Fituesi i “Pritzker” dëshmon fuqinë e arkitekturës për të bërë ndryshime

arkitektiArkitekti kilian, i cili e ka fokusuar karrierën e tij në projektet për ndërtimin e shtëpive sociale me kosto të ulëta dhe rikonstruksionin e qyteteve pas fatkeqësive natyrore, ka marrë çmimin më të madh arkitekturor “Pritzker”.

Arkitekti Alejandro Aravena, nga Santiago, është vlerësuar në kohën kur arkitektët kilianë janë njohur për dizajnimin karakteristik me materiale vendore. Bashkëvendësit e tyre, Pedro Alonson dhe Hugo Palmarola, morën “Luanin e Argjendtë” në edicionin e 14-të të Bienales së Arkitekturës në Venecia, në maj të vitit 2014, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e NYT.

“Puna e Aravenas u jep mundësi ekonomike atyre që kanë më pak privilegje, zvogëlon efektet e fatkeqësive natyrore, redukton konsumin e energjisë dhe krijon hapësira të bukura publike”, ka thënë Tom Pritzker, presidenti i “Hyatt Foundation” i cili sponsorizon çmimin. “Në mënyrë inovative dhe inspiruese ai na dëshmon së si arkitektura mund të përmirësojë jetët e njerëzve”, ka shtuar ai.

Ndërsa Aravena (48) arkitekturën e tij e ka përshkruar më shumë si nevojë për shërbime publike sesa për dizajn estetik. Derisa shumë arkitektë mëtojnë të krijojnë objekte ikonike, Aravena ka thënë se më shumë merret me qëllimin themelor të një projekti.
“Ndonjëherë zgjidhja për të qenë pjesë e lojës është ndërtimi i një objekti ekonomik; ndonjëherë duhet të fokusosh imagjinatën e njerëzve me arkitekturën”, ka thënë Aravena.

“Suksesi në terma konvenciale është më pak i garantuar – ke më pak kontroll mbi projektin. Por kjo është të menduarit në mënyrë artistike nëse e konsideron ndërtesën tënde si një vepër arti”, ka shtuar ai. Aravena është përzgjedhur drejtor i Bienales së Arkitekturës në Venecia për vitin 2016 dhe ishte anëtar i jurisë së çmimit “Pritzker Prize”. Ai po ashtu ishte folës në “TED Global” në Rio de Janeiro në vitin 2014.

Firma e Aravenas “Elemental”, me seli në Santiago, është bërë e njohur për shtëpitë sociale dhe për proceset e pjesëmarrjes në dizajnët dhe ndërtimet që quhen “gjysma e shtëpive të bukura”. Në vitin 2003 firma e tij në veri të Kilit ndërtoi shtëpi për 100 familje me vetëm 7 mijë e 500 dollarë për secilën familje, ndërsa me para të subvencioneve të qeverisë i kanë mbuluar shpenzimet e tokave ku janë ndërtuar. Të njëjtën qasje ai e përdori në vitin 2010 pas cunamit dhe tërmetit në Kili, ku brenda 100 ditësh “Elemental” krijoi planin për rikonstruktimin e qytetit – duke përfshirë infrastrukturën, hapësirën publike dhe ndërtesat. Punoi direkt me banorët që t’i plotësojnë nevojat e tyre.

“E kemi pyetur komunitetin që të identifikojnë pyetjet e jo përgjigjet”, ka thënë ai. Kjo kishte të bënte me menaxhimin e reshjeve të shiut kështu që firma dizajnoi një pyll që mund të ndihmojë në parandalimin e përmbytjeve.
“Ajo që ne jemi munduar të bëjmë është të dëshmojmë se arkitektura, në vend se të jetë diçka me kosto të lartë, të jetë një vlerë shtesë”, ka thënë Aravena.

“Ne dëshirojmë që të shpalosim talentin – dijen tonë – karshi sfidave që prekin shumicën e popullsisë”, ka shtuar arkitekti i cili në vitin 2000 ishte ligjërues në “Harvard Graduate School of Design”. Aravena është laureati i parë i çmimit “Prirzker” nga Kili dhe i katërti nga Amerika Latine, pas Luis Barrgan në vitin 1980, Oscar Niemeyer në vitin 1988 dhe Paulo Mendes da Rocha në vitin 2006. Por marrja e çmimit “Pritzker”, sipas Aravenas nuk vjen me presionin për të prodhuar, por i jep atij lirinë për të eksperimentuar.

“Tani e tutje ne nuk kemi nevojë të dëshmojmë asgjë për askënd”, ka thënë ai. “Tani po ndihemi edhe më të inkurajuar që t’i hyjmë punës madje edhe me rreziqe më të mëdha për dështim”, ka shtuar ai.

Aravena ka marrë edhe medaljen për arkitekturë “Erich Schelling” në vitin 2006 dhe ishte finalist për “Mies van der Rohe Award” në vitin 2000 dhe për çmimin “Iakhov Chernikhov” në vitin 2008 dhe çmime të tjera. Punën dhe eksperiencën si arkitekt Aravena i shpalosi edhe para publikut kosovar vitin e kaluar kur mori pjesë në Javën e Arkitekturës në Prishtinë. ( Nga Koha.net)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *