Nga Fernando Pessoa
Asgjë s’jam.
Kurrgjë s’do të jem.
Asgjë s’mund të dua të jem.
Përpos, kam gjithë ëndrrat e botës në gji.
Dritare të dhomës time,
të dhomës së njërit prej mizërisë rreth të cilit askush s’di
(po edhe në dinë, ç’dinë vallë?),
shfaqeni mbi vagëllimën e një rruge ku s’rreshtin kalimtarët,
mbi një rrugë ku mendimet s’hyjnë dot,
e vërtetë, pamundësisht e vërtetë, e qartë, pa kuptim e qartë,
me fshehtësinë e gjërave nën gurë dhe qenie,
me vdekje që sjell lagështi në mure dhe thinja në njerëz
me Fatin që shtyn karron e gjithçkasë drejt udhës së asgjësë.
Sot jam i mposhtur, si të dija të vërtetën.
Sot jam i kthjellët, si të isha duke vdekur,
e të mos kisha më asnjë lidhje me gjërat
veç një leje për ikur, e kjo shtëpi dhe kjo rrugë të ktheheshin
në rradhë vagonësh, e një bilbil që fishkëllen
brenda kokës time,
e një tronditje nervore dhe një kërcitje kockash gjatë nisjes.
Sot jam i shtangur, si dikush që ka menduar, gjetur, harruar.
Sot jam i dyzuar mes besnikërisë ndaj
Duhantores nga ana tjetër e rrugës, si diçka e vërtetë përjashtë,
dhe ndjesisë se gjithçka është ëndërr, si diçka e vërtetë përbrenda.
Jam gjithkund dështak.
Por duke qenë se s’bluaja ndonjë qëllim, mbase të gjitha ishin asgjë.
Prej arsimimit që më kanë dhënë,
kam zbritur, përmes dritares, mbrapa shtëpisë.
Kam shkuar fushave ngarkuar me qëllime të mëdha.
Por atje hasa vetëm në bar dhe pemë,
dhe në rast se ishte, njerëzia qe njësoj si kudo.
Shkëputem nga dritarja, ulem në kolltuk. Ç’duhet të mendoj?
Që di prej çka do të jem, unë që s’di prej çka jam?
Të jem ç’mendoj? Po unë mendoj se jam plot gjëra!
Dhe shumë mendojnë se janë e njejta gjë prej së cilës s’mund të jenë kaq të tillë!
Gjeni? Në këtë çast
njëqindmijë koka e shohin vetveten gjeni në ëndërr bash si unë
dhe historia s’do të dëshmojë – kushedi? – për asnjërin,
veç pleh do të mbesë pas aq pushtimeve në të ardhmen.
Jo, s’besoj te vetja.
Në gjithë çmendinat ka të lajthitur që broçkullisin plot vetëbesim.
Unë, që s’kam fare vetëbesim, jam më i shëndetshëm apo më pak?
Jo, as në vetvete…
Në sa nën-çati dhe jo të tilla të kësaj bote
s’do të ketë gjeni për vetveten që ëndërrojnë?
Sa synime të epërme, fisnike, të kthjellëta -,
ashtu posi: të epërme, fisnike, të kthjellëta -,
të cilat mbase edhe mund të vihen në jetë…
kurrë s’do të shohin dritën e diellit e as do t’i dëgjojë kush?
Bota i përket kujt lindi për ta pushtuar,
aspak kujt ëndërron ta pushtojë, anipse është në të drejtë.
Kam ëndërruar më tepër se ç’pati arritur Napoleoni.
Kam shtrënguar në gji mundësisht më shumë njerëz se vetë Krishti.
Fshehurazi krijova më shumë filozofira se ç’pati shkuar cilido Kant.
