Mes Leonardos dhe Leopardit

Nga Ag Apolloni
Para pak ditësh isha në Firenze. Gjithçka ishte bukur dhe e vetmja gjë që më pengonte ishte sirena e ambulancës që kalonte aq shpesh nëpër qytet e që gjithmonë m’i prishte veshët dhe nervat. Një ditë, për të ikur nga kjo zhurmë, mora rrugën drejt katundit ku ishte shtëpia e Da Vinçit. Por, a i iket fatit?
Kur arrita në katund, pata një dhimbje tmerruese në gjoks, sa mezi arrita të dilja prej veture. Aty bleva një maicë me “Njeriun vitruvian” dhe hoqa të zitë e ullirit derisa e vesha (meqë jemi të ullinjtë, në Vinçi kishte shumë ullinj). Pasi e vizitova atë vend, që për mua është i shenjtë, u ktheva në hotel, ku pësova një bllokim total, pothuajse paralizë. Pas pak, pa dëshirën time, erdhi ambulanca (ajo sirena e tmerrshme) dhe më kapën, më shtrinë në lese, më lidhën dhe u nisën. (Ishin katër, prandaj më mposhtën, se deri në tre veta s’i bëja hesap). E vetmja gjë që kuptoja italisht ishte kur mjeku më prekte në gjoks dhe më thoshte “dolore?”. Unë, si një romantik i vërtetë, pohoja me mimikë. (Fjalën “dolore” e dija nga romantikët italianë: “dolore cosmico”). Në spital, më dhanë dy injeksione, dy infuzione dhe pas nja tri orësh, m’u hoq ajo “dolore” dhe nisa të lëvizja. Pastaj më bënë ca fotografime, inçizime, duke më detyruar t’i lëvizja krahët si njeriu vitruvian. Pasi u siguruan që s’ishte as infarkt, as parainfarkt, por thjesht një ndrydhje muskujsh, më liruan pas mesnate. Kur dola jashtë spitalit, mora frymë thellë duke shikuar pafundësinë e qiellit dhe m’u kujtuan vargjet e Leopardit: “n’mes të kësaj pafundësie mbytet mendimi im/ dhe m’pëlqen fundosja n’kët’ det.”
Kështu, në Firenze njoha artin e përsorur të Leonardos dhe dhimbjen e tmerrshme të Leopardit.
Megjithatë, isha krenar që, së paku për një natë, isha artisti “ma i smutë” në Firenze.

P.S.
Edhe unë kam të drejtë të sëmurem një herë në 34 vjet. Nëse vazhdoj me këtë ritëm të shkuarjeve për shërim në spital, atëherë i bie që hera e dytë të jetë në moshën 68 vjeçare. Uroj që edhe atëherë të rastis jashtë shtetit.
Ky shkrim autobiografik mund t’ju duket romantik. E, letërsia romantike, sipas Goethe-s, është letërsi e spitaleve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *