Nga Mimoza Shqefni
Folklori si trashëgimi popullore që na identifikon si popull, po has në vështirësi në bartjen e tij nga brezi në brez. Kjo po bëhet evidente edhe pse kemi një evolucion të teknologjisë. Teknologjia ofron mundësi pafund për ruajtjen e vlerave kombëtare, vetëm në rastin kur studiuesi i folklorit kërkon dhe insiston të paraqesë origjinalitetin.
Në këtë punim do të përpiqemi të sjellim në fokus rastet e evenimenteve folklorike të cilat përfshihen në media, videoklipe, rrjete sociale apo në forma të tjera audiovizive dhe që rreken të sjellin elemente tradicionale përkundrejt atyre moderne. Krijimtaria folklorike pasqyron me gjuhën e artit plot vibracion, madhështi dhe saktësi jetën e popullit dhe përpjekjet e tij gjatë shekujve. Kështu interneti si përthithësi më i madh i vëmendjes së publikut, është përçuesi më i shpejtë i këtyre vlerave.
Teknologjia si mjet për bartjen e folklorit ofron mundësi të mira. Këto janë evidentuar në transmetimin e një sërë festivalesh folklorike, të cilat shpalosin vlerat tradicionale, por në momentin që ato nuk kontrollohen mund të jenë rrezik për trashëgiminë kulturore dhe me efekte pasvepruese. Pse themi se duhet të kontrollohen? Emigrimi dhe migrimi i popullsisë ka bërë që të kemi shtegtime folklorike. Kjo vlen edhe për pasurimin e folklorit, por në të njejtën kohë shton edhe rrezikun e humbjes së origjinalitetit krahinor, duke u përzier me atë pjesë moderne që nuk mund të jetë më folklor.
Interneti mund të jetë një mjet bartës shumë i vlefshëm, por duhet të dihet kufiri i përdorimit të tij. Në një shoqëri në zhvillim, ku niveli i aftësive përsonale përthithëse nuk është në lartësinë e duhur, roli i teknologjisë merr ngarkesë të madhe, por paraqet edhe një rrezik përsa i përket karakterit komercial dhe ndikon në ekzistencën edhe të programeve që përbëjnë kërcënim për evidentimin e vlerave autentike folklorike.