Por jam, e mbase gjithmonë do të mbetem, ai i nën-çatisë,
anipse s’jetoj atje;
gjithmonë do të jem ai i cili s’pati lindur për këtë gjë;
gjithmonë do të jem veçse ai që nuk zotëronte cilësi;
gjithmonë do të jem ai që ka pritur hapjen e derës përpara një muri pa derë,
dhe i ka kënduar Pafundësisë në një kotec,
dhe ka dëgjuar zërin e Zotit në një pus të mbyllur.
Të besoj te vetja? Jo, as në asgjë.
Natyra shpërndaftë mbi kokën time flakëruese,
diellin e saj, shiun e saj, flladin që gjen flokët e mi,
dhe çka mbetet le të vijë nëse do të vijë apo duhet të vijë, përndryshe mos të vijë.
Skllevër të yjeve me zemër të sëmurë,
kemi pushtuar gjithë botën që para se të çoheshim nga shtrati;
por gjumi na doli dhe ajo s’duket,
u çuam dhe ajo s’njihet,
dolëm nga shtëpia dhe ajo është krejt rruzulli,
shtoji sistemin diellor, Rrugën e Qumështit dhe Mospërcaktimin.
(Ha çokollata, vogëlushe; ha çokollata!
Mbaj parasysh që në botë s’gjen tjetër metafizikë veç çokollatave.
Mbaj parasysh që gjithë fetë s’japin të tjera udhëzime veç ëmbëltores.
Ha, çupëz pisanjoze, ha!
Aq do desha t’i haja çokollatat me të njejtën vërtetësi si ti!
Por unë mendoj dhe, duke hequr letrën e argjenduar, që meqë ra fjala është prej kallaji,
plas gjithçka përtokë, siç bëra me jetën.
Por së paku, nga hidhësia e asaj çka kurrë s’ka për të qenë,
mbetet bukurshkrimi rrufe i këtyre vargjeve –
portik i shembur mbi Pamundësinë.
Por së paku i blatoj vetvetes një përçmim pa vajtim,
fisnik së paku në lëvizjen e dallueshme nëpërmjet së cilës vërvis
teshat e pista, ato janë unë – pa rend – në rrjedhën e gjërave,
dhe rri në shtëpi pa këmishë.
(Ti që ngushëllon, që s’je andaj ngushëllon,
perëndeshë greke, ngjizur si një shtatore e gjallë,
ti patrice romake, pamundësisht fisnike dhe kobzezë,
ti princeshë trubadurësh, zemërgjerë dhe shumëngjyrëshe,
ti markezë e shekullit të XVII, gjokszbuluar qëndron matanë,
ti kurtizane me nam që nga koha e baballarëve tanë,
ti me diç moderne – s’di të them saktë çfarë –,
gjithë ç’thashë, a ç’të duash, nëse mund të grishë le të grishë!
Zemra ime është një kovë e zbrazët.
Si ata që u bëjnë zë shpirtërave, i bëj zë
vetvetes por gjë s’gjej.
I avitem dritares dhe shoh rrugën krejt qartësisht.
Vështroj dyqanet, vështroj shëtitoret, vështroj veturat tek shkojnë,
vështroj qenie të gjalla me veshje, ndërsa udhët u kryqëzohen,
vështroj qentë ngase janë dhe ata,
dhe gjithë çka thashë ka peshën e një syrgjynosjeje për mua,
dhe gjithë çka thashë është e huaj, si çdo gjë tjetër.
Kam jetuar, studiuar, dashuruar, e madje besuar,
dhe sot kam smirë madje lypsarin që s’është unë.
Secilit i shoh zhelet dhe plagët dhe mashtrimin,
dhe them me vete: mbase kurrë s’kam jetuar, as studiuar, as dashuruar, as besuar
(ngase mund të sajohet e vërteta e gjithë ç’thashë, pa bërë asgjë nga gjithë ç’thashë)
mbase thjesht ke qenë, si një bisht i prerë hardhuce,
tashmë veç një bisht përpëlitës ndanë hardhucës.
I bëra vetes time atë që s’isha i aftë të bëja
dhe ç’kisha mundësi të bëja për veten nuk e bëra.
