Konsiderohet si njëri ndër kitaristët më të mirë që ka Evropa sot. Bëhet fjalë për shqiptarin Petrit Çeku nga Prizreni, që me talentin e tij po mahnit të gjithë.
Dashurinë për kitarën e ka nga babai dhe xhaxhai i tij, të dy kitaristë. Ai thotë që tingujt e parë muzikorë që i ka dëgjuar kanë qenë ata të kitarës dhe kjo e shtyu që të vazhdojë më tutje e të bëhet kitarist profesional. Gjithçka filloi në Prizren, ku si mësues kishte Luan Sapungjiun. Ishte viti 2002 kur vendosi që shkollimin ta vazhdojë në Zagreb në Akademinë e Muzikës dhe ku u diplomua në vitin 2008. Ky ishte edhe viti kur Petrit Çeku lansoi albumin e tij të parë solo.
Por nuk u ndal këtu. Ai tani vazhdon studimet në Baltimore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Petriti gjithashtu ka zhvilluar performanca të ndryshme në vendet më prestigjioze të botës.
Gjatë këtij viti ai mbajti një koncert bamirësie në Prizren ndërsa performoi edhe në Prishtinë në kuadër të Dam festivalit.
Edhe pse në moshë i ri, cmimet që ka marrë në fushën e tij janë të shumta.
Në vitin 2008-të Petrit Çeku si 24 vjecar u bë fitues i çmimit muzicienti më i mirë i vitit në Kroaci.
Në garën më të rëndësishme të kitaristëve botërorë “Parkening International Guitar Competition” ai pati konkurence të fortë me 14 kitaristë nga Amerika, Italia, Gjermania, Franca, Ukraina, Rumania, Serbia e vende të tjera.
Ai është gjithashtu fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare.
Pas studimeve muzikore në Prizren e Zagreb, ai në vitin 2003 kishte fituar çmimin e parë në garant pankroate në Dubrovnik, gjithashtu mori çmimet prezistigjioze “Anna Amalia” në Ëeimar dhe “Emilio Pujol Guitar Competition” në Itali.
E sukseset e tij po shtohen dita ditës dhe Petrit Çeku po vazhdon rrugën e tij drejt suksesit, duke u udhëhequr nga dashuria për muzikën klasike.