe dhe doli në Rue Buci, ku në barrikadën më të parë rrëmbeu një armë. Ai besonte se revolucioni do ta ndryshonte jetën dhe historinë e Francës. «Duart e Bodlerit vinin era barut», – do të shkruanin më vonë biografët e tij. Ishte Bodler ai që kërkoi të krijohej një gazetë për informimin e popullit, madje dhe titullin ia vuri ai: Salut public (Shpëtimi i popullit). Nga ana tjetër, Gustav Kurbe do të vizatonte në faqen e parë të gazetës një kryengritës mbi barrikadë me pushkën e ngritur në njërën dorë dhe në tjetrën një flamur, ku shkruhej: ”Zëri i popullit, zëri i Zotit!”. Por pas ikjes së monarkut, në qershor të atij viti, aventura revolucionare do të përfundonte në dhunë dhe gjakderdhje dhe poeti u zhgënjye nga dhuna e të gjithëve; e kryengritësve dhe e pushtetit: «Çmenduri e popullit! Çmenduri e borgjezisë! Dashuri natyrale për krimin! »… I zhgënjyer, poeti do të kthehej sërrish në kafenetë dhe mjerimin e tij.
Vitet kalonin. Poeti endej nëpër lagjet e ndryshme të Parisit, sa në njërin cep në tjetrin. Vendbanimet e tij ishin të ndryshme, të çuditëshme dhe për këtë i duhej gjithnjë t’i kërkonte para nënës së tij. E vetmja paqe e poetit ishte poezia, krijimi poetik. Ai i këndonte Parisit, rrugës, turmës, të verbërve, lypësve të dehur apo plakave të kërrusura si në poezinë Plakat e vockla. U këndonte femrave që kalonin me hiret e tyre. Pikërisht në rrugë, një ditë ai kishte parë një negre të cilës i këndoi në poezinë Shtatë pleqtë. Në vargjet e tij Parisi është gri, lagjet popullore ku gëlojnë prostitutat janë të trishta, dritat e fenerëve në rrugë janë të zbehta dhe shtëpitë nën brymë rëkojnë nën shi: «në natën pa hënë/ përgjumim dhimbjen në një shtrat djaloshar»…
Në poezinë Mjellma, ai shton: «Parisi ndryshon, por jo melankolia ime/ Pallatet e reja, skelat, blloqet e gurta, lagjet e vjetra, gjithçka për mua duket alegori/ kujtimet e mia janë më të rënda se shkëmbinjtë.»
Më 19 shkurt të vitit 1866, dora e tij ka shkruar: “Jam shumë i kënaqur me librin tim Spleen. Në fund të fundit ky libër është përsëri si Lulet e së Keqes, por më i lirshëm, me detaje dhe përqeshje». Për të shprehur melankolinë e thellë, Bodleri kishte zgjedhur fjalën angleze «spleen», që do të thoshte një “shpirt në ankth”. A nuk ishte i tillë shpirti i tij?”…
Vdekja e poetit
Vdekja e Bodlerit, ashtu si dhe vdekja e Rembosë apo e Verlenit ishte një nga vdekjet më të dhimbëshmet e tragjiket në botën e artistëve të atij shekulli. Të sëmurë, të shkatërruar nga sifilizi dhe sëmundja e gjatë, të mallkuar nga shoqëria e lartë, gjysmë në jetë dhe gjysmë përtej jetës, ata u shuan si njerëz të mjerë pa e përjetuar lavdinë e tyre, edhe pse ishin të ndërgjegjshëm se arti e poezia e tyre ishte një tjetër poezi, një tjetër art. Në vitet 1866-1867, Bodleri dergjej në një hotel të Brukselit, larg Parisit, i shoqëruar nga nëna e tij. Vazhdimisht villte dhe mjekët që e vizituan, i thanë se ai vuante nga histeria. Një ditë kishte shkuar të merrte tramvajin dhe kur kishte hipur kërkonte me ngulm të hapej porta, e cila në fakt ishte e hapur dhe njerëzit ishin habitur me kërkesën e tij. Dalëndagalë ai filloi të humbiste kujtesën dhe të fliste përçart. Binte pa ndjenja në rrugë. Ai e dinte se do të vdiste para nënës së tij, dhe kjo gjë ishte një makth i vërtetë për të. Këmbët nuk e mbanin më dhe më pas, një paralizë e pengoi të fliste. Fundi i tij dukej shumë i afërt dhe i pashmangshëm. Ai kishte disa kohë që ishte shkëputur nga bota letrare dhe nuk shkruante më, edhe pse botuesit e tij, njëri në Paris dhe tjetri në Bruksel, e financonin për veprat e ardhshme dhe ribotimet e veprave të tij. Në një gjëndje gati letargjike, nëna dhe pak miq të tij e shoqëruan me tren deri në Gare du Nord të Parisit dhe në pamundësi për ta lëvizur, e vendosën në hotelin më të parë pranë stacionit, në “Hotel Terminus”. Bodleri mbahej mbi një shkop dhe në krahët e një miku të tij. Ishte zbardhur i tëri. Ai nuk mund të fliste. Madje dhe botuesit tjetër të tij, Michel Levy, që donte të bënte ribotimin e librit Lulet e së keqes, ai i fliste me shënja. Disa ditë më vonë e çuan në një klinikë, por ditët e tij ishin të numuruara. Për ta ndihmuar, miqtë e tij shkrimtarë e artistë si, Prosper Merimé, Saint-Beuve, etj, i bënë një peticion ministrit të Arësimit që poetit të madh t’i jepej një pension, por ky pension nuk do të arrinte, se shpejt poeti do të binte në agoni.
Sharl Bodleri vdiq më 31 gusht të vitit 1867. Disa ditë më parë ai kishte kërkuar të dëgjonte Wagner dhe dy mikesha të tij erdhën të luanin muzikë. Priftit që shkoi pranë tij, ai nuk mundi t’i thoshte asnjë fjalë. Vetëm lëvizte qepallat. Vallë a e pranonte tani që të shkonte në qiell, pranë të Madhit Zot?! Trupin e tij, që e shoqëronin një grup poetësh e miqsh, me në krye Verlenin, e çuan atë në varrezat e Père Lachaise, nën një qiell të errët plot re, ku frynte një erë e madhe. A nuk kishte shkruar ai më parë për vdekjen që parandjente si në poezinë Udhëtimi? “O vdekje, kapiten i vjetër, le të ngrejmë spirancën! Erdhi koha të shkojmë nga ky vend që na mërzit! Qielli dhe deti si boja e zezë janë! Ndërsa zemrat që na njeh, mbushur janë plot dritë! Jepna helmin tënd që ai të na ngushëllojë! Dhe zjarrin duam që mendjen të na ndezë Të humbasim në humbëtirë, në Ferr, Qiell apo kudo, Në fund të së Panjohurës për të gjetur të renë!”
Edhe i vdekur, për një kohë të gjatë, kritika zyrtare dhe shoqëria e lartë do ta linin në heshtje poetin e madh, ashtu siç do të linin në heshtje pak kohë më vonë dhe Rembonë apo Verlenin. Madje që ditët e para të vdekjes së tij në gazeta do të tregoheshin veçse histori kabaresh, dashnoresh, kllapish, duke e akuzuar poetin si “imoral” dhe si “një njeri i djallit”. Por artistët e vërtetë që e kuptonin vlerën e tij, ndjenin dhimbjen e humbjes së një prej kolosëve të tyre. Vdekja e Bodlerit ishte vërtet e dhimbshme, pasi ky njeri, në të gjallë të vet, nuk e shijoi vlerësimin e shoqërisë në të cilën kishte jetuar dhe krijuar. Ja pse ai e ndjente veten si një i “huaj” brenda kësaj shoqërie, dhe pezmi i tij, në një mënyrë të natyrshme do të ngjizej në disa nga rreshtat që ka shkruar në prozën poetike Spleen,[5] në fragmentin I huaji: “ – Thuamë, kë do më shumë o njeri i mistershëm, – atin, nënën, motrën apo vëllanë? – Nuk kam as atë, as nënë, as motër e as vëlla. – Atëherë bukurinë? Arin? – Unë dua retë…retë që përshkojnë qiellin atje tutje… të mrekullueshmet re!”
I vetmi vlerësim që ai mori nga jeta e të gjallëve, ishte “Kalorësi i Legjionit të Nderit”, për të cilën tashmë mund të krenohej më së fundi nëna e tij. “Unë i dua retë. Të mrekullueshmet re”… Këto fjalë sot tingëllojnë tragjike për jetën e shkurtër dhe të errët të një poeti kaq të madh. Duke ecur sot nëpër rrugët e Parisit, duke ndjekur itinerarin bodlerian, ato stole të vjetër, ato dritare të harruara dhe hotele ku vërshon lumi i pandalshëm njerëzor, këto vende na risjellin në imagjinatë njeriun që aq bukur e latoi vargun me pezmin e tij, britmën e gëzimin e tij. Një jetë në humbëtirë, një jetë në skenën e artit të madh!
5 veprat më të mira – Les fleurs du mal – Le poème du haschisch – La chevelure – Le paradis artificiel – Le Spleen de Paris
[1] Në fillim Bodleri kishte menduar ta quante këtë vëllim poetik Lezbiket, (Les Lesbiennes), edhe pse e dinte se ishte një titull provokues.[2] Charles Beaudelaire, Ed. La Pleiade, Gallimard, Paris.
[3] Baudelaire, Claude Pichois, Jean Ziegler, Ed. Julliard, 1987.
[4] Baudelaire, Henri Troyat, Ed. Flammarion, Paris.
[5] Përkthyer nga Besa Kadare.