Pispillosja për ballo s’ishte hiç e duhur.
Përnjëmend më njohën, unë s’përgënjeshtrova, kësisoj humba.
Kur desha të zbuloja fytyrën,
maska ishte ngjitur pas saj.
Kur e hoqa dhe pashë veten në pasqyrë,
tashmë isha plakur.
Isha xurxull, s’dija më të pispillosesha ndërkaq që s’isha zhveshur.
Hodha tutje maskën dhe fjeta në dhomën e plaçkave
bash si qen të cilin e lejojnë rojet
sepse fundja s’kafshon
dhe shkruaj këtë rrëfim thjesht për të treguar epërsinë time.
Thelbi muzikor i vargjeve të mia të padobishme,
sa do të doja t’ju takoja si t’ju kisha dhënë jetë,
e mos të rrija përherë në ballë të kësaj Duhantoreje nga ana tjetër e rrugës,
duke shkelur ndërgjegjien e të qenit,
si qilim që i merr këmbët një pijaneci
apo shtroje dere pa vlerë e zhvatur nga arrixhinjtë.
Por Duhanshitësi nxorri kokën te dera dhe atje mbeti.
E vështroj me bezdinë e kokës së ulur keqas dhe sikletin e shpirtit nuhatës.
Ai do të vdesë dhe unë do të vdes.
Ai do të lerë pas stendën, ndërsa unë vargjet.
Një ditë, stenda do të vdesë, ashtu edhe vargjet.
Një ditë tjetër, do të vdesë dhe rruga ku dukej stenda,
ashtu si edhe gjuha në të cilën u shkruan vargjet.
Do të vdesë dhe rruzulli i gjithë këtyre ndodhive.
Në të tjera satelitë të të tjera sistemesh diçka e ngjashme me njerëzinë
do të vazhdojë të krijojë diçka të ngjashme me vargjet nën diçka të ngjashme me stendën,
përherë diçka përballë një tjetre, përherë diçka pa vlerë si tjetra,
përherë pamundësia, proçkë bash si vërtetësia,
përherë e panjohura e thellësisë, e qartë si gjumi i të panjohurës së përciptësisë,
përherë kjo gjë apo përherë tjetër gjë apo as njëra e as tjetra.
Por një burrë hyn në duhantore (mbase për të blerë duhan?),
dhe realiteti i mirëmbështetur rrëzohet mbi mua.
Ngrihem me vrull në këmbë, i bindur, njerëzisht,
qëllimirë që t’i shkruaj këto vargje për të kundërshtuar.
Ndez një cigare teksa mendoj t’i shkruaj
dhe shijoj te cigarja lirinë prej çdo lloj mendimi.
E ndjek tymin si të kish një drejtim të tijin,
dhe i kënaqem, në një çast ndjeshmërie dhe plotfuqie,
çlirimit prej gjithfarë llafojesh
dhe vetëdijes se metafizika është rrjedhim i të qenit fuqiprerë.
Mandej përmbysem mbi karrige
dhe vijoj të tymos.
Derisa Fati t’ma lejojë, unë do të tymos.
(Nëse do të martohesha me bijën e rrobalarëses time mbase do t’isha i lumtur.)
Kësodore, çohem prej karriges.
Shkoj në dritare.
Burri doli nga Duhantorja (mos vallë duke futur kusurin në xhep të pantallonave?).
E njoh, posi: është Estevesi pa metafizikë.
(Duhanshitësi zgjati kokën te hyrja.)
Si ta kish nuhatur, Estevesi ktheu kokën dhe më pa.
Më përshëndeti, i thirra Mirupafshim Esteves!, dhe gjithësia
m’u ngrit në këmbë pa pikësynim dhe shpresë, dhe duhanshitësi buzëqeshi.
(Marrë nga Poezi të Álvaro de Campos, vargjet e mësipërme janë të janarit 1928)
Shqipërimi – Edon Qesari