Rock & Roll

Nga Ilir Metaj

“Po ti, -e pyeta mbasi kisha folur gjatë, -cfarë ndihesh i zoti të bësh?”
Ai u duk në siklet.
Psherëtiu, uli paksa kokën mendueshëm, por u përgjigj me bindjen që i përforcohej ndërsa fliste.
Dhe, në fakt, ndryshe nga qëndrimi përgjithësisht i heshtur deri në atë moment, përgjigja erdhi e gjatë. Fjalët duket se nxitonin t’i zinin vendin njëra-tjetrës me frikën se paraardhësja nuk e kishte sqaruar mirë përmbajtjen :
“Une di të servilosem. Por, sigurisht që nje pohim kësisoj kërkon të pasohet edhe nga një tjetër më i hollësishëm. Pra, unë jetoj me këtë zeje. Ose më saktë, unë ushqehem nëpërmjet servilosjes. Dhe ushqehem mirë sepse këtë punë di t’a bëj shumë mirë.
Mund të dukem i ri në moshë, por kam mjaft pervojë. Vështirë të m’a kalojë dot njeri. Më beso. Jam përsosshmërisht i talentuar.

Mund të më quash aktor, por nuk do të ishte përqasje e saktë, sepse unë nuk aktroj, unë jam servil i vërtetë.Pra nuk jam aktor, por ama nuk jam as kloun, sikurse reken disa të më quajnë.

Jam i arrirë.
Gjithmonë e më shumë koha jep hapësirë të rëndësishme për njerëz si unë. Edhe pse askush nuk na do, shumë na dëshirojnë.
Ama, më duhet patjetër të të them që mjeshtëria në servilosje është tmerrësisht lodhëse. Sidomos ashtu si e ushtroj unë.
Kthehem në darkë në shtëpi dhe ndihem i dërrmuar. Aq sa më duket se vërtetë nuk kam shtyllë kurrizore. Madje më duket se nuk kam asfare eshtra brenda trupit. Epo, cdo profesion ka koston e vet…

Ndiej që më përcmojnë, më përflasin, më përbuzin, më tallin… nuk kam shokë të vërtetë. Po këto janë kosto për ata që i vuajnë. Ndërsa unë ? Hmm…
Ndodh që rri e vras mendjen, a është jetë kjo vallë ?
Shpesh më duket se jo. Por pastaj kujtohem që ky jam unë. Kjo është e vetmja gjë që di të bëj.
Dhe nuk më ngelet vecse t’a jetoj. Fundja, jam vetvetja. Nuk shtirem si të tjerë.”

***

Vlorë, vapë gushti.
Sapo ulur për kafe te Bar Ini.
Bisedë mes dy kamarierëve :
– O vëlla, sa të mira ato te dyja që u ulen afër shatërvanit ! Të vete unë t’ua marr porosinë ?
– C’e do edhe të vesh? Ishin franceze, turiste. Di ti të flasësh frëngjisht?
– Frëngjisht nuk di unë vëlla, po ama “puthjen franceze” e qaj.

Nga libri ” Edhe pastaj ka që nuk besojnë, se kur je në Vlorë, është e lehtë të dashurohesh.”

***
– Nuk po më ecën fare këto kohë,- më tha ai. Sapo bëj një hap përpara, menjëherë bëj dy hapa prapa.
– Gjë që zgjidhet- i thashë. Kthehu prapa para se të hedhësh hapin dhe kësisoj do bësh dy hapa përpara dhe një hap prapa.
Njëlloj si e bëjnë këta deputetët tanë, e ke parasysh ?


